Publikohet historia e panjohur të ngjarjeve të ndodhura 30 vite më parë në qytetin e Shkodrës, ku më 14 janar 1990 u organizua një demonstratë proteste që synonte heqjen e bustit të Stalinit nga lulishtja në qëndër të qytetit. Dëshmia e rrallë e dy prej organizatorëve dhe protagonistëve kryesorë të asaj ngjarje, Gjergj Livadhi dhe Viktor Martini, të cilët në mesnatën duke u gdhirë 14 janari ’90-të, u arrestuan nga Sigurimi i Shtetit me mbështetjen e Forcave Speciale që kishin ardhur nga Tirana dhe u dërguan në Degën e Punëve të Brendëshme të qytetit të Shkodrës, ku ndaj tyre u përdorën tortura çnjerzore fizike dhe psikollogjike nga vetë drejtuesit kryesorë të saj, duke i vënë revolen në kokë Viktor Martinit, apo duke i çpuar trupin me gjilpëra, për ta parë nëse ai jetonte ende, apo kishte ndërruar jetë nga torturat që ishin ushtruar ndaj tij…?!
Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm, nëpërmjet intervistës ekskluzive të 68-vjeçarit Gjergj Livadhi nga qyteti i Shkodrës, u njohëm me fillimin e ngjarjes së 14 janarit të vitit 1990, ku me mijra banorë të atij qyteti verior të Shqipërisë të cilin regjimi komunist e konsideronte si “çeredhe të reaksionit”, dolën në një demostratë të heshtur në shenjë proteste kundër mbajtjes së bustit të Stalinit në një prej shesheve kryesore të qytetit të tyre. Sipas dëshmisë së Gjergj Livadhit, i cili ka qenë një prej organizatorëve dhe protagonistëve kryesorë të asaj demostrate, njeriu i parë që hodhi idenë për rrëzimin e bustit të Stalinit, ishte shoku dhe miku i tij i ngushtë, Dedë Kasneci, i cili që në pasditen e 10 janarit të vitit 1990-të, bisedoi gjatë për atë problem me shkodranin tjetër, Rin Monajka. Të nesërmen e asaj dite, Rin Monajka shkoi në lagjen Serreq ku banonte Gjergj Livadhi dhe pasi i tregoi atij për bisedën që kishte bërë me Dedën një natë më parë, i kërkoi që të mblidhte sa më shumë njerëz e t’i nxirrte në lulishten ku ndodhej busti i Stalinit, ku do të mbahej një demostratë e heshtur në shenjë proteste për heqjen e atij busti. Rin Monajka e siguroi Gjergjin se demostrata do të bëhej patjetër, pasi atë gjë e kishin dhënë në edicionet e lajmeve edhe disa stacione televizive italiane. Pas kësaj, Gjergji shkoi në lagjen e tij ku për më pak se një gjysëm ore, mblodhi rreth 100 persona dhe bashkë me ta doli në qëndër të qytetit ku ndodheshin fare pak njerëz.
Mospjesmarrja e banorëve të Shkodrës atë paradite në sheshin ku mendohej të zhvillohej demostrata, lidhej me faktin se ajo gjë kishte rënë në veshin e Sigurimit të Shtetit dhe me urdhër nga “lart”, data 11 janar ishte shpallur ditë pushimi. Po atë paradite të 11 janarit, ndërsa Gjergj Livadhi u takua me Dedë Kasnecin dhe Flamur Elbasanin në qendër të qytetit, shoku i tyre, Rin Monajka, diku në një nga rrugët e piacës, ishte takuar me ambasadorin gjerman që kishte ardhur aty nga Tirana dhe kishte zhvilluar me të një bisedë dy-tre minutëshe lidhur me demostratën që pritej të mbahej. Diplomati gjerman i kishte thënë Monajkës: “Hë, ç’ prisni akoma”. Ndërsa eksponentët kryesorë që po merreshin me organizimin e demonstratës që pritej të mbahej më 14 janar në sheshin kryesor të qytetit ku në një lulishte ndodhej busti i Stalinit, në mbrëmjen e 13 janarit Forcat Speciale që kishin ardhur nga Tirana nën drejtimin e kreut të Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizit, dhe mbështetjen Degës së Brendëshme të qytetit të Shkodrës, ndërrmorën arrestimet e para dhe një prej tyre ishte vetë Gjergj Livadhi, të cilin e çuan në Degë ku filloi ta marrë në pyertje vetë Zylyftar Ramizi. Po ç’ndodhi më pas me Gjergj Livadhin dhe si u zhvilluan ngjarjet të nesërmen, më 14 janar 1990-të?! Lidhur me këtë na njeh dëshmia e z. Gjergj Livadhi në këtë pjesë të dytë të intervistës së tij, ekskluzivisht për Memorie.al dhe bashkë me këtë intervistë po publikojmë edhe dëshminë e Viktor Martinit, njërit prej organizatorëve kryesorë të demonstratës së 14 janarit 1990-të që synonte për heqjen e bustit të Stalinit nga lulishtja në sheshin qëndror të qytetit, i cili rrëfen për ekskluzivisht Memorie.al, torturat çnjerzore që iu bënë atij në Degën e Punëve të Brendëshme të qytetit të Shkodrës.
