Google search engine
Home Politike Spartak Ngjela: Ja pse SHBA-BE nuk do të lejojnë zgjedhje të parakohshme,...

Spartak Ngjela: Ja pse SHBA-BE nuk do të lejojnë zgjedhje të parakohshme, ndryshimet do të ndodhin pasi të nisë lufta ndaj korrupsionit

0
291

Prej 14 janarit opozita joparlamentare dhe mazhoranca janë ulur në tryezën e dialogut sa i takon reformës zgjedhore, ndërkohë që Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Demokratike dhe aleatët e saj këmbëngulin se pas miratimit të kësaj reforme vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, si vendore ashtu edhe parlamentare. Por sa e arritshme është kërkesa e opozitës jashtëparlamentare? Për avokat Spartak Ngjelën një gjë e tillë nuk do të jetë e mundur, duke renditur një sërë arsyesh.

Gjatë një reagimi të dhënë Ngjela u shpreh se janë politikat ndërkombëtare, ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian që nuk do ta lejojnë që vendi të kalojë në zgjedhje të parakohshme, pasi sipas tij më parë duhet të filloj lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta shtetërore. Më tej në reagimin e tij, Ngjela shtoi se ndryshimet e rëndësishme në vend do të ndodhin pasi të nisë lufta ndaj korrupsionit. Avokati deklaroi se vendi do të përballet me zgjedhje vetëm në qershor të 2021, ku do të mbahen ato parlamentare sipas parashikimeve kushtetuese.

“Nuk ka asnjë shans që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme sepse në rast se nuk mbaron reforma në drejtësi dhe po nuk u vendos drejtësia nuk mund të ketë zgjedhje të tjera në Shqipëri. Pa gjykatë të lirë dhe me personalitet nuk mund të ketë zgjedhje të lira në një vend dhe kam përshtypjen që ndërkombëtarët nuk do ta lejojnë një gjë të tillë sepse ata e kanë marrë përsipër të zhvillojnë reformën në drejtësi, e cila po vijon. Shqipëria ka një korrupsion kryeministror gjigant. Janë minimumi 3 kryeministra që kanë drejtuar korrupsionin në vend. Politika ndërkombëtare dhe sidomos ajo gjermane është e vendosur që të ushtrojë autoritetin e saj në funksion të luftës ndaj korrupsionit. Në rast se kjo nuk fillon, shqiptarët nuk kanë më asnjë shpresë, janë të pushtuar nga korrupsioni i lartë shtetëror. Kjo është arsyeja pse zgjedhjet nuk mund të mbahen gjatë këtij viti, por në vitin 2021 që është edhe viti i caktuar për to”, tha Ngjela.

Ngjela: Ekziston një pakt i fshehtë Rama-Basha

Më tej, avokati Spartak Ngjela tha në reagimin e tij për gazetën se mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ekziston një pakt i fshehtë, duke shtuar se ky pakt ka për qëllim zvarritjen e reformës në drejtësi dhe jo nxjerrjen jashtë loje të ndonjë partie politike. Sipas tij, SHBA është në dijeni të manovrave të Ramës dhe Bashës për zvarritjen e reformës në drejtësi, por që nuk do t’i lejojë. “Unë mendoj se ka një pakt të fshehtë mes Ramës dhe Bashës sepse janë të trembur nga lufta antikorrupsion dhe reforma në drejtësi dhe po bëjnë të gjitha përpjekjet që ta sfumojnë këtë reformë ose ta zvarrisin. Pakti i tyre nuk ka forcë sepse pakti i heshtur nuk ka vlerë në politikë sepse nuk mund të jetë bllokues. Vetëm pakti i plotë dhe botërisht kundër diçkaje kundër politike është bllokues normal. Ndërsa këto pakte nuk janë bllokuese, por zvarritëse dhe politika amerikane e di këtë gjë”, tha avokat Spartak Ngjela në reagimin e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here