Meta tërheqje taktike/ Me ndryshimin e Kodit Penal, Rama nuk ka ndërruar kurs

0
524

-Zoti Braho, Shqipëria prej më shumë se një muaj po përballet me pandeminë e Covid-19. Si e shihni situatën në vend dhe si i vlerësoni masat e qeverisë?

Situata, gjendja ekonomike dhe faktet dëshmojnë se Shqipëria epideminë apo pandeminë Covid-19, siç quhet në gjuhën shkencore që na preku në mënyrë masive para dy muajve e ca, e përballoj pa dramacitet apo në mënyrë të theksuar tragjike. Deri tani shifrat e raportuara nga institucionet përkatëse janë më të ultat, jo vetëm në rajon, por edhe ndërmjet shteteve të Europës. Aktualisht në Shqipëri janë 663 persona të prekur e të infektuar, ndërkohë që 26 persona kanë humbur jetën. Pra, Shqipëria nuk pati dhe ka sistemin mjekësor e spitalor të bllokuar apo mungesa të tjera. Kështu që, si qytetar e vlerësoj brenda normalitetit situatën, krahasuar edhe me shumë vende të tjera të Europës apo më gjerë. E çmoj se kjo është meritë e menaxhimit efikas, kopetent, të zgjuar dhe të zhdërvjellët nga ana e Qeverise dhe strukturave profesionale dhe operative që u ngritën, si dhe zbatimit me nuanca të mira ndërgjegjësimi të qytetarëve që treguan gatishmëri, bindje e respekt ndaj masave izolues që u ndërmorën ne te gjithë zonat e prekura. Rama pa dyshim e kuptoj i pari se ishte më me efikasitet ta parandaloje përhapjen apo efektet e epidemisë nëpërmjet mbylljes për ruajtje se sa zbulimin kapilar te saj.

-Një debat i ditëve të fundit janë ndryshimet në Kodin Penal. Nuk janë pak të ashpra ndryshimet për dënim me burg. Ju si jurist si ju duken këto ndryshime?

Ndryshimet në Kodin Penal për ashpërsimin e masave apo dënimeve penale në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme i vlerësoj normale dhe në kohen e duhur, aq më tepër që bëhet fjale edhe për një harresë apo boshllëk të trajtimit të këtyre çështje dhe fenomeneve në Kodin Penal shqiptar, kur në vendet e tjera ky lloj legjislacioni ekziston dhe i ka të parashikuara dhe i trajton. Shpresoj që të mos këtë raste që do të sjellin nevojën e përdorimit të këtyre masave shtrënguese të renda për shkak të pasojave që sjellin subjektet e implikuar. Unë nuk besoj se këto masa shtrënguese penale, të cilat krijuan shqetësim tek opinioni i gjerë edhe nëpërmjet fushatës dizinformuese të opozitës do të këtë rast të provohen apo aplikohen tek shqiptarët.

 -Qeveria ka nisur lehtësimin e masave. Është zgjidhje e duhur apo mund të na kthehet në bumerang?

Lehtësimi i masave shtrënguese nga Qeveria në ditët në vijim është rrjedhojë, jo vetëm e rezultateve pozitive të arritura, por edhe e vijimësisë së zbatimit të paracaktuar të strategjisë në ofensivën kundër pandemisë së koronavirusit. Këto masa lehtësuese merren në kohën e duhur kanë qenë e do të jene graduale. Natyrisht edhe unë shpresoj dhe lutem që qytetarët shqiptarë të rritin ndërgjegjësimin dhe kujdesin që të mos kemi riciklim të epidemisë dhe të kenë ato efektin e bumerangut.

-Si e shihni faktin që PD dhe LSI po bëjnë politikë me situatën. Kritikat e tyre nuk ndalen nga dita në ditë?

