Google search engine
Home Politike “Shqipëria duhet të armatoset me një ushtri të fortë”, Spartak Ngjela paralajmëron...

“Shqipëria duhet të armatoset me një ushtri të fortë”, Spartak Ngjela paralajmëron zhvillime të reja, zbulon se çfarë do të ndodhë së shpejti

0
406

Avokati i njohur Spartak Ngjela ka komentuar situatën politike në Ballkan. Sipas Ngjelës “Aleanca e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe skema amerikane për Shqipërinë, ka shqetësuar armiqtë shekullorë të Shqipërisë”.

Ai shprehet  se shenjën e parë do ta shohim në takimin e pritshëm Merkel – Vuçiç që do të mbahet për njohjen e Kosovës.

Spartak Ngjela shkruan:

“Aleanca e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe skema amerikane për Shqipërinë, ka shqetësuar armiqtë shekullorë të Shqipërisë: pushtues të territoreve shqiptare.
Por, gjithashtu, ka trembur edhe korrupsionin e lartë shtetëror në Tiranë.

l.
A do ta risistemojë politika amerikane demokracinë antikorrupsion në Shqipëri?
Ajo ndërkohë e ka risistemuar kushtetutshmërinë në Shqipëri; dhe shqiptarët po presin edhe risistemimin e demokracisë antikorrupsion.

A do ta rivendosë Amerika në favor të shqiptarëve ndalimin e frymës dyqind vjeçare antishqiptare?
Interesi amerikan dhe ai perëndimor po e kërkon, dhe Pavarësia e Kosovës flet pozitivisht në përgjigje të kësaj pyetjeje.
Pikërisht këtu është ngritur frika e Beogradit dhe Athinës, por edhe e korrupsionit të lartë shtetëror në Tiranë. Si rregull, Beogradi dhe Moska, në shekuj kanë punuar kundër Shqipërisë me korrupsionin e brendshëm shqiptar. Por, kjo luftë aktuale antikorrupsion në Shqipëri, po të shkojë deri në fund, do të ndryshojë në sens pizitiv vetë historinë e Shqipërsë.
Si do të ndryshojë historia e Shqipërisë në sensin historik?

ll.
Po të ndjekim historinë e marrëdhënies shqiptaro- amerikane, e gjejmë përgjigjen brenda.
Në këto çaste të kohës sonë politike, politika amerikane, duke evokuar presidentin Ëillson, po i kujton Beogradit dhe Athinës historinë dhe, njëherësh, edhe lidershipit të korruptuar shqiptar, të të dy krahëve, mbrojtjen e madhe historike amerikane të Shqipërisë në vitin 1919-1920.

Por, edhe Beogradi, edhe Athina, edhe Moska duhet të kujtohen se Presidenti Ëillson, jo vetëm mbrojti Shqipërinë territoriale në Konferencen e Parisit, por kërkoi rikthimin e teritoreve të pushtuara shqiptare.
E pra, pse po na e kujton politika e lartë amerikane, tani, pas njëqind vjetësh, këtë ndodhi historike? Sepse jemi sërish në të njejtën kohë. Duhet të kujtohemi: historia rikthehet në formë cikli.

Por, në raportet shqiptaro-amerikane ka edhe disa evente të tjera historike në mbështetje të shqiptarëve në lidhje me Kosovën.
Ishte kërkesa e prerë e presidentit amerikan Nikson për autonominë e gjerë të Kosovës në vitin 1974; dhe më pas, lufta e vitit 1999 për çlirimin e Kosovës me aktin e nadh të presidentit Klinton.
Por, ka qenë edhe ndërhyrja e prerë e presidentit Kenedi, në Vienë, në vitin 1961, kur i tha kryeministrit rus Nikita Hrushov: “Shqipëria nuk preket”.

