Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama duket se po gjejnë shtigje dialogu. Prej gati një viti marrëdhëniet e tyre janë tensionuar jashtë mase. PS ka nisur procedurat për shkarkimin tij, ndërsa Presidentit ka lëshuar sulme të shumta ndaj mazhorancës. Por dje janë dhënë sinjale të qarta se ujërat po qetësohen. Prej javësh Meta ka ulur dozën e sulmeve, ndërsa mazhoranca po e shtyn drejt kalendave greke procesin e shkarkimit. Mirëpo si për ironi, Rama dhe Meta dje kanë qenë në SHBA. Edhe pse me axhenda të ndryshme, sinjalet janë se palët po shkojnë te gjetja e konsensusit.
Kryeministri Rama ishte në një takim zyrtar me Sekretarin Amerikan të Shtetit Mike Pompeo. Me këtë të fundit u fol për shumë çështje, nga rreziku i Iranit, te Kina dhe reforma në drejtësi e ajo zgjedhore. Ndërsa Meta ndodhet në Mëngjesin e Lutjeve. Por pavarësisht kësaj, burime të gazetës thanë se nuk përjashtohet dhe mundësia e një takimi mes tyre. Në historinë e demokracisë, të gjitha takimet e rëndësishme janë bërë jashtë vendit. Fakti që si Rama edhe Meta kanë shkuar bashkë aty, ka ngritur mjaftë pikëpyetje. Nga ana tjetër në SHBA është dhe Monika Kryemadhi, e cila ka disa ditë. Pra çifti presidencial dhe kryeministri për disa ditë do të qëndrojnë në të njëjtin vend. Kulisat flasin se po shkohet drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, megjithatë mbetet të shihet.
Zgjedhjet dhe shkarkimi i Metës
Pasi Meta dekretoi shtyrjen e zgjedhjeve, nisi një luftë përplasjesh mes tij dhe kryeministrit Edi Rama. Vetë shefi i qeverisë urdhëroi të vetët që të nisin shkarkimin e tij. Ndonëse procedurat nisën që në korrik, ende sot nuk kemi një rezultat. Diçka duket se po ndodh. Fillimisht PS vendosi t’i drejtohej Komisionit të Venecias, i cili ktheu një raport me disa interpretime. Por kur u duk se do të mbyllej shkarkimi, u përdor një manovër tjetër. Pjesë e objektit u shtua dhe dekretimi i Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Edhe pse dihej që kishim më shumë një keqinterpretim sesa shkelje që përbën shkarkim, mazhoranca e shtoi si objekt të komisionit. Por pas kësaj u kërkua sërish ndihma e Venecias.
Të gjitha këto kanë shtuar dyshimet se PS po e zvarrit disi shkarkimin e presidentit. Nga ana tjetër, ditët fundit po diskutohet shumë për zgjedhje të parakohshme. Tryeza e reformës zgjedhore flitet se do të sjellë zgjedhje dhe asnjë prej palëve nuk është e sigurt se si do të dalë. PD nuk është e bindur të shkojë drejt koalicionit me LSI. Ndërkohë PS është në luftë me këtë parti. Pra presidentit e Kryemadhi duket se janë përballë PD e PS. LSI sërish mund të jetë partia që vendos qeverinë dhe si duket kanë filluar tratativat. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë, por vizita në Uashington e Metës dhe e Ramës flitet se do të prodhojë tym të bardhë.
Zbutja e toneve të Metës
Presidenti për muaj me radhë lëshoi valë akuzash e sulmesh ndaj kryeministrit. Madje në shumë raste u tejkalua etika presidenciale. Por javët e fundit duket se nuk ka asnjë përplasje. Në çdo dalje mediatike apo në takime Meta ka folur për përgjegjësinë e të gjithëve. Në një aktivitet të pak ditëve më parë, ai deklaroi se shpopullimi duhet t’i bëjë të gjithë bashkë. Më herët akuzonte drejtpërdrejt Ramën si përgjegjës, por këtë herë tha se është përgjegjësi e të gjithëve. Po ashtu ka kërkuar që të dialogohet, ndërsa ka frenuar dhe sulmet ndaj reformës. Të gjitha këto tregojnë se palët janë qetësuar.









































