Ish-anëtarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e shkarkuar në proces Vettingu më 28 shkurt 2019, deklaron se rasti i saj ishte një vendim i padrejtë dhe i urdhëruar.
Në një intervistë për A2, Antoneta Sevdari thotë se kërkesën për të drejtën e saj në Strasburg e ka mbështetur në argumente të fortë ligjorë.
“Kam menduar se të parët që do të hynin në drejtësinë e re do të ishin sidomos anëtarët e Kolegjit të Apelimit. Unë jam çuditur kur njerëz që nuk plotësojnë as kriteret minimale, janë sot anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Unë kam paraqitur pranë KPA-së kërkesat e mia për mbarimin e mandatit të këtyre dy anëtarëve. Këto kërkesa janë qartësisht të argumentuara, se këta dy persona nuk i plotësojnë kriteret për të qenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Përgjigja që më kthehet është që nuk ka procedura. Atëherë, nëse nuk ka proceduara, Gjykata e Strasburgut e ka thënë qartë se në të gjitha rastet kur anëtarët e një institucioni që merr masa disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk i plotësojnë kriteret ligjore, ka shkelje të nenit 6 të një gjykate të caktuar me ligj”, shpreh për A2, Antoneta Sevdari.
“Vendimi ndaj meje është një mutacion gjenetik, i padrejtë, ndoshta edhe i urdhëruar”, shprehet Sevdari.