Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo ka ndryshuar qëndrim sa i takon paktit për çështje ekonomike Serbi-Kosovë, të nënshkruar të premten më 4 Shtator. Fillimisht PD e cilësoi si marrëveshje historike dakordësinë e arritur mes palëve, por dje ka ndryshuar kurs, duke dalë kundër këtij pakti dhe duke sulmuar Shengenin Ballkanik. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Pollo ka sulmuar kryeministrin Edi Rama dhe marrëveshjen. Ai është shprehur se mini-shengeni nuk ka një dokument themelues apo program të shkruar. Sipas tij kjo nismë është e udhëhequr nga Rusia. “Mini Shengeni është një nismë e cila sot e kësaj dite nuk ka një dokument themelues apo program të shkruar; është iniciuar nga shteti i vetëm në Ballkan që ka marrëveshje me bllokun tregtar e organizatën e sigurisë të udhëhequr nga Rusia dhe në rastin më pozitiv i shërben vetëm egomanisë së udhëheqësit të ditës e partnerëve të tij rreth e rrotull”, ka shkruar Pollo. Më tej ai ka vijuar me sulme ndaj kryeministrit Rama. Pollo shprehet se Rama në këtë mes spikat me “elefantin që mungon”. “Përsa i përket rolit të z. Rama në këto çështje do të thoja se Marrëveshja spikat me “elefantin që mungon” ose me copëtimin territorial të Kosovës, i cili vite më parë fatkeqësisht u mbështet nga aventurizmi i zonjës Federica Mogherini, asokohe Përfaqësuese e Lartë për Politikën e Jashtme dhe zv. Presidente e Komisionit Europian si dhe nga ideologjizmi i ambasadorit John Bolton, asokohe Këshilltar për Sigurinë Kombëtare të Presidentit të SHBA. E për të mos ja lënë gjithmonë fajin në derë tjetrit apo të huajit, siç bëhet shpesh në viset tona, duhet të rithemi se ata nuk e shpikën vetë këtë propozim”, thotë Pollo. Në reagimin e tij për marrëveshjen, teksa e sulmon këtë të fundit po ashtu dhe kryeministrin Rama, Pollo shprehet se vetë mini-Shengeni Ballkanik është pa domethënie. Sipas tij katër liritë e BE në Ballkanin Perëndimor mund të realizohen plotësisht vetëm pas anëtarësimit në BE. “Por në vetvete mini Shengeni është pa domethënie pasi katër liritë e BE në Ballkanin Perëndimor mund të realizohen plotësisht vetëm pas anëtarësimit në BE. Për realizimin gradual të tyre e nxitjen e tregut rajonal ekzistojnë mekanizma e institucione rajonale ku shtetet e Ballkanit janë anëtare. Kështu p.sh janë CEFTA me sekretariat në Bruksel e Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit me seli në Sarajevë të cilat kanë përkrahjen e plotë të Bashkimit Europian e të Amerikës”, deklaron Pollo.









