…vijon nga numri i kaluar
Zoti Livadhi, si u zhvilluan ngjarjet më 14 janar, kur ju kishit planifikuar demonstratën?
Unë nuk kam qenë atë ditë ne shesh, pasi siç ju thashë u arrestova nga Sigurimi i Shtetit që në orët e para duke u gdhirë 14 janari. Por se çfarë nodhi atë e kam mësuar më pas nga shokët, kur ishim të arrestuar dhe mbaheshim në qelitë e degës së Brendëshme.
Po përveç jush, kush u arrestua tjetër nga organizatorët kryesorë të asaj demonstrate që pritej të mbahej?
Bashkë me mua u arrestuan edhe Dedë Kasneci me Flamur Elbasanin. Këto ndodhën pasi në datën 13, së bashku me disa shokë, ne shpërndamë në lagjen “Parrucë” disa fletushka me përmbajtje antikomuniste.
Po të nesërmen më 14 janar, ç’ndodhi, si u zhvilluan ngjarjet?
Në paraditen e 14 janarit me mijëra banorë të Shkodrës dolën në shesh, ku forca të shumta të Sigurimit të Shtetit dhe ato speciale të ardhura nga Tirana e kishin rrethuar bustin e Stalinit, duke bërë një gardh me trupat e tyre. Po kështu, në çdo pikë dhe lartësi të qytetit ishin vënë snajpera dhe makinat e policisë lëviznin pa pushim nëpër rrugë. Shkëndijën e parë e dha Ndoc Liqejza, i cili i bëri thirrje të hapur popullit, duke folur me zë të lartë, që të afroheshin dhe të rrëzonin bustin e Stalinit.
Ç’ndodhi pas fjalës së tij?
Pas fjalëve të tij, u bë një zhurmë që, si të thuash, ishte aprovim dhe, në mos gaboj, Ylli Gërshana, qëlloi me një hekur një makinë të policies, duke i thyer një xham.
Çfarë ndodhi pas kësaj, a reagoi Policia e Sigurimi?
Policia e arrestoi menjëherë atë person, duke e futur në makinat e tyre dhe turma lëvizi duke reaguar ndaj arrestimit të tij. Në ato momente njerëzit e Sigurimit dhe policia filluan të hapnin panik, duke thënë se ishin arrestuar 300 persona.
Pas kësaj, a u larguan njerëzit…?
Aspak, populli i Shkodrës qëndroi aty në shesh, pa lëvizur fare, deri në orën 13.00 dhe ai ishte shumë i egërsuar e gati për të shpërthyer. Pasi u shpërnda demonstrata, njerëzit e Sigurimit të shtetit dhe Policia filluan arrestimet në masë.
Sa persona u arrestuan?
Arrestimet vazhduan për dhjetë ditë, dhe thuhet se numri i tyre shkoi në rreth 300 veta. Organizatorët kryesorë u izoluan në Degën e Shkodrës, ndërsa të tjerët i nisnin në Tiranë apo qytete të tjera.
Kur u zhvillua gjyqi ndaj jush?
Gjyqi ndaj nesh filloi më 21 maj 1990 dhe ai zgjati 5 ditë. Kryetari i Gjyqit, Sh. M., që më pas u bë ministër i Drejtësisë, për ne organizatorët kryesorë dha dënime deri në 12 vjet burg. Të gjithë ne thamë se ishim të pafajshëm, vetëm Kolec Kublina pranoi se kishte dashur të mbante fjalimin për rrëzimin e bustit të Stalinit. Pas mbarimit të gjyqit, mua dhe Dedë Kasnecin na dërguan në burgun e Sarandës, ku u liruam me të fundit të dënuar politikë, më 31 mars 1991.
Dëshmia e Viktor Martinit, që u izolua nga Sigurimi në Psiqiatrinë e Elbasanit: “Si më torturuan në Degën e Shkodrës, para Çapajev Taçit”
Kush është Viktor Martini?
Viktor Martini u lind në vitin 1940-të në qytetin e Korçës, ndërsa origjina e familjes së tij është nga malësia e Hotit, pjesa e trojeve shqiptare që sot ndodhen nën juridiksionin e Malit të Zi. Babai i Viktorit, Gjush Martini, gjatë viteve të Monarkisë së Zogut shërbeu si ushtarak i Mbretërisë në disa rrethe të vëndit, si në Shkodër, Tiranë, Elbasan, Korçë etj., ku lindën dhe gjashtë fëmijët e tij: dy vajzat dhe katër djemtë, Paskualini, Angjelini, Viktori dhe Rudolfi.
Me ardhjen e komunistëve në pushtet në vitin 1944, për familjen Martini do të fillonte një kalvar i gjatë vuajtjesh e mundimesh, me burgje, internime dhe punë të rënda. Kështu që në vitin 1946, babai i Viktorit, u arrestua dhe u dënua me dhjetë vite burg, për të vetmin faj, se kishte shërbyer si oficer i Monarkisë së Zogut. Ai nuk doli më i gjallë, pasi vdiq në vitin 1954 gjatë kohës që vuante dënimin në burgun e tmerrshëm të Burrelit.
Për t’i shpëtuar përndjekjeve të regjimit komunist, vetëm pak kohë pas arrestimit dhe dënimit të tij, djali i madh i familjes, Paskualini, me motrën e vogël, u arratisën nga Shqipëria dhe përfunduan në republikat e ish-Jugosllavisë. Pak kohë më vonë u arratis nga Shqipëria edhe djali i dytë, Angjelini, ndërsa dy djemtë e tjerë që mbetën në Shqipëri, Viktori me Rudolfin, përkatësisht 15 dhe 13 vjeç, përfunduan burgjeve si të dënuar politik. Po kështu në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës përfunduan edhe Paskuali me Angjelinin, që ndodheshin jashtë Shqipërisë. Paskuali u kthye nga Sigurimi i Shtetit, pasi ishte kapur në telat e klonit me rrymë elektrike në kufirin çekosllovak, ndërsa Angjelini erdhi vetë për të shpëtuar nga pushkatimi vëllanë e tij.
Ndërsa katër djemtë e familjes Martini, Paçi, Lini, Viktori dhe Leri (Rudolfi) dergjeshin burgjeve të regjimit komunist, në shtëpi kishte mbetur vetëm nëna e tyre, një grua heroike e cila punonte në punët më të rënda për të fituar bukën e gojës, e për t’ua çuar fëmijëve të saj që ishin shpërndarë në kampe e burgje. Pas daljes nga burgu i Burrelit ku vuajti për më shumë se shtatë vite, Viktori dhe vëllezërit e tjerë që u liruan disa vjet pas tij, punuan në punët më të rënda të krahut, edhe pse Viktori ishte me një këmbë dhe Lini me një dorë. Në janarin e vitit 1990-të kur në qytetin e Shkodrës u zhvillua demostrata masive për heqjen e bustit të Stalinit, Viktor Martini mori pjesë aktive duke qenë një ndër organizatorët kryesorë të saj.
Ai u arrestua dhe u torturua në mënyrën më barbare nga Sigurimi i Shtetit, duke përfunduar në spitalin e burgut të Tiranës dhe atë Psiqiatrik të Elbasanit.
Me fillimin e proçeseve demokratike në fillimin e viteve ’90-të, Viktori u angazhua tërësisht duke qenë një nga themeluesit e Shoqatës Kombëtare të Përndjekurve Politikë për degën e Shkodrës dhe gjithashtu i gazetës “Pishtari”.
Në vitin 1994 Viktori u largua nga Shqipëria për në SHBA-ës, ku banon dhe aktualisht së bashku me familjen e tij dhe vëllezërit e tjerë. Me rastin e 30 vjetorit të asaj ngjarje, z. Martini i kemi marrë një intervistë të gjatë ekskluzive për Memorie.al, nga e cila kemi shkëputur pjesën që po botojmë më poshtë në këtë shkrim.
Dëshmia e Viktor Martinit
“Ndërsa po bisedoja me Dedë Kasnecin në shtëpinë time, sesi do organizonim demonstratën për heqjen e bustit të Stalinit, zilja e derës na ndërpreu muhabetin. Dola te porta e dallova një person të njohur, që punonte në Degën e Brendshme, i cili tha: ‘Viktor Martinin desha’.
Ndërsa u thashë: ‘Unë jam, po vij sa të vesh xhaketën’, ata më kapën menjëherë prej krahësh dhe më çuan në fundin e rrugës, ku priste mikrobusi, me të cilin me çuan drejt e në zyrën e kryetarit në Degën e Brendshme.
Kur më futën aty, kryetari Naim Lezha më tha: “Në emër të popullit, je i arrestuar”, dhe njëri nga vartësit e tij me të shpejt nxori nga xhepi hekurat e, duke i shtrënguar, më shikonte sikur donte të më përpinte të gjallë.
Fytyra e tij përngjiste me një bishë të uritur.
“Kam bindjen se do të jetë ndonjë keqkuptim e nuk keni arsye të më mbani këtu”, u thashë unë.
“Ta tregojmë ne arsyen”, më tha ai dhe me një shkelm më goditi me sa fuqi kishte këmbën e majtë. Pastaj nga brezi nxori një shkop gome dhe, duke më kërcënuar më tha: “Do të tregosh se çfarë do të bëni nesër ose qumështin e nënës do të të nxjerr”.
“Nuk po ju kuptoj se për çfarë e keni fjalën”, i thashë unë, duke u munduar të mbrohem.
Ndërsa nuk e kisha mbaruar ende fjalën, shkopi i tij i gomës u përplas mbi kurrizin tim, që mbrohej vetëm nga një bluzë e hollë. Pastaj më ulën në një karrige me duar mbrapa dhe ashtu të lidhur me godisnin pa pikë mëshire. Shkopi ngrihej e shkapetej papushim mbi shpatullat e gjoksin tim dhe ai më thoshte: “Hë, do të tregosh apo jo?”.
Pas rreth ndonjë ore torturë, trupi im kishte marrë ngjyrë mavi. Një tjetër i panjohur hyri brenda, u afrua dhe, mbasi më çoi fanellën e kanotierën, dallova ngjyrën mavi të trupit.
“Paske vendosur të vdesësh si hero ëëë?”, qeshi me ironi dhe pastaj shtoi, “Vazhdo, vazhdo…” e doli përsëri nga dera. Me të doli edhe nënkryetari. Pas largimit të tyre, unë mbeta vetëm me atë person të panjohur për mua si shkodran, i cili më detyroi të ngrihesha në këmbë duke më goditur pa mëshirë mbi vithe.
Trupi filloi të më dridhej, por sa vinte dhe nuk i ndieja më dhimbjet si në fillim. Oficerët e Degës filluan të vinin me radhë, për të bërë sehir, dhe njëri prej tyre më tha: “Pse e merr veten në qafë, të gjithë shokët kanë treguar, veç ti jo”?!
Unë iu përgjigja se nuk dija gjë fare për atë punë, por ata vazhduan të më pyesnin se përse e kisha marrë në motorr Dedë Kasnecin.
Ndërkohë që unë u thashë: “Çfarë ka bërë Deda, mos ka vrarë njeri?”, njëri prej sampistëve filloi të më godiste pa mëshirë. Pastaj ai futi duart mbi supet e mi, afër qafës, dhe me thonj filloi të më shkulte mishin.
Më kërcënuan se do të më çonin në morsën e hekurt. Vetë Çapajev Taçi hyri si i tërbuar dhe, duke më vënë revolen në kokë, më tha: “Do t’ju pushkatojmë, nuk e lëshojmë pushtetin në dorë të armiqve”, dhe duke dalë nga dera shtoi: “Kërbaç!”.
Sampisti më goditi me shkop mbas koke. M’u morën mendtë, shikimi më humbi, por nuk rashë. Si nëpër mjegull, dëgjoja thirrjet e sampistit. “Fol, fol”. Më pas më kapën prej krahësh dhe më ulën në karrige. Vendosa të rri si në kllapi, për të pushuar pak e nëpërmjet qerpikëve paksa të hapur mundohesha të shikoja se çfarë ndodhte në dhomë. Naim Lezha u çua nga tavolina, duke marrë një gjilpërë dhe filloi të më ç’pojë trupin, për të parë se mos shtiresha. Nuk e pata të vështirë ta përballoj, se trupi nuk ndiente më dhimbje, ishte enjtur pa masë. Pas më hodhën një kovë ujë në fytyrë, fillova ta marr veten, por shpejt fillova të vjellët.
