Google search engine
Home Aktualitet Adrian Devolli: Për monumentet e kulturës kërkohet punë, sot institucionet më shumë...

Adrian Devolli: Për monumentet e kulturës kërkohet punë, sot institucionet më shumë fjalë

0
520

Trashëgimia kulturore në vend përballet me probleme të ndryshme, por herë pas here specialistët janë shprehur me kritika për institucionet. Ndër vite sipas tyre u pakësuan profesionistët e fushës, ndërsa problemet me ndërhyrjet në objekte nuk munguan. Në vendin tonë kemi dhe objekte të kultit që janë me jo pak probleme, pasi ndërhyrjet kanë munguar prej vitesh. Adrian Devolli, i cili ka punuar nga viti 1979 deri në 1988 në sektorin e restaurimit të afreskut dhe ikonave dikur në Institutin e Monumenteve të Kulturës sot me emrin Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore pohon se para ’90 ishin të shumë specialistët, që merreshin me monumentet në të gjithë vendin. Por me kalimin e viteve me mungesën e ndërhyrjeve sipas Devollit kemi dhe disa kisha që po bien ikonat. “Dikur IMK në të gjithë degët dhe në rrethe në mos gaboj ka pasur rreth 700 vetë që merreshin me objektet e kultit, kishat e xhamitë, banesën qytetare dhe fshatare, me urat, kalatë, etj. Sot ne i kemi tmerr në disa kisha afresket dhe ikonat, po bien” pohon ai. Për restauratorin Adrian Devolli, duke mos pasur specialistë vështirësitë në ndërhyrjet, që duhen për objektet nuk mungojnë. Për Devollin, një projekt për një monument kulture kërkon eksperiencën për trashëgiminë kulturore. “Instituti i Monumenteve të Kulturës është kthyer në një institucion de jure, sepse de facto nuk ka specialistë si dikur. Disa fshatarë deshën të vidhnin dhe afresukn te kisha e Shelcanit në Elbasan që u bë copa- copa, që do një procedurë që të mblidhen copat, ka një kolazh, të punohet dhe të vendoset sërish në vend. U bë kaq kohë, që nuk di asnjë ta vendosë, sepse nuk ka njerëz. Duke mos pasur specialistë institucionet e trashëgimisë nuk dinë të bëjnë as projektet si duhet. Që të bësh projektin e një afresku kërkohet një eksperiencë dhe një kulturë e jashtëzakonshme”, thotë piktori dhe restauratori Devolli. Në reagimin e tij Devolli shprehet se e rëndësishme është që të kalojë sa më shpejt kjo gjendje në vendin tonë, por me kalimin e saj duhet që institucionet të punojnë me më shumë specialistë të fushës për monumentet e kulturës. Restauratori dhe piktori Adrian Devolli kujton se para ’90 ishte një punë e madhe nga profesionistët për trashëgiminë kulturore, ku bëheshin analiza të ndryshme për objektin. “Në ato vite dridheshe, sepse do bëhej projekti. Dërgohej një ekip në objekt, ishte dhe fotografi, merreshin kampione të analizave për objektin. Pasi bëheshin këto analiza te Instituti i Gjeografisë bëhej radiografi të ikonave dhe të tjera. Pra bëheshin analiza, që ti të arrije një njohje diagonistikimi. Dhe kur arrije në këtë dilje para një komisioni, si në provim. Parashtrohej si është situata dhe nga kanë ardhur dëmtimet si kanë ardhur dhe çfarë masash duhen”, tregon Devolli duke shtuar se gjatë procesit të punës vinte komisioni, që kontrollonte.

Ruajtja e monumentit

 Përballë problemeve që janë me monumentet e kulturës, Adrian Devolli shprehet se të marrësh një punë në objekt duhet të dish se si bëhet. Si specialist i fushës Devolli thotë se me ligjet, që u bënë u shkatërrua dhe IMK. “Nuk është vetëm restaurimi, sepse ka dy faza, duhet të konservohet, të ruhet të mos bjerë monumenti. Por që të ruhet kërkon punë dhe nuk di ta bëjë çdo njeri, ka një procedurë të gjatë. Humbën specialistët ndër vite, sepse e shkatërruan atë Institut të Monumenteve të Kulturës, sepse deshën të ndryshonin ligjet. Punë me fjalë bëjnë sa të duash institucionet”, vijon Devolli. Për disa vjet pranë sektorit të restaurimit të afreskut dhe ikonave, specialisti Devolli shpreh keqardhjen që emra të njohur nuk janë më në institut. “Projekt do të thotë të marrësh një kishë, ti bësh projektin qoftë për konservim apo restaurim dhe nuk është shaka. Dikur ishte shef sektori Mustafa Arapi por u largua dhe kur erdh puna për të punuar me kishën në Libofsh e thirrën. Po këta njerëz që ai u largua, po këta thurnin lëvdata”, tregon Devolli. Jo vetëm puna që duhet për monument e kulturës kërkon vëmendje, por sipas specialistëve edhe fondet kanë qenë problem.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here