Google search engine
Home Politike “Ndryshon loja”/ Ndërhyrjet kushtetuese zbresin te Këshilli Politik, Basha s’pranon takim me...

“Ndryshon loja”/ Ndërhyrjet kushtetuese zbresin te Këshilli Politik, Basha s’pranon takim me Ramën

0
335

Shpërthejnë pazaret me ndryshimet kushtetuese. Mazhoranca ka bërë një tjetër hap pas, pasi ka vendosur që të fusë në valle edhe Ilir Metën me Lulzim Bashën. Heqja e koalicioneve dhe listat e hapura nuk do të kalojnë në Parlament pa dhënë më parë dakordësinë Këshilli Politik, por që pjesë e tij këtë herë pritet të jenë Rama, Meta e Basha. Ditën e djeshme presidenti ka pritur në një takim liderin demokrat, i dyti brenda tre ditëve, ku ka kërkuar që të bjerë dakord që propozimi i ndryshimeve kushtetuese të kalojë në Këshillin Politik. “Dje në mesnatë mora një mesazh nga një intelektual i nderuar si Prof. Kristaq Kume. Shqetësimi i tij ishte se duhej bërë çdo përpjekje për të shmangur ndryshimet kushtetuese të njëanshme sepse do të ishte një kosto shumë e rëndë për vendin. Ai sugjeronte se çdo ide për ndryshime nga Marrëveshja e 5 Qershorit duhet të shkonte përsëri në tryezën e Këshillit Politik. Sot në mëngjes, pa gdhirë mirë, i kërkova takim z. Basha për të parë a ishte i hapur për një ide të tillë. Ai më njohu me qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar që është bërë publik dhe u është njoftuar dhe të gjithë partnerëve të shqetësuar për të ardhmen europiane të vendit tonë”, tha Meta. Por nuk mungoi një reagim i menjëhershëm i kryeministrit Edi Rama. Po përmes rrjeteve sociale, ai u shpreh i gatshëm që diskutimi të kalojë në Këshillin Politik, ndërsa u shpreh i gatshëm që aty të jetë ai vetë dhe Basha me Metën. “PS nuk ka asnjë obligim ndaj PD-LSI përveç marrëveshjes së 5 qershorit, të cilën do ta mbështesë deri në fund! Por nëse opozita presidenciale (OP) mendon se nisma zyrtare kushtetuese ia vlen të diskutohet në Këshillin Politik, PS s’ka si të jetë kundër, madje megjithë OP në tryezë! PS e ka gjithë vullnetin të bëjë çdo përpjekje për ta bindur PD-LSI OP për dobinë që nisma kushtetuese ka për Shqipërinë, e unë jam i gatshëm të shkoj vetë në Këshillin Politik këtë herë, ku po erdhi dhe LB apo edhe IM nëse dëshirojnë, do jetë edhe më mirë padyshim. Gati që të hënën”, tha shefi i qeverisë.

Mblidhet Këshilli Politik

Pasi Rama dhe Meta hodhën “shashkën”, nisën menjëherë konsultimet dhe u vendos që në fillim të javës të mblidhet Këshilli Politik. Fillimisht ishte Damian Gjiknuri që kërkoi nga opozita mbledhjen e Këshillit për të folur mbi ndryshimet kushtetuese, ku tha se i pranishëm do jetë dhe Rama. “Duke ndjekur deklarimet e opozitës jashtëparlamentare në lidhje me procesin e shqyrtimit nga Kuvendi të propozimit të deputetëve të opozitës parlamentare, për ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me vullnetin për të ballafaquar pikëpamjet tona përmes dialogut konstruktiv, ju propozoj: Mbledhjen ditën e hënë apo të martë (përkatësisht në 20 ose 21 Korrik, sipas disponimit tuaj), ora 11:00, të një tryeze të Këshillit Politik me temë diskutimi ndryshimet e miratuara nga Komisioni i Ligjeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Duke ju informuar se në këtë mbledhje Partia Socialiste do të përfaqësohet përveçse nga unë edhe nga kryetari Rama, ju bëj me dije se në rast dëshire edhe prezenca e kryetarëve përkatës të opozitës jashtëparlamentare, do të ishte plotësisht e mirëpritur nga ana jonë”, tha ai. Por nuk mungoi reagimi i opozitës. Bylykbashi dhe Vasili ranë dakord, por Meta dhe Basha duket se refuzuan Ramën, pasi në tryezë do të jetë vetëm Gazment Bardhi. “Për çdo çështje tjetër, ne jemi të gatshëm, në orën e caktuar nga ana juaj, si të hënë ashtu edhe të martën, pa patur një preferencë për këtë. Presim konfirmimin tuaj për ditën që ju preferoni, duke shprehur gatishmërinë tonë për pjesëmarrjen në atë mbledhje. Në lidhje me ndryshimin e formatit të përbërjes së Këshillit Politik, nëse ju keni vlerësuar si të përshtatshme zgjerimin e përfaqësuesve të partive politike në Grupin e Punës së Këshillit Politik, atëherë ju bëjmë me dije se Opozita e Bashkuar do të përfaqësohet përveç nesh, edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike z. Gazment Bardhi”, njoftoi opozita. Palët u dakordësuan që mbledhja të bëhet të hënën ora 11:00 në Pallatin e Kongreseve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here