Komedia “Të marrët”, një vepër që flet i kohës pritet premierë në skenën teatrore

0
425

Komedia “Të marrët”, vepër e autorit të njohur amerikan Neil Simon pritet të vijë premierë, në skenën teatrore me regji nga Roland Minga. Puna ka nisur në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, ku në role janë aktorë të njohur të skenës teatrore në vend. I njohur me aktivitetin e tij në teatër, këtë herë zgjedhja e regjisorit Minga është kjo vepër e autorit Neil Simon, që edhe pse e shkruar që në 1981 sipas tij i flet kohës sot. Një punë që ka angazhuar aktorë të ndryshëm, ku nuk mungojnë dhe të ftuar nga teatri i Fierit. Kjo vepër pritet të jetë premierë në ditët e muajit mars. Regjisori Roland Minga shprehet se komedia “Të marrët” vjen për herë të parë për spektatorin. “Neil Simon është një nga dramaturgët më të mirë sot dhe më në zë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Autori ka marrë çmime “Tony” dhe një çmim “Oscar”, si skenarist. Në vepër është jeta provinciale, raporti midis mendjes së lirë dhe diktatit. Diktatit të mendimit, diktatit propagandistik. Ky është raporti, që njerëzit lirohen nga supersticioni dhe nga prangat e autoritarizmit vetëm kur janë të mbushur me dije dhe të vetëdijshëm për atë që janë ata në vetvete. Është fiks jo vetëm tek ne, por në gjithë botën ky sensi i autoritarizmit të pushteti është goxha i ndjeshëm këto kohë ”, pohon regjisori Roland Minga. Sipas tij është një material goxha i këndshëm, por problematika që trajton është e gjithkohëshme. ““Të marrët”, para së gjithash i flet kohës sonë, ndryshe nuk do ta nxirrja në skenë. Pavarësisht se ku është ambientuar ajo dhe në çfarë vitesh është ambientuar, sigurisht problematika e diktatit me mendimin e lirë është një problem i gjithkohshëm. Në kohë tonë para se gjithash ajo do të konsistojë dhe tek gjetja, tek propaganda, tek orientimi propagandistik, që na bën neve për të fiksuar idetë e dikujt”, pohon më tej regjisori Roland Minga. Në role janë aktorët: Artan Islami si mësuesi Leon Tolçinski, Margent Çaushi-bariu Stecki, Matilda Avduli – Jeninska lule-shitëse, Fatmir Xhelili (i ftuar nga teatri Bylis) doktori Zubrinski, Miola Sitaj (e ftuar nga teatri Bylis) -Lena Zubrinski, Eliona Thomaraj – Sofi Zubrinski, Ilirjan Ali – postieri Mishkin, Vladimir Abialial- gjykatësi, Astrit Mamaj – konti Gregor Jeniskeviç. Skenografia e kostumografia do të realizohen nga Drini Shehu dhe formulimi muzikor nga Artur Dhamo.

Komedia në skenë

Kjo komedi e shkruar më 1981 nga Neil Simon në Broadway, ku pati dhe thyerje rekordi për shikueshmëri , mbi 300 shfaqje rresht. Aktorja Eliona Thomaraj e njohur me aktivitetin e saj në teatër këtë herë vjen si Sofi në skenë. Ajo tregon se personazhi i saj kërkon të njohë botën, dhe ka jetuar mbyllur në shtëpi brenda një fshati. “Ajo ëndërron të fluturojë dhe të njohë botën edhe pse nuk e di se çfarë ka përtej fshatit të saj. Por intuita e zemrës njihte lirinë dhe pakufizimet e saj. Ajo me zemrën e dlirë bëri të dashurohej edhe pse ishte e mallkuar të mos e ndjente dashurinë. Ajo dashuroi se donte të dinte ç’ishte dashuria”, pohon aktorja. Komedia mbart një konflikt vërtet grotesk. Fshati Marrina ka një mallkim 200 vjeçar, ku banorët e tij lindin budallenj, pa dijeni e dashurisë dhe me frikë nga ai, që bën tokën të dridhet. Brez pas brezi i ndjek ky mallkim dhe banorët nuk mund të lëvizin prej fshatit, derisa të thyhet mallkimi, ku vajza e doktorit, Sofia duhet të martohet me kontin Gregor ose me njërin nga familja e tij që mbart këtë mbiemër. Mësuesi Leon, që vjen për të mësuar Sofinë bie në dashuri me shikim të parë, dhe sajon gjithfarë situatash me të marrët e fshatit vetëm e vetëm që të martohet me Sofinë. Komedia ngjan me një përrallëz sureale, ku çdo gjë është e mundur. Sofi dhe mësuesi martohen dhe mallkimi prishet. Banorëve të fshatit Marrin u kthehet inteligjenca dhe pas pak dekadash bëhet si çdo vend tjetër, ku lakmia i jep dorën pushtetit dhe anasjelltas.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here