Operacioni antidrogë me Italinë/ Policia e Shtetit jep detaje: 16 të arrestuar, ja ku vepronte grupi kriminal

    0
    322

    Policia e Shtetit jep detaje për operacionin ndërkombëtar antidrogë mes Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

    Operacioni “Riviera”, është zhvilluar në të njëjtën kohë në Itali e Shqipëri dhe ka çuar në pranga 16 persona, nga këta 14 në Itali dhe 2 në Shqipëri.

    Operacioni ka nisur që në vitin 2018, për goditjen e grupeve kriminale që merreshin me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjen pa leje.

    Në kuadër të këtij operacioni, në orët e para të mëngjesit, si rezultat i bashkëpunimit mes ZQK INTERPOL Tirana, Departamentit të Policisë Kriminale në PSH, DVP Tiranë dhe Zyrës së Oficerëve Ndërlidhës në Romë e Bari dhe në ambasadën italiane (misioni INTERFORZA), u zhvillua operacioni policor i koduar “Riviera”.

    Operacioni “Riviera”, i iniciuar nga Prokuroria Rajonale Antimafia në Bolonja, në bashkëpunim me Grupin e Operacioneve Speciale (ROS) të Karabinierisë në Bolonja, Itali, pati si qëllim goditjen e një grupi të organizuar kriminal, të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, me aktivitet trafikimin e narkotikëve në rajonin Emilia Romagna, Itali.

    Në zbatim të urdhër-arresteve të lëshuara nga zyra e Prokurorisë Antimafia në Bolonja dhe si rezultat i veprimeve policore të mirëkoordinuara mes palëve, u arrestuan në vendin tonë, me qellim ekstradimi drejt Italisë, shtetasit shqiptar Elison Hysenbelli 40 vjeç, banues në Bathore dhe Jurgen Duka (Mëziri), 28 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë.

    Vazhdojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme të këtij grupi të strukturuar kriminal.

    Operacionet e njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me homologët tregojnë vendosmërinë dhe angazhimin e Policisë së Shtetit për të luftuar krimin e organizuar dhe besueshmërinë që po fiton përditë e më tepër tek partnerët.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here