ISSH zbardh procedurat, ja si duhet të aplikojnë të moshuarit për të dalë në pension, eliminohen burokracitë për vitet e punës

0
271

Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado ka zbardhur procesin se si duhet të veprojnë pensionistët, pas vendimit të qeverisë për të mbyllur sportelet. Duke folur për procesin e dixhitalizimit, Hado u shpreh se të gjithë qytetarët do të kenë mundësi për të marrë të gjitha shërbimet online përmes aplikacionit e-Albania. Por më të “veçuar” nga shërbimet online janë pensionistët, të cilët kanë vështirësi në përdorimin e teknologjisë, problem për të cilin qeveria ka vënë në dispozicion zyrat e ISSH për një asistencë më të shpejtë.

Kreu i ISSH foli edhe për aplikimin e atyre personave që dalin në pension. Gjatë një interviste televizive, ai tha se vetëm ata individë që kanë punuar para viteve 1990 duhet të paraqiten vetëm me një kartë identiteti dhe librezën e punës, për të bërë njëjësimin e viteve të punës. Sipas Hados, përmes kësaj procedure qytetarëve u është reduktuar shumë puna.

“Nëse pensionistin X ne nuk e gjejmë të punësuar diku ndërkohë që ai ka një librezë do të thotë se ai ka qenë diku. Ky problem është për ata para viteve ‘90 pasi pas viteve ‘94 kanë qenë me anë të pagës dhe nuk kemi probleme. Kur ne të bëjmë verifikim në arkiva ka mungesa të list-pagesave. Ne i kemi njoftuar për këtë dhe i kemi thënë që kopjet e tyre t’i çojnë pikërisht tek Tatimet dhe më pas të dalin ose jo debitorë. ISSH më pas i fut në arkivë. Jo të gjithë janë përgjigjur se disa kompani nuk ekzistojnë më. Nuk mund të them që na është shtuar puna më shumë, por qytetarëve u është reduktuar puna se u nevojitet vetëm karta ID dhe libreza e punës. Koha që ne harxhojmë nuk është baras me atë të qytetarëve. Ne kemi me autostradë komunikimin, do të thotë që bashkëpunojmë me institucionet dhe nuk është problem”, tha Hado.

Apeli për pensionistët

Kreu i ISSH Astrit Hado shtoi më tej se shërbimet online për pensionistët është një gjë shumë e mirë pasi “zerohen” dokumentet dhe ata nuk do i duhet më të presin në radhë. Hado tha se moshat e treta mund të kërkojnë një asistencë nga fëmijët ose nipërit dhe mbesat, duke shtuar se janë të mirëpritur edhe pranë ISSH për t’i ndihmuar.

“Mos e shohin si gjë të vështirë, me pak asistencë nga fëmijët apo nipërit, por dyert e ISSH janë totalisht të hapura dhe do të asistojmë. Qëllimi ynë është që qytetarët të marrin përfitimin në kohë. I gjithë procesi bëhet që qytetarët dhe pensionistët të mos rrinë më në radhë. Nuk janë marrë të gjitha shpërblimet për pensionet e vitit të ri, por mund ta marrin duke filluar nga janari prandaj që nuk janë marrë të gjitha, por lekët janë të gjitha të kredituara. Po përpunojmë dhe të gjitha kërkesat suplementare të naftëtarëve dhe minatorëve. Deri tani kanë ardhur rreth 20 mijë kërkesa tek ISSH. Rreth 4 mijë pensione suplementare”, tha Astrit Hado.

Mbyllja e pensionit

Po ashtu, kreu i ISSH foli edhe për mbylljen e pensionit online. “Duhet vetëm një aplikim online, edhe më parë e bënin familjarët kur ka vdekur ose kur fillon punë dhe ndërpret pensionin, por tani ka vetëm një kërkesë. S’ka më dokumente sill këtë apo sill atë. Kjo është bërë edhe falë formalizimeve tashmë”, u shpreh kreu i ISSH Astrit Hado.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here