Artistët e qytetit të Korçës po punojnë, duke përcjellë vazhdimisht materiale artistike, si poezi, këngë, fragmente nga shfaqje teatrale dhe materiale humoristike. Artistët e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Korçë, ku përfshihet edhe teatri “Andon Zako Çajupi” po përcjellin për artdashësit materiale të ndryshme, ku po realizohen jo vetëm punë të reja, por dhe po shfaqen regjistrime nga shfaqjet, që janë dhënë më parë në skenën teatrore. Të gjithë artistët në kushtet e karantinës po punojnë nga shtëpitë, duke regjistruar materialet të cilat më pas postohen te faqja e teatrit. Zamira Kita, drejtore e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Korçë, ku përfshihet edhe teatri se shprehet se kjo është dhe një mënyrë për të komunikuar me publikun gjatë kësaj kohe. “Të gjithë artistët së bashku bashkë me teatrin punojnë gjatë këtyre ditëve në kushtet e karantinës, punë nga shtëpia. Ne kemi bërë një grup të përbashkët në whatsapp dhe komunikojmë me njëri -tjetrin. Ne kemi grumbulluar materiale nga filmimet tona, nga publiku, nga TVSH etj, pra të gjithë materialet që ne kemi do ti përdorim nga pak për të mbajtur pranë publikon tonë, artdashësit, që të mund të komunikojmë me ta”, tregon Kita, për punën që po bëhet gjatë këtyre ditëve. U nis me poezinë si fillim nga aktorja Zamira Kita për të vijuar më pas me materiale të tjera. Duke folur për punën që po bëhet këto ditë, drejtoresha Zamira Kita shton se çdo gjë është brenda punës së teatrit nga artistët e Korçës. “Të gjithë aktorët filluan që të përgatisnin poezi, monologë, fragmente, tregim dhe çfarë mendojnë ata, ku ne çdo ditë i hedhim në faqen tonë në Facebook. Unë së fundmi hodha një poezi timen, por që çdo gjë është brenda punës së teatrit, jo personale” shton më tej aktorja Zamira Kita, drejtoreshë e teatrit.
Artistët me materialet
Artistët kanë disa ditë që po vijojnë duke përcjellë për artdashësit materiale të ndryshme artistike. Emra të njohur të artit në Korçë, por dhe të rinj janë angazhuar me poezinë, këngët, humorin etj. Drejtoresha e teatrit në Korçë Zamira Kita thotë se është një bashkëpunim, ku të gjithë artistët janë të përfshirë. “Të gjithë përgatisin materiale. Lazarela është kryetare e trupës sonë, orkestra e harqeve me Kostika Taton me këngën “Moj korçare” angazhon të rinjtë e orkestrës dhe orkestron vetë. Adrian Jorgjin ne e kemi drejtues muzike në teatër, regjisori Guri Koço ka filluar të bëjë materiale me humor dhe ne kemi përfshirë të gjithë trupën dhe të gjithë të rinjtë, që ne i kemi në Akademi ose e kanë mbaruar siç është Aleks Prodani, Juxhin Plovishti, i cili recitoi poezitë e Skënder Rrusit. Kemi dhe të tjerë të rinj, si Silvio Guskova që është dhe një këngëtar i shkëlqyer, apo dhe Franc Brengu e Kristi Bacën që janë pjesë e trupës së Korçës me projektet që kemi vazhdimisht”, vijon aktorja dhe drejtoresha Zamira Kita. Jo vetëm për të rriturit, por artistët po mendojnë dhe për të argëtuar fëmijët gjatë kësaj kohe. Drejtoresha Zamira Kita tregon se për fëmijët publikohen materiale çdo të shtunë dhe të diel. “Një tjetër ide e jona është që ne të përgatisim materiale për fëmijë. Po nxjerrim fragmentet nga teatri i kukullave, që kemi bërë në Korçë, por dhe përralla e fabula që po i interpretojnë aktorët. Paola Kodra ka bërë një material dhe e kemi gati. Por për fëmijët ne kemi zgjedhur që të postojmë vetëm të shtunave dhe të dielave”, tregon drejtoresha Zamira Kita. Nga veprat ndër vite këto ditë teatri i Korçës në Facebook solli një pjesë nga komedia franceze “Darkë tek gjyshja”, me regji të Altin Bashës dhe asistencën artistike të regjisorit dhe aktorit Guri Koço, si dhe me interpretimin e aktorëve Salsano Rrapi dhe Zamira Kita.









































