Afera e CEZ fundos Metën e Berishën, zbardhen të tjera prova kompromentuese, nga pazari 10 mln euro me Ismailajn, te dëshmitë dhe email-et

0
323

Dosjet me aferën e CEZ rrezikojnë të dërgojnë pas hekurave shumë politikanë. Nëse prokurorët e SPAK kanë vullnet për të nisur arrestimet e bujshme, mjaftojnë të hetojnë privatizimin e OSHEE dhe paktin CEZ-DIA. Një ditë më parë gazeta tregoi detaje nga dosja që ka dorëzuar në prokurori juristi Romeo Kara për aferën CEZ-DIA. Sot po tregojmë të tjera detaje nga kjo çështje, por dhe nga dosja për privatizimin e OSHEE nga CEZ. Te CEZ-DIA janë kallëzuar Meta-Berisha dhe 5 zyrtarë të tjerë, ndërsa te privatizimi i OSHEE janë të paditur Berisha, ish-ministrat e tij dhe disa funksionarë të ERE.

Skandali CEZ-DIA

Në padinë e juristit Romeo Kara, janë rreth 300 faqe me informacion. Një ditë më parë gazeta tregoi se ai flet për një valixhe me para, duke pretenduar se ka shkuar në shtëpinë e Metës. Ndërkohë në një moment tjetër ai shprehet se për privatizimin CEZ-DIA është bërë një pazar me vlerë 10 milionë euro. “Sipas edhe pohimeve që më ka bërë mua dhe avokatëve të Clifford Chance, Elvis Mataj, në këtë rast Meta kërkonte nga Ismailaj dhe CEZ-i një shumë prej 10 mln Eurosh”, thuhet në dosje. Më tej juristi argumenton se si DIA përmes mbështetjes së qeverisë së asaj kohe arriti të merrte në dorë borxhet falë mashtrimit. “Në pikën 16 të dëshmisë së tij Hejsek pohon se: DIA (Ismailaj) ju tha se ajo ishte pjese e kompanisë së madhe amerikane DAI, që operonte në të gjithë botën. Ky është një tjetër mashtrim tashmë i provuar nga gjykata ashtu si edhe mashtrimi i parë lidhur me prezantimin “Pasut & Partners”. Në pikën 31 të dëshmisë së tij, Hejsek pohon se: Raporti i Identifikimit të Debitorëve u dorëzua në fund të Marsit 2011, në kundërshtim me marrëveshjen DIA-CEZ. Marrëveshja në fjalë parashikonte sipas tij se: raporti duhej të dorëzohej 3 muaj pas firmosjes së marrëveshjes, pra me 1 dhjetor 2010”, thuhet më tej. Kara akuzon Metën, ministër në atë kohë, se ndikoi për të ulur çmimin e energjisë elektrike për CEZ. Sipas tij më29 Nëntor 2010 Ismailaj së bashku me Metën, udhëtojnë për në Pragë ku qëndruan së bashku deri më datë 1 dhjetor 2010. Por sipas tij, pas kësaj vizite, më datë 7 dhjetor 2010 ERE nxjerr Vendimin nr. 97 “Për përcaktimin e tarifës së energjisë elektrike për furnizuesin publik me shumicë për periudhën 1 janar-31 dhjetor 2011”, i cili uli çmimin e blerjes së energjisë nga CEZ-i prej KESH-it, nga 2.03 lekë/kwh në 1.48 lekë/kwh, duke i shkaktuar buxhetit të KESH-it dhe të shtetit shqiptar një dëm rreth 30 mln euro në vit.

Dëshmitë

Në dosjen për aferën CEZ-DIA, juristi Kara ka bashkëngjitur dhe dëshminë e Vojsava Ismailjat, bashkëshortja e Kastriot Ismailajt, administratorit të DIA, i cili ndodhet në burg sot. Në një intervistë ajo ka akuzuar direkt Metën dhe flet për shuma të mëdha parash. “Ka qenë pikërisht Ilir Meta, që pasi kishte realizuar uljen e çmimit të energjisë, i kërkonte Kastriotit që t’u kërkonte çekëve që ta shpërblenin atë, pra Ilirin, me pretendimin se ai i kishte bërë të fitonin miliona euro. Mjafton që të shohësh SMS-të që Ilir Meta i dërgonte Kastriotit në vitet 2010, 2011 dhe e kupton lehtësisht këtë. Kastrioti ka qenë gjithashtu shpesh nën presion për të dhënë para nga bizneset e tij, për të ushqyer fushatat elektorale. Atë që mund të them unë është se në kohën që u prish kontrata e DIA me CEZ, Kastrioti ka qenë shumë i shqetësuar se Ilir Meta i kërkoi një shumë të madhe eurosh”, ka thënë ajo.

Privatizimi i OSHEE

Por në prokurori juristi Kara, bashkë me Kuvendin, kanë bërë një padi dhe për privatizimin e OSHEE nga CEZ. Sipas tyre shteti ka pasur mbi 400 milionë euro dëme dhe aty kanë paditur ish-kryeministrin Berisha dhe disa ish-zyrtarë. Por kush janë detajet e kësaj dosje dhe provat e dorëzuara në prokurori? Së pari janë 5 e-maile mes Nuel Kalajt dhe çekëve, ku flitet për aferën e CEZ. Më konkretisht: E-mail nga Nuel Kalaj drejtuar Martin Roman, me subjekt “OSSH Developments”, datë 07.09.2009; E-mail i Nuel Kalaj drejtuar Tomas Pleskac, me subjekt “Re: Kosova”, datë 11.05.2010; E-mail i Nuel Kalaj drejtuar Josef Hejsek, me subjekt “15.05.2010 Report”; E-mail i Josef Hejsek drejtuar Tomas Pleskac, me subjekt “Albanie-priprava jednani s PM”, datë 28.01.2010; E-mail i Josef Hejsek drejtuar Nuel Kalaj, me subjekt “World Bank- Notice of Event-do be delivered”, datë 17.11.2011. Po ashtu janë të gjitha vendimet e qeverisë, udhëzimet dhe urdhrat e lëshuara nga Ministria e Energjisë dhe nga ERE. Gjithashtu janë dhe të dhënat që vetë prokuroria ka gjetur nga verifikimi i llogarive bankare të Nuel Klajat. Pra nga të dhënat e mësipërme, mjafton që SPAK tu hyjë këtyre dy dosjeve dhe do ketë perla./Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here