Kryemadhi braktis mbledhjen e Bashës/ Cifti presidencial ndal sulmet ndaj mazhorancës

0
339

Pas Ilir Metës, duket se edhe Monika Kryemadhi ka nisur të distancohet nga Partia Demokratike. Presidenti dekretoi ndryshimet në Kodin Penal dhe la në baltë Bashën, duke vlerësuar masat e qeverisë. Por duket se ai nuk është i vetmi, pasi dhe LSI ka filluar të ndryshojë kurs. Dje Basha mblodhi në një takim aleatët e tij, për të diskutuar mbi strategjinë që do të ndjekë opozita përballë qeverisë në këtë situatë. Ajo që ra në sy është se në takim mungonte Monika Kryemadhi. Përfaqësues i LSI ishte Petrit Vasili, por mungesa e Kryemadhit është një tjetër sinjal se situata po ndryshon. Çifti presidencial po afrohet më shumë me mazhorancën dhe po distancohet nga PD. Sipas burimeve, krisjet mes Kryemadhit dhe Bashës janë shtuar. Kryetarja e LSI nuk ka lëshuar asnjë akuzë prej gati një muaji duke dëshmuar qartë se diçka po ndryshon. Pra duket qartë se marrëdhëniet mes presidentit, Zonjës së Parë dhe socialistëve po hyjnë në një tjetër dimension.

Reagimi i opozitës

Në mbledhjen e djeshme Basha ka analizuar me aleatë masat e marra nga qeveria. Pas takimit u dol me një deklaratë të përbashkët, ku ndryshe nga Meta, i cili vlerësoi qeverinë, për opozitën vendi është në humnerë. “Me shqetësimin më të madh për sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, për ne është e papranueshme që 6 javë pas shpërthimit të epidemisë, qeveria: Ka bërë mesatarisht vetëm 110 teste në ditë, për mbi 2,6 milionë banorë. Ka lënë jashtë ndihmës financiare mbi 750 mijë qytetarë dhe nuk ka shpërndarë ndihmën e premtuar për mijëra të tjerë. Nuk ka akorduar fonde të mjaftueshme për përballimin e krizës, duke e renditur Shqipërinë të fundit në rajon”, thuhet në deklaratë.

Kritika qeverisë

Më tej aleatët kanë vijuar me akuza ndaj qeverisë, duke u shprehur se kjo e fundit nuk ka asnjë strategji për të nxjerrë vendin nga kriza dhe theksojnë se qeveria është duke menaxhuar situatën në mënyrë spontane. “Të gjitha faktet tregojnë se qeveria po improvizon dhe se nuk ka asnjë strategji për daljen nga kriza. Regjimi i Facebook-it ka suprimuar çdo vendimmarrje përmes institucioneve. Gjatë 6 javëve, qeveria kërkoi sakrifica vetëm nga qytetarët, por nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për vete. Lufta e qeverisë duhet të jetë me virusin dhe pasojat e tij dhe jo me qytetarët. Por deri më sot prioritet i qeverisë ka qenë gjobitja e qytetarëve dhe jo testimi, kufizimi kaotik i lëvizjes dhe jo transparenca, kërcënimi me burg dhe jo bashkëpunimi, braktisja e njerëzve në nevojë dhe jo ndihma për ta”, thuhet në deklaratë.

Opozita akuza qeverisë

Sikurse u theksua më sipër, opozita dhe aleatët kanë hedhur poshtë strategjinë e qeverisë sa i takon COVID-19. Por kjo mbledhje e opozitës duket se është një sfidë nga ana e kreut të PD kundër presidentit Meta. Sakaq ndër akuzat e tjera, opozita ka akuzuar qeverinë se ka refuzuar mbylljen e fasonerive dhe ka rritur për pasojë riskun e infektimit. “6 javë pas nisjes së emergjencës, numri zyrtar i të infektuarve të sotëm mbetet i lartë si në ditët e para të pandemisë. Qeveria refuzoi mbylljen e fasonerive dhe bizneseve të tjera me risk të lartë infektimi dhe i ktheu ato në vatra përhapje, siç vërtetojnë rastet në Krujë, Kurbin, Kamëz dhe Shkodër. Kjo krizë e rëndë konfirmoi se për kryeministrin prioritet janë një grusht klientësh, me të cilët grabit taksat e shqiptarëve. Në vend që të financojë ekonominë për të mos mbyllur vendet e punës, Edi Rama zgjedh të vazhdojë pagesat prej mbi 100 milionë euro për disa koncesione korruptive”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here