Avokati Spartak Ngjela komentoi aktualitetin politik në vend, që nga ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, takimin e presidentit Ilir Meta me djalin e filantropit George Soros, si dhe mbledhjen e fundit të komisionit hetimor. Në një reagim për gazetën “SOT”, Ngjela deklaroi se mazhoranca është e vendosur për t’i shkuar deri në fund shkarkimit të presidentit Ilir Meta, ku theksoi se kreu i shtetit e ka të kotë që po var shpresat te George Soros. Dy ditë më parë, Ilir Meta takoi në ambientet e Presidencës djalin e filantropit George Soros, Aleks Soros. Ky takim në një kohë krize politike u pa si një tentativë e Metës për të qetësuar ujërat me mazhorancën. Në lidhje me këtë takim, avokati Spartak Ngjela u shpreh se Shqipëria drejtohet nga politika amerikane dhe sipas tij, Soros nuk ka fuqi që të ndërhyjë. Ngjela u shpreh se Soros nuk drejton politikën shqiptare, duke shtuar se këto tentativa të Metës janë të dështuara dhe po mban shpresa të kota. “Pse nga Soros drejtohet politika shqiptare? Ku e ka forcën George Soros për të ndërhyrë në politikën shqiptare. Nëse do takoheshin në rangjet e larta në Uashington atëherë po. Shqipëria drejtohet nga politika amerikane dhe Soros nuk ka fuqi të ndërhyjë në politikën e Amerikës, nuk e kontrollon dot”, u shpreh Ngjela.
Ngritja e SPAK
Më tej avokati komentoi edhe ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, duke deklaruar se SPAK do ta nisë punën e vet me goditjen ndaj krerëve të politikës. Sipas avokatit të gjithë zyrtarët e lartë do të kalojnë në skaner nga prokuroria speciale, duke shtuar se askush nuk do i shpëtojë hetimit nga drejtësia e re. “SPAK do të fillojë nga krerët e politikës. Se me kë do ta filloj ëtë parin nuk di të jap një përgjigje të saktë. Të gjithë politikanët do të kalojnë në kontroll. Prokuroria speciale është organi që do t’i thërrasë të gjithë me radhë, nga më i madhi e të gjithë”, u shpreh Ngjela.
Shkarkimi i Metës
Më tej, avokati komentoi edhe mbledhjen e fundit të komisionit hetimor, i cili po shqyrton shkeljet kushtetuese të presidentit Ilir Meta. Sipas Ngjelës, mazhoranca është e vendosur për t’i shkuar deri në fund shkarkimit të Metës, duke i ngritur edhe shkelje të reja. “Fakti që Metën e akuzuan në komisionin hetimor për një shkelje të re, shtyrje të afatit do të kishte. Shkeljet e presidentit i konstaton Kuvendi dhe me vota e çon në komisionin e hetimit parlamentar. Meqë komisioni ishte i ngritur dhe nuk e kishte mbaruar hetimin e parë, ata i ngarkuan edhe hetimin e dytë. Hetimi i dytë do kohë, ndaj në këto momente e çuan prapë në Komisionin e Venecias. Mirë do të ishte që këtë gjë tia kishin lënë gjykatës. Por ka edhe një ngërç tjetër, sepse Gjykata Kushtetuese që është e detyruar të marrë në shqyrtim nuk ekziston. Kryesori që e ka bllokuar është Meta. Përkundrazi Meta nuk i ka në favor këto sepse derisa i filloi hetimi i ri e derisa hetimi i ri shkon në Komisionin e Venecias i jep mundësinë e kohës edhe vetë komisionit, madje edhe vetë Parlamentit për votimin e shkarkimit duke pritur Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh avokati. Më tej Ngjela renditi edhe arsyet se cilat janë shenjat që Meta nuk ka shpresë tek mazhoranca, duke shtuar se shkeljet kushtetuese janë në disfavor të Metës. “Mazhoranca nuk i ndahet presidentit, se nëse ata do i ndaheshin e kishin çuar vetëm me akuzën e parë, për të cilën u shpreh Venecia, por këta bënin sikur nuk e kuptonin. Ata i ngarkuan edhe të dytën dhe në rast se Venecia edhe për të dytën do të thotë që është shkelje e rëndë, atëherë kjo gjë është në disfavor të Metës. Cilat janë shenjat e tjera që Meta nuk ka shpresë tek kjo mazhorancë? Shenjat e tjera janë rrëzimi i ligjeve që po i bën herë pas here, gjë që tregon që nuk kanë marrëveshje me njëri-tjetrin. Megjithatë do të presim të shikojmë se si do të precipitojnë ngjarjet sepse në fund të fundit ky është hetim për të shporrur presidentin. Tani duhet të presim Komisionin e Venecias”, tha Ngjela.