Gazetarja Rudina Xhunga ka komentuar ngjarjet e fundit në vend duke shprehur dhe përditshmëritë për 2020-ën.Sa i përket vrasjes së biznesmenit në Rrëshen, apo vrasjes së biznesmenit në Tropojë, ajo deklaroi se janë vrasje të përgatitura nga një kohë tjetër.
“Vrasje ka, ndodhin në çdo kohë. Vrasja që ndodhi dje në Bajram Curri. Nuk ndodhi dje, dje u tërhoq këmbëza. Janë vrasje të përgatitura nga një kohë tjetër”, u shpreh Xhunga.
Lidhur me pritshmëritë e saj për vitin 2020, gazetarja e njohur ktheu sytë nga drejtësia duke paralajmëruar një vit me ngjarje.
“Unë kam pritshmëri nga drejtësia. Ky është viti që ka pritshmëri nga drejtësia. Unë nuk jam naive që të mendoj se SPAK do bëjë namin dhe drejtësia do pastrohet këtë vit, as këtë 10-vjeçar. Unë besoj shumë tek fryma, tek frika që krijohet. Në qoftë se ti ke qenë pjesë e një klase politike që e di që është normale të vjedhë xhepat e popullit të vet, dmth që e di që është normale që aty nuk është shërbëtor por hajdut atëherë ti kështu do jetosh, i drejtuar nga hajdutët, vend i varfër, do vuash…Në momentin që njerëzit ndërgjegjësohen dhe e dinë që ata po u kapën do venë para drejtësisë dhe do dënohen siç ndodhi me njerëz të rëndësishëm të politikës në Kroaci e Rumani, atëherë befas nuk do i kemi të gjithë politikanët në burg por ata që do vijnë do kenë frikë të vjedhin në këtë mënyrë harbute siç kanë vjedhur deri tani dhe na kanë thënë që kështu është politika të vjedhësh. Kështu e quaj unë pastrimin. Unë pastrimin nuk e quaj që befas burgu i Rrogozhinës do jetë plot me politikanë. Kjo do vijë gradualisht, kështu që ky vit do ketë ngjarje. Më pas do kemi dhe ngjarje politike që do jenë të impaktuara nga ngjarje në drejtësi. Do jetë viti i ndryshimeve për shkak të drejtësisë. Mendoj se kemi hyrë në një fazë të tillë. Kur do dalim nuk e di por të paktën hymë”, deklaroi Xhunga.