Arrestohet nga policia nje 19-vjeçare nga Gjakova, e cila dyshohet se në bashkëpunim me disa persona i morën para një personi tjetër, të cilin më parë vajza e kishte mashtruar dhe joshur përmes rrjetit social “SnapChat”.
Organet e sigurisë kanë bërë të ditur se arrestimi i të dysharës ka ndodhur në rrugën “Beqir Kastrati” në Gjakovë. “Lidhur me rastin pas zhvillimit të hetimeve është identifikuar dhe arrestuar e dyshuara e cila dyshohet se në bashkëpunim me të dashurin e saj dhe shokun e tyre ia kanë marrë paratë një personi”, thuhet në njoftimin raportin e Policisë.
Me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarës i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, rasti vazhdon të hetohet.Ndryshe, Express ka raportuar dje se si një 19-vjeçare nga Gjakova, mbrëmjen e së enjtes e ka ftuar një 29-vjeçar në banesën e saj, duke e joshur përmes rrjetit social “Snapchat”. Dy të rinjtë kishin bisedat përmes rrjetit social “Snapchat”, ku vajza e kishte joshur djalin dhe e kishte ftuar në banesë.
29-vjeçari A.N. kishte shkuar në banesën e vajzës, A.D. me të cilën kishte biseduar. Por, pak pasi arriti aty, e priti një befasi e pakëndshme.
Dy persona të maskuar dhe me shufra hekri në duar, i kanë grabitur A.B. portofolin me 160 euro.
Pas grabitjes, të dyshuarit e kanë kërcënuar 29-vjeçarin që të mos e njoftojë policinë, E tërë këtë ngjarje e ka konfirmuar për Gazetën Express Drejtori Rajonal i Policisë së Gjakovës, Lumni Graishta.
Graishta ka treguar se është arrestuar e dyshuara A.D. e cila edhe e ka pranuar veprën e kryer.
“Sot gjatë ditës pas një pune operative të hetuesëve nga stacioni policor Gjakovë, është arrestuar e dyshuara e cila e ka pranuar se veprën e ka kryer duke bashkëpunuar me të dashurin e saj dhe një shokun e tij, të cilët janë identifikuar nga policia por që ende janë në arrati”, ka theksuar Graishta.