Filmi “Njerka” me dy seri pritet këtë muaj të parë të vitit premierë për publikun. Me skenar dhe regji nga Leka Bungo, filmi i vendos ngjarjet e tij në ditët e sotme. I njohur dhe i vlerësuar për krijimtarinë e tij ndër vite, regjisori Leka Bungo vjen këtë muaj të parë të viti me një tjetër projekt në fushën e kinemasë. Ai tregon se ky është një bashkëpunim me RTSH, projekt që është në vijim dhe të tjerëve, që janë realizuar më parë. Skenarist dhe regjisor Leka Bungo tregon se “Njerka” me dy seri është një film dramë. “Ngjarjet zhvillohen në ditët tona. Kryesisht janë të zhvilluara në Tiranë dhe vërtiten rreth një konflikti që është pothuaj familjar, por që gjatë zhvillimit dhe rrjedhës së ngjarjeve në film, ato i kapërcejnë muret e vilës ku banojnë, dhe rrekin të tentojnë probleme që janë të gjithë shoqërisë shqiptare. Në personazhin kryesor të filmit, që është prokurori, një nga personazhet me emër, por që është një personazh i korruptuar, ku ka episode kur ai shfaqet si i tillë. Filmi është një dramë e kohëve të sotme”, tregon regjisori Leka Bungo “Mjeshtër i madh”. Premiera e filmit do të shfaqjet në vijim këtë muaj në një kinema të re, që do të përurohet së shpejti, ndërsa premierë publiku do ta shikojë edhe në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar. Regjisori Bungo tregon se skenari është shkruar vitin e kaluar, por ka qenë një gjetje e hershme. “Në blloqet e shënimeve të mia ishte një gjetje, një subjekt. U ngjiz pas saj dhe erdhi dhe në mendjen time, u poq si mendim, si ide, u pasurua si subjekt dhe me problemet, që janë akute të shoqërisë shqiptare sot. Kur u binda, që është një temë që ia vlen, thotë diçka dhe jep një mesazh për publikun sidomos edhe për probleme të nxehta, që janë të korrupsionit, probleme të marrëdhënieve në familje, të marrëdhënieve shoqërore atëherë shkrova skenarin”, shprehet Bungo. Në rolet kryesore interpretojnë aktorët Bujar Asqeriu, Arjola Demiri dhe Gjergji Mena. Drejtor i fotografisë është Gavrosh Haxhihyseni, operator Andi Haxhihyseni, mjeshtër i zërit Kristaq Kristo dhe formulues muzikor Robert Radoja.
Puna me projektin e filmit
Xhirimet e filmit “Njerka” janë bërë gjatë muajit shtator. Regjisori Leka Bungo tregon se kanë vazhduar për rreth një muaj, dhe rol kryesor ka Bujar Asqeriu. “Filmi “Njerka” është i ndarë në dy seri. Në pjesën më të madhe xhirimet kanë qenë në një vilë, që mund të quhet luksoze për shqiptarët dhe aty banon protagonisti i filmit, që është prokuror, që luhet nga aktori Bujar Asqeriu”, pohon ai. Për të realizuar këtë projekt kinematografik, regjisori Leka Bungo ka bashkëpunuar edhe me të tjerë emra të njohur, që sipas tij janë mjeshtra. “Me RTSH unë jam një bashkëpunëtor i lashtë, sepse kam me dhjetëra vite që bashkëpunoj me ata, kam bërë filma artistikë, koncerte dhe variete. Kam qenë një nga autorët e koncertit të Viti të Ri për 15 vjet me radhë dhe kam qenë gjithmonë i mirëpritur, i mbështetur nga RTSH. Ata e mirëpritën, gjykuan, miratuan dhe më pas unë u përgatita për të filluar xhirimet e filmit me dy seri. Angazhova operatorin e mirënjohur Gavrosh Haxhihyseni në rolin e drejtorit të fotografisë dhe Andi Haxhihyseni në rolin e operatorit. Më pas angazhova operatorin e zërit nga më të mirët, që është Kiço Kristo. Për formulimin muzikor bashkëpunova me mjeshtrin Robert Radoja, që ndihmoi shumë”, pohon regjisori Leka Bungo. Aktor kryesor në film është Bujar Asqeriu dhe sipas regjisorit Bungo, me këtë film ai ka shpalosur një anë krejt të veçantë të mjeshtërisë së aktorit. “Roli është një rol dramatik, një rol me peshë dhe është një rol i vështirë dhe një aktor me eksperiencë dhe me mjeshtëri e interpretim si Bujari, unë mendoj se e ka arritur. Arjola Demiri vjen në rolin e femrës, që është ndërmjet babait që është personazhi i Asqeriut dhe të djalit që është një aktor i ri, Gjergji Mena. Por veç këtyre ka dhe aktorë që janë në role episodike, si Vangjel Toçe”, tregon regjisori Bungo. Ndër vite, përveç punës si regjisor dhe aktor Leka Bungo ka shkruar dhe drama dhe disa skenarë filmash.
Nga Julia Vrapi