Zbardhet plani i ri hetimor për shkeljet e Metës, ja 12 pikat që do ndjekë mazhoranca, Venecia kopsit raportin brenda 20 marsit

0
422

Zbardhet plani i ri hetimor i komisionit që po heton presidentin Ilir Meta. Të premten u mblodh komisioni hetimor, ku u miratua shtimi i objektit të hetimit ndaj presidentit Meta, sa i takon veprimeve të tij në lidhje me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, sikundër ishte dekretimi i Marsida Xhaferllarit si anëtare të kësaj gjykate. Gazeta ka siguruar planin hetimor, në të cilin janë plot 12 hapa që do të ndjekë mazhoranca për të hetuar veprimtarinë e kreut të shtetit, në mënyrë që ta ketë më të lehtë shkarkimin e tij nga detyra. Fillimisht, mazhoranca si provë kundër Metës do të administrojë kërkesën e 55 deputetëve, të cilën kërkuan që kreu i shtetit të hetohet edhe për veprimet e tij në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, ndërsa hapi i dytë do jetë shqyrtimi i vakancave për këtë gjykatë, sa i takon korrespodencave të ndjekura nga KED, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenca. “Administrohet kërkesa e 55 deputetëve për shtimin e objektit të komisionit hetimor; Administrimin dhe shqyrtimin e gjithë praktikës së Këshilli të Emërimeve në Drejtësi për vakancat e krijuara, të cilat u krijuan me vendime nga Kuvendi i Shqipërisë dhe me dekret nga Presidenti i Republikës”, thuhet në planin hetimor.

Shkresat e KED

Interesant është fakti se deputetët e PS do përdorin si “armë” kundër presidentit Meta edhe raportin e Këshilli të Legjislacionit, sa i takon dy vakancave të shpallura nga Kuvendi. Po ashtu, hapi tjetër që socialistët do të ndjekin, është administrimi i shkresave që KED i ka dërguar Kuvendit në lidhje me plotësimin e vakancave për anëtar të Gjykatës Kushtetuese për dy vendet e Kuvendit dhe dy vendet e Presidentit. “Raportin e Këshillit të Legjislacionit për shqyrtimin e kërkesës së kryetarit të Kuvendit mbi kushtetutshmërinë e vijimit të procedurës që do zbatojë Kuvendi për votimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese të shpallura nga Kuvendi në shkurt të vitit 2018 dhe mars të vitit 2019; Përgjigjet e drejtuara nga KED në lidhje me ecurinë e procesit të zhvilluar nga ana e Presidentit dhe Kuvendit”, thuhet në planin hetimor.

Vendimtare dëshmia e Dvoranit

Por duket se për anëtarët socialistë të komisionit hetimor vendimtare do jenë dëshmitë e personave që kanë dijeni në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në planin hetimor të siguruar nga gazeta, mazhoranca ka vendosur që të thërrasë si dëshmitar kreun e KED, Ardian Dvorani, dëshmi kjo e cila do jetë vendimtare dhe do përdoret si provë kundër presidentit Ilir Meta. Po ashtu, socialistët si “armë” kundër Metës do përdorin edhe rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë për të shmangur bllokimin e institucioneve të reja të drejtësisë. “Raporte nga institucionet të tjera që lidhen me objektin e hetimit; Rezolutën e Kuvendit të datës 15 nëntor 2019 për shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese; Thirrjen e dëshmitarëve, mes tyre kreu i KED, Ardian Dvorani”, thuhet në raport.

20 mars mblidhet Venecia

Por pozitat e presidentit Ilir Meta, priten të rëndohen edhe më shumë, pasi brenda muajit mars në tryezën e komisionit hetimor pritet të vijë edhe opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias, sa i takon përgjigjeve për 5 pyetjet që do t’i dërgojë Kuvendi, duke i kërkuar interpretim. Kështu, duke qenë se afati i komisionit hetimor përfundon në datën prill dhe mbledhja e radhës së Komisionit të Venecias për vitin që vjen është data 20 mars, gjasat janë që komisioni hetimor të presë edhe opinion e Venecias për të vulosur shkarkimin e Metës. Megjithatë, në fund të shkurtit apo javës së parë të marsit pritet që të vijë edhe raporti paraprak i Venecias, i cili do përdoret si provë kundër Metës nga anëtarët e komisionit hetimor. Kjo do të thotë se mazhoranca pritet t’i shkojë deri në fund nismës së saj, duke qenë se edhe nga Venecia ka kërkuar interpretim ligjor, pasi ajo tanimë e ka të qartë që presidenti ka shkelur Kushtetutën në shumë raste. 

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here