Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi u shpreh se mazhoranca nuk e do futjen e teknologjisë në qendrat e votimit, pasi sipas tij kanë për qëllim manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme. Gjatë një reagimi për media pas përfundimit të mbledhjes, Bylykbashi deklaroi se kjo është një nga pikat që kërkon kompromis nga palët sa i takon shtrirjes në të gjithë territorin e vendit. “Propozimi i opozitës është futja e teknologjisë në votim; pra identifikim biometrik, votim dhe numërim në të gjitha qendrat e votimit në zgjedhjet e ardhshme. Ky ka qenë propozimi që kemi bërë ne. Duke e ditur që teknologjia e identifikimit biometrik është e gatshme, e disponueshme dhe e demonstruar të gjithë aktorëve të këtij procesi reforme, është e mundshme për tu zbatuar. Ne kemi pranuar që në të gjithë këtë propozim të ecet me identifikimin biometrik në të gjithë Shqipërinë duke lënë mundësinë e pjesshme për pjesën tjetër. Kështu që kjo do të ishte pika e kompromisit për sa i përket shtrirjes. Përpjekjet e zotit Gjiknuri për t’ju shmangur kësaj duke bërë pretendime në lidhje me pamundësinë për t’u shtrirë”, tha Bylykbashi. Më tej përfaqësuesi i PD deklaroi se mazhoranca ka refuzuar edhe propozimin e administratës zgjedhore. “Refuzimi edhe sot nga mazhoranca jo vetëm është një kundërshtim ndaj një nga çështjeve kryesore të opozitës, por bën të pamundur arritjen e konsensusit mbi çështje të tjera të rëndësishme, siç është edhe administrimi i zgjedhjeve dhe shpallja e rezultatit. Po ashtu, roli që do të ketë në të gjithë këtë proces në certifikimin e rezultatit nga Kolegji Zgjedhor. Ne sot bëmë edhe një propozim në lidhje me Kolegjin Zgjedhor, në alternativë të propozimeve të mëparshme duke sugjeruar që të jetë Gjykata Kushtetuese”, tha Bylykbashi. Ndërsa sa i takon qeverisë transitore, Bylykbashi tha se kjo është një pikë e panegociueshme. “Qeveria tranzitore është e padiskutueshme për ne. Ne duam rolin e policisë në zgjedhje. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë që garancia të jetë e plotë në procesin zgjedhor. Ne ia bëmë të qartë mazhorancës se pa dakordësi për këtë çështje, pra pa dakordësi për identifikimin biometrik që do të pengojë vjedhjen e zgjedhjeve, nuk shkohet tutje. Ne duam të jemi me shqiptarët dhe jo me Ramën, që do të mbushë kutitë, siç ndodhi më 2017”, u shpreh Bylykbashi.
