Opozita, Partia Demokratike dhe aleatët e saj të grumbulluar tek “Boshti i të Keqes” vazhdojnë për turpin e botës të bëjnë politiken e kuisjes si çakejtë në dritën e hënës me gjoja “Kritikat” për paaftësinë e Qeverisë në menaxhimin e situatës epidemike sipas motos ku shprehej “ pakënaqësia” : se qeveria është jashtë loje, sepse  nuk ka shume të vdekur !!!. Turp me të madh nuk ka për këtë lloj opozite. Kjo është politika me të vdekur e opozitës që ka vdekur.

-Por personi që po përhap panik dhe nuk po kursen asgjë është ish-kryeministri Berisha. Si i shihni qëndrimet e tij?

Personi që në këtë situatë të rëndë që po kalon vendi, por që ai është më i gëzuar dhe përhap panik, por jo vetëm panik, por dhe terror psikologjik tek shqiptarët, quhet Sali Berisha. Ai duhet proceduar penalisht dhe të vihet përpara përgjegjësisë ligjit sa më parë. Por s’ka faj kur organet e ngarkuara me ligj e bëjnë sehir e nuk bëjnë detyrën ndaj kësaj kufome politike kobzezë. Sali Berisha nuk duhet të izolohet ne dhomat e shtëpisë ku banon, por tek dhomat e paraburgimit. Nuk ja vlen të merremi shumë me këtë çështje për ta shtjelluar.

-Ka një lloj qetësie mes kryeministrit dhe presidentit, pas përplasjeve dhe akuzave në fillim të marsit. A mendoi se koronavirusi po kthen normalitetin mes tyre, ndërkohë që afati i komisionit hetimor u shty sërish?

Kjo është pyetje “interesante” që ja vlen te komentohet. E ashtuquajtura “qetësi” në marrëdhëniet midis Kryeministrit dhe Presidentit, pas përplasjeve dhe akuzave reciproke prej një periudhe të gjatë midis tyre unë nuk e shoh si “normalitet” të anormalitetit institucional të dy institucioneve kryesore të shtetit, apo “zbutje” të Ramës me Metën. Nuk besoj as se kjo është marrëveshje apo rikthim tek marrëveshjet e dikurshme të të dyve. Rama mbetet në linjën e tij. Ai kërkon të drejtojë qeverisjen e tij, sipas objektivave, bindjes dhe filozofisë që ka në kokën e tij dhe që ja ka imponuar si drejtues edhe forcës politike që drejton. Pra, ka marrë mandatin për këtë qellim dhe do ta çojë deri në fund pa patur telashe apo gurrë nën rrota. Meta përballë kësaj linje dhe qëndrimi që në ndonjë rast ka patur edhe nevoje për më shumë konsultime dhe axhustimet, ka bërë dhe është shfaqur si kundërshtar i egër, bile më shume se opozita, në të shumtat e rasteve ka gabuar, pa sjell argumenta ligjore bindes, ku më të theksuarat kanë qenë  kundërvëniet dhe bllokimi ndaj reformës në drejtësi. Argumenti i “zbutjes” midis tyre ditët e fundit, pasi Meta firmosi dhe dekretoi ndryshimet në Kodin Penal, nuk është bindës, por as i vërtetë për t’i afruar te krerët e shtetit. Rama vazhdon e do të vazhdojë me këmbëngulje në rrugën e tij për të cilën ka edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, ndërsa Presidenti ka bere vetëm një tërheqje taktike, duke shfrytëzuar dekretimin e ligjit, kur në fakt ai ka synuar me kthimet e dhjetra ligjeve të tregohet si kundërshtari më konseguent i Kryeministrit. Pra, siç e thotë diku në një batutë Ndrek Luca: Kjo është lojë! Apo moment për të bërë një testim për t’u rikthyer në qëndrimet e kundërta . Megjithatë le të presim. Pse jo edhe duke shpresuar, sepse shpresa vdes e fundit, aq me tepër kur ju jep rrugë zhvillimeve normale të vendit.

Intervistoi: Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here