ILD publikon listen/ Afati per aplikantet per tu paraqitur prane institucionit

0
363

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, njoftoi ditën e djeshme fillimin e procedurës së përzgjedhjes të kandidatëve jomagjistratë që kanë shprehur interes për pozicionin e inspektorit, pranë kësaj zyre. Në njoftimin e ILD thuhet se, për vijimin e kryerjes së procedurave dhe veprimeve ligjore të përzgjedhjes, secili prej 30 kandidatëve jomagjistratë që kanë aplikuar ka detyrimin për t`u paraqitur pranë kësaj zyre jo më vonë se 10 ditë nga njoftimi i tij në mënyrë individuale. Kandidatët jomagjistratë konkurrojnë mes tyre për 6 pozicione si inspektor pranë ILD-së. Ata duhet të kenë përvojë pune mbi 15 vjet si juristë. Po aq pozicione janë edhe për kandidatët magjistratë, prokurorë dhe gjyqtarë. Ndërkohë, 5 vende vakante janë shpallur edhe për pozicionin ndihmës inspektor. Më 20 janar, bazuar në propozimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, KED zgjodhi si Inspektor të ILD-së me 93 vota pro, ish-avokatin e shtetit, Artur Metani. Nga posti i kryeinspektorit Artur Metani ka autoritetin të hetojë të gjitha shkeljet administrative në të gjithë infrastrukturën e re të sistemit të drejtësisë, përfshirë gjyqtarët, prokurorët dhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. “Me lehtësimin e kufizimeve, edhe institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, po riaktivizon proceset e punës së mbetura pezull, mes të tjerash, edhe rekrutimin e inspektorëve. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka publikuar në faqen zyrtare listën e kandidatëve, që kanë shprehur interes për 6 pozicionet si inspektor jo magjistrat pranë zyrës së ILD. Për të vijuar me kryerjen e procedurave dhe veprimeve ligjore të përzgjedhjes së kandidatëve, secili kandidat ka detyrimin për t`u paraqitur pranë Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga dita e njoftimit të tij në mënyrë individuale”, thuhet në njoftimin e ILD.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here