Të gjitha këto evente historike në mbrojtje të shqiptarëve, tregojnë që mbijetesa e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor është edhe një vepër amerikane, fakt ky që aktualisht po kuptohet se Shtetet e Bashkuara e kanë pozicionuar drejt politikën perëndimore kundrejt historisë së Shqipërisë. Me përjashtim të Francës.

lll.
Tani historia është kthjelluar, dhe të gjitha kançeleritë e mëdha perëndimore e njohin shumë mirë historinë e padrejtësisë antishqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Gënjeshtrat e historiografisë serbe dhe greke, tani i bëjnë për të qeshur edhe katedrat e historisë së universiteteve të mëdha perëndimorë, por, njëherësh po kështu, edhe dy politikat e mëdha perëndimore: politikën amerikane dhe politikën gjermane.

Shenjën e parë do ta shohim në takimin e pritshëm Merkel – Vuçiç që do të mbahet për njohjen e Kosovës.
Gjermania kërkon të jetë prezente në Ballkanin Perëndimor, por edhe ajo ka qenë mbrojtëse e territoreve të Shqipërisë në vitin 1912-1913, në Londër, kur përcaktoheshin kufinjtë. Dhe dihet se, lufta për të fshirë kufinjtë e Shqipërisë vijoi deri në vitin 1920.
Sot që ka ndryshuar gjithçka në favor të Shqipërisë, shqiptarët kanë vetëm një armik tripolësh kërcënues: Moskën, Beogradin dhe korrupsionin e lartë shtetëror në Tiranë.

lV.
Hapi i parë në stabilizimin e dyshtetit shqiptar, Shqipëri- Kosovë, do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia.

Në këto momente do shohim edhe një konkurim pozitiv midis politikës amerikane dhe politikës gjermane: cila do të jetë më efikase për detyrimin e Serbisë që ajo të njohë Kosovën?
Në fakt, presioni duket se është i dyanshëm, por fuqinë më të madhe kuptohet se e ka politika amerikane.
Në lidhje me këtë, kancelarja gjermane ia ka bërë të qartë Serbisë pushtimin e territoreve shqiptare. “Sa më shumë ta vononi njohjen e Kosovës, aq më shumë i rrezikoni territoret e tjera të pushtuara prej jush” – kështu i ka folur politika gjermane presidentit serb. Kurse tani, jemi afër fundit: edhe qëndrimi gjerman do të jetë më i fortë. Gjithçka do të duket në këtë muaj.

Nuk ka interes amerikan në këtë zonë pa një aleancë bilaterale Uashington-Tiranë, por as ineresi shqiptar nuk mund të realizohet jashtë partnershipit me Shtetet e Bashkuara.
Kjo është përmbajtja politike e kësaj kohe në Ballkanin Perëndimor. Por, pikërisht këtu vjen dhe spikat edhe interesi gjerman, i cili e do domosdoshmërisht Shqipërinë në Bashkimin Europian. Këtë kërkesë e ka njëherësh edhe politika amerikane.

V.
“E duam Shqipërinë forcë ushtarake, dhe në Bashkimin Europian”; po thotë në këto çaste politikat amerikane, hapur.
“E duam Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian”; po thekson hapur politika gjermane me anë të kancelares Merkel.
Atëherë, konkluzioni është ky: Shqipëria duhet të armatoset me një ushtri të fortë moderne brenda NATO-s, në funksion të ekuilibrit global të politikës amerikane, dhe, si e tillë, ajo duhet të jetë me anëtarësi të plotë në Bashkimin Evropian, në funksionin të politikës gjermane, por edhe të politikës amerikane.

Kjo është arsyeja politike perëndimore e kohës sonë në lidhje me Shqipërinë, por, në këtë arenë, kjo politikë ka pengesë të madhe korrupsionin e lartë shtetëror në Shqipëri. Pengesë kjo, e cila nuk mund të shmanget dot me anë të opinionit publik shqiptar.
Pa eliminimin me mposhtje drastike të këtij korrupsioni, është e pamundur që të realizohet interesi perëndimor në Shqipëri.”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here