Rusia tha sot se ka kryer me sukses testimin e rrjetit të saj të pavarur të internetit Runet, alternativa globale ndaj internetit global, që rrjedhimisht kontrollohet nga SHBA.
Detajet e dhëna për testimet ishin të përgjithshme por sipas ministrisë së komunikimeve përdoruesit e zakonshëm nuk pikasën asnjë ndryshim. Ata thanë se së shpejti rezultatet do të prezantohen te Presidenti Putin. Rusia thotë se po merr masat e saj duke parë sjelljen agresive të SHBA që mund t’i kufizojë qasjen në internet, siç ndodh me sanksionet financiare që Uashingtoni vendos kundër armiqve me anë të rrjetit bankar të internetit. Ndërsa ekspertë perëndimorë thonë se me tendencat e shkëputjes Rusia kërkon të shtojë kontrollin ndaj qytetarëve. “Rezultatet e testimeve treguan se në përgjithësi si autoritetet dhe operatorët e komunikimeve ishin të gatshëm t’i përgjigjeshin risqeve dhe kërcënimeve për të siguruar funksionim të plotë të internetit dhe komunikime të unifikuara në Federatën Ruse,” tha zëdhënsi Alexey Sokolov.