Kompozitorë dhe autorë tekstesh anëtarë të “Albautor” kanë dalë kundër RTSH. Jo vetëm për çfarë po ndodh me Festivalin e Këngës, por dhe problemet me të drejtën e autorit. Anëtarë të “Albautor”, përmes një deklarate shprehen se të gjithë së bashku ngrenë zërin kundër fakteve abuzive me festivalin këngës këtë vit. