Ekspozita kolektive “Vilson Kilica”, edicioni i katërt me veprat e 47 artistëve

0
1427

Ekspozita kolektive “Vilson Kilica” mbërrin për publikun në edicionin e katërt në qytetin Fierit. Veprat e 47 artistëve të njohur janë prezantuar në galerinë e artit, që mban emrin e piktorit të njohur. Një ekspozitë me vepra, që prezantohen për herë të parë në Fier, që janë realizuar nga emra të njohur të artit në vend. Ekspozita me piktura vjen këto ditë të fundit të vitit si një nga ngjarjet rëndësishme kulturore në qytetin Fierit, dhe do të vijojë për disa ditë për publikun. Ekspozita është kuruar nga Pandeli Lena dhe Elenica Paloli. Për ekspozitën në edicionin e katërt është realizuar me mbështetjen bashkisë së Fierit dhe një katalog, me veprat e autorëve pjesëmarrës në ekspozitë. Në ekspozitë janë veprat e 47 artistëve, dhe piktori i njohur Besim Tula shprehet se aktivitetet e shumta pasurojnë jetën artistike në qytetet, ku ato zhvillohen. “Veprimtaritë e shumta dhe të ndryshme pasurojnë jetën e një galerie si dhe rrisin kulturimin vizual të artdashësve. Mendoj se këtë status po e plotëson më së miri galeria “Vilson Kilica” e Fierit. Në programin e saj, krahas linjës është dhe ekspozita e arteve pamore e fund vitit që organizohet prej disa vitesh, kohë e mjaftueshme për t’i krijuar identitet, histori kulturore kësaj veprimtarie”, pohon piktori Tula. Në këtë ekspozitë janë veprat e artistëve si Agron Dine, Agron Polovina, Aleksandër Filipi, Anastas Kostandini (Taso), Arben Bajo, Gazmend Leka, Adrian Devolli, Ardian Isufi, Besim Tula, Aramand Xhomo, etj. Piktori Vilson Kilica një prej themeluesve të Institutit të Lartë të Arteve, sipas artistit Besim Tula është një yll i artit tonë. “Po të hedhim sytë në historinë e artit jo të largët të këtij qyteti kujtojmë artistë, që dolën prej tij si Vilson Kilica, një yll i artit tonë dhe njëri prej themeluesve të ILAF (sot Universiteti i Arteve). Minella Saro, më 1962 ishte studenti i vetëm pjesëmarrës në bienalen e Egjiptit krahas artistëve të afirmuar, Anesti Cini, një artist me aftësi kompozionale dhe koloristike, Josif Droboniku, njëri prej grupit të artistëve që realizuan mozaikun tek faqja ballore e Muzeut Historik Kombëtar, Pandeli Lena, një artist i njohur për tablotë kompozicionale dinamike dhe kurator. Të gjithë këta krijues kanë vepra në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve”, tregon piktori Besim Tula.

Artistët mbajnë gjallë jetën artistike

Duke folur për aktivitetet artistike, piktori Besim Tula shprehet se ishin këta artistë që i jepnin gjallëri jetës artistike me aktivitetin e tyre. “Jetën kulturore të qytetit e gjallëronin këta piktorë, njëkohësisht përfaqësonin Fierin në ngjarjet e mëdha të artit në rang kombëtar. Artistë dhe drejtues ambiciozë kërkonin të ecnin më tej. Fieri u zhvillua mjaft. Prej vitesh ka shkollën e mesme artistike, e cila formon në ndjesitë e nxënësve idetë për artin pamor dhe i kulturon me format e mundshme artistike në hapat e tyre të parë. Në artin e kohës ka një pasuri tendencash dhe gjuhësh pamore, të cilat si për artistët, ashtu dhe për shikuesit, para demokracisë kanë qenë të ndaluara. Këto tendenca përfaqësonin ide dhe koncepte të mbështetura në filozofi dhe estetikën që e afronin artin me të vërtetat e jetës. Po kështu dhe marrëdhënien e njeriut me realitetin”, vijon piktori. Sipas tij, veprat e mbështetura në këto koncepte postmoderne janë më direkt, më goditëse, më të vërteta dhe më vetjake. “Tek shumë artistë pjesëmarrës ndjehet ndikimi i kësaj tendence duke pasuruar me stile të ndryshme ekspozitën. Me seriozitetin dhe pasionin për ta zhvilluar më tej jetën artistike të qytetit organizuesit kanë ftuar artistë të mirënjohur nga kryeqyteti si dhe nga qytetet e ndryshme të vendit, për të ekspozuar në këtë aktivitet. Serioziteti dhe besueshmëria e veprimtarisë e kanë renditur këtë ngjarje artistike në axhendën e shumë artistëve, për të cilët marrja pjesë këtu është dëshirë dhe kënaqësi. Ekspozita mendoj se civilizon dhe artdashësin. Ajo ka vlerë pasi arti nuk mund të shijohet pa u pajisur me kulturë”, përfundon piktori Besim Tula. Vilson Kilica është një nga krijuesit më të rëndësishëm të pikturës shqiptare që fillon nga viti 1950 e deri në ditët tona sidomos për periudhën e gjatë të viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri. Mbas studimeve në Akademinë e Artit në Leningrad, Vilson Kilica kthehet në atdhe për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në kulturën dhe artin shqiptar. 

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here