Më sollën një kovë, më zgjidhën duart e nuk më trazuan më. Dridhesha i tëri dhe shikoja në dysheme ku kishte njolla gjaku. Edhe nga këmba ime vura re se rridhte gjak. Nga ora dhjetë paradite kishim mbetur në dhomë vetëm unë e nënkryetari, i cili herë pas here shikonte orën. Aty rreth orës dymbëdhjetë të darkes, u dëgjua një e buçitur dhe zhurma makinash që dëgjoheshin herë pas here. Dëgjohej zhurmë nëpër korridore. Në orën një e gjysmë më dorëzuan në Hetuesi dhe më përplasën në qeli. E kisha më të lehtë të rrija në këmbë sesa të shtrihesha në dysheme, nga dhimbjet e trupit. Nga ora dhjetë e darkës më çuan në dhomën e hetuesit. Trupi kishte marrë të dridhura dhe dhëmbët më kërcisnin, ca nga dhimbjet e ca nga të ftohtit e janarit. Hetuesi më tha të ulesha në karrike. Pastaj mori disa letra, ndezi zjarrin në stufë dhe filloi të më pyeste se me kë isha takuar ditët e fundit. Unë i numërova disa njerëz, që nuk kishin të bënin me çështjen e demonstratës dhe kur më pyeti për Ded Kasnecin unë i thashë po atë përgjigje që u kisha dhënë edhe të tjerëve. Pas pesë ditësh më nxorrën nga qelia dhe më futën në një ambulancë. Duart m’i shtrënguan tmerrsisht. Pas pak aty sollën Ndoc Liqejzën, Gjovalin Rolben, Pjerin Velin, Paulin Shtjefnin, Gjovalin Zefin.
Dy policë hynë me ne në makinë dhe pas tri orësh e pamë veten në Spitalin e Burgut në Tiranë. Aty na mbajtën për 17 ditë dhe më pas na çuan në Spitalin Psiqiatrik të Elbasanit. Sapo më futën aty, tre sambistë më kapën prej këmbësh e krahësh e më përplasën në vendin ku vizitoheshin të sëmurët, me gjoks poshtë. Njëri prej tyre urdhëroi infermierin: “Shpejt bëji gjilpërën” dhe ai zbatoi urdhrin. Krijova bindjen se kjo gjilpërë ishte vdekjeprurëse. M’u duk e qartë se po na vrisnin pa gjyq dhe do të na groposnin pa shenjë. Gjuha filloi të më trashej e nuk isha në gjendje të komandoja më gjymtyrët. Më kapën prej krahësh dhe më përplasën mbi një krevat në qoshe të një dhome të madhe. Kisha etje, thërrisja me sa fuqi kisha të më sillnin ujë, por askush nuk përgjigjej.
Drejtori i spitalit, nëpërmjet doktor Bashkimit, na kishte lajmëruar se në fund të marsit do të na lironin prej këtij izolimi. Fjala ishte për një urdhër të Ministrisë së Brendshme. Institucioni i psikiatrisë edhe kësaj here, si në shumë raste të tjera, ishte i varur nga Ministria e Brendshme. Ndërkohë kisha lajmëruar Lizën të më sillte rrobat. Në datën 30 mars, Liza e nipi i saj erdhën nga Tirana me shpresë se do të ktheheshim të gjithë bashkë. Por jo. Kur Liza e Mondi ishin paraqitur tek Dr. Bashkimi, shefi i pavionit u kishte thënë se urdhëri qe anulluar direkt nga ministri i Brendshëm. O Zot! Tmerri dhe lotët e Lizës tronditën spitalin dhe tërë ambjentin përreth. Tashmë i kishim humbur shpresat se do të më linin të dilja i gjallë nga ky vend, ku jetonin krijesat e fatkeqësisë…
Në mëngjes të datës 1 prill, rreth orës nëntë paradite, doktor Bashkimi na thirri në dhomën e tij dhe na tha se ishim të lirë e mund të iknim në shtëpitë tona. U gëzova ma masë…Pasi u veshëm me rrobat tona, morëm rrugën për në qendër. Shkova në postë dhe lajmërova të më prisnin në darkë te treni….
Te treni në Shkodër më priti Mondi, nipi i Lizës. Megjithëse në diferencë moshe me Mondin, ai u gëzua pa masë nga kthimi im i papritur.
Lerit ende nuk i ishin shëruar plagët e torturave të natës së 13 janarit, në të cilat kishte marrë pjesë vet ministri i Brendshëm…
Por qyteti kishte marrë pamje të trishtuar, njerëzit mblidheshin herët në shtëpi. Jashtë nëpër rrugët e Shkodrës kishte rënë një heshtje si në shkretëtirë. Vetëm këpucët ushtarake dëgjoheshin natën nëpër trotuare e rrugica…/Memorie.al