Pas shkëputjes gati 1 mujore për shkak të pushimeve të verës, në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit kanë rinisur seancat dëgjimor. E para që u përball me trupën gjykues ishte gjyqtarja e Gjykatës së Apelit të Shkodrës, Vojsava Osmanaj. Trupa gjykuese që po kryen hetimin administrativ për gjyqtaren kryesohet nga Suela Zhegu, më relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Genta Bungo. Treshja gjykuese, kreu hetimin për 3 kriteret e vlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin. Lidhur me kriterin e pasurisë, relatori Lulzim Hamitaj deklaroi se gjyqtarja Osmanaj ka mungesë të burimeve financiare të prindërve të saj për një pjesë të vogël të një huaje në vlerën totale 1 milionë lekë që i kanë dhënë të bijës për blerjen e një apartamenti, si dhe të bashkëshortit për blerjen e një autoveture para bashkëjetesës së tyre. Sa i takon huasë që ka marrë nga prindërit, gjyqtarja deklaroi se i ka përdorur për të shlyer këstin e një apartamenti në qytetin e Pogradecit. Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtarja Osmanaj deklaroi se prindërit kishin pasur të ardhura të mjaftueshme për vlerën e dhënë hua. Ajo tha se kishte depozituar një akt-ekspertimi kontabël lidhur me të ardhurat e përfituara nga prindërit e saj nga një aktivitet privat. Osmanaj shpjegoi se kishte vërtetuar që prindërit kishin administruar një aktivitet bar-kafe, që e kishin nisur prej vitit 2000 dhe kërkoi të përfshiheshin në analizë të ardhurat minimale të mundshme të konkluduara bazuar në dokumentacionin e siguruar prej saj për pagesën e tatimeve gjatë periudhës 2005-2008.
Blerja e autoveturës
Ndërkohë një tjetër mungesë e burimeve financiare që u konstatua për gjyqtaren e Apelit të Shkodrës ishte edhe blerja e një autoveture tip Benz nga ana e bashkëshortit të saj, në periudhën para bashkëjetesës së tyre. KPK konstaton pamundësi financiare të bashkëshortit të gjyqtares Osmanaj për blerjen e një autoveture tip Benz në vitin 2017 kundrejt vlerës 8700 euro. Komisioni ka verifikuar gjithashtu edhe një banesë dhe truall në pronësi të vjehrrit të subjektit. Hamitaj tha se nuk kanë rezultuar probleme për këtë të fundit, pasi është blerë shumë kohë para fillimit të bashkëjetesës me bashkëshortin. Gjyqtarja Osmanaj kërkoi gjatë seancës dëgjimore që rivlerësimi të mos shtrihej edhe në këto dy pasuri, pasi sipas saj ishin krijuar para nisjes së bashkëjetesës me bashkëshortin. E pyetur nga Hamitaj nëse ajo kishte fituar ndonjë të drejtë pronësie apo përdorimi për këto dy pasuri të bashkëshortit dhe familjarëve të tij, Osmanaj shpjegoi se kishte përdorur vetëm autoveturën tip Benz, por pas fillimit të bashkëjetesës.
Kriteret e tjera
Ndërkohë që gjyqtarja e Apelit të Shkodrës, Vojsava Osmanaj u vlerësua pozitivisht për dy kriteret e tjera, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin. Gjatë seancës dëgjimore, relatori Lulzim Hamitaj u shpreh se janë evidentuar vetëm dy gjetje të Komisionit bazuar në dy prej 19 denoncimeve të kryera nga publiku pranë KPK. Ai shtoi se Osmanaj kishte dhënë shpjegime për këto gjetje, të cilat do të vlerësohen para vendimmarrjes përfundimtare. Lidhur me denoncimin e pare, gjyqtarja Osmanaj theksoi se nuk qëndronte pretendimi se nuk ishte kryer një proces i rregullt ligjor në vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit Shkodër për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor. Ajo shpjegoi se bazuar në Kodin e Procedurës Penale të mëparshëm, Apeli kishte mundësi të shqyrtonte edhe vendimet e pafajësisë. Osmanaj u ndal edhe në denoncimin e kryer nga një avokat që pretendonte se trupi gjykues ku bënte pjesë edhe subjekti i rivlerësimit, nuk kishin konsideruar një raport mjekësor të dorëzuar prej tij. Gjyqtarja Osmanaj deklaroi se avokati në fjalë ishte zëvendësuar nga gjykata para se të dorëzonte raportin mjekësor, për shkak të mos-justifikimit të paraqitjes së tij në disa seanca.







































