Leo Mesi i është bashkuar figurave të shumta në botën e futbollit që e kanë nderuar legjendën e Real Madridit dhe Spanjës, Iker Kasijas, i cili e zyrtarizoi pensionimin e tij nga futbolli. Fituesi i Kupës së Botës me Spanjën nuk ka luajtur në asnjë ndeshje me karakter garues që nga maji i vitit të kaluar, kur e kishte pësuar një arrest kardiak. Ai ishte shëruar nga ai sulm në zemër dhe i ishte bashkuar skuadrës së Portos sërish për sezonin 2019/20, kur ishte edhe pjesë e skuadrës zyrtare të gjigantit portugez. Megjithatë, tani Kasijas e ka marrë vendimin të pensionohet përderisa ka thënë se po kërkon një sfidë të re jashtë fushës së lojës. Mesi e ka komentuar këtë vendim, duke e lavdëruar spanjollin për arritjet e tij. “Iker po pensionohet tani, por ai e kishte fituar qysh më parë statusin si legjendë e futbollit – jo vetëm për shkak se ishte njëri ndër lojtarët më të mirë të La Ligës, por edhe për shkak të trofeve që i ka fituar me Spanjën”, ka thënë Mesi. Ndërsa, në një mesazh të dërguar për 39-vjeçarin, Mesi tha: “Ti je një portier fantastik dhe ishte një kundërshtar shumë i vështirë”. “Kur kthehem prapa. Mendoj se ishte ai rivaliteti tejet i veçantë që na shtynte t’i rrisim standardet kurdo që përballeshim me njëri-tjetrin”, shkruan Mesi për rivalin e tij. Kasijas e kishte nisur karrierën si adoleshent në Real Madrid dhe kishte vazhduar duke i bërë 725 paraqitje për “Los Blancos” – duke u ndihmuar t’i fitojnë pesë tituj të La Ligës dhe tre tituj të Ligës së Kampionëve. Ai gjithashtu ishte kapiten i Spanjës në Kupën e Botës 2010, të cilën e fituan spanjollët, dhe shijoi suksese edhe në Kampionatet Evropiane 2008 dhe 2012. Një largim nga vendlindja e dërgoi atë në Portugali në vitin 2015, kur ai e nisi rrugëtimin me Porton, për të cilët i bëri 156 paraqitje. Ndërkohë, elozhe për portierin e madh të Realit e të Spanjës ka bërë edhe trajneri Hoze Murinjo, megjithëse midis tij dhe portierit ka pasur fërkime kur portugezi drejtonte “Los Blancos”. Lamtumira e Iker Kasijas nga futbolli i luajtur me portierin që vendosi të varë këpucët në gozhdë ka ngjallur një sërë reagimesh dhe me të drejtë pasi bëhet fjalë për një legjendë të futbollit që ka fituar gjithçka në karrierë. Një ndër ata që ka folur për karrierën e Kasijas është edhe ish-trajneri i tij te Reali i Madridit Hoze Murinjo në periudhën 2010-2013, me të cilin Kasijas nuk pati një raport shumë të mirë pasi “Special One” vendosi ta ulte në stol duke ia besuar portën Diego Lopezit. Gjithsesi Murinjo thotë vetëm fjalë të mira për Kasijasin. “Iker është një portier historik. Kemi pasur momente të vështira, kjo për shkak të vendimeve të mia profesionale dhe jo personale. Inteligjenca dhe pjekuria e tij, kanë ndikuar që të respektojmë gjithmonë njëri-tjetrin. Kemi kultivuar një miqësi të ndershme me kalimin e viteve. Të gjithë e dinë që kur e largova nga skuadra, pati disa konfrontime. Nuk do të thoja se bëhej fjalë për ego, më shumë ishte një problem midis kapitenit dhe trajnerit të Realit. S’e kam pasur aspak të lehtë ta merrja atë vendim, të vështirë e kishte edhe ai për ta pranuar”, thekson Hoze Murinjo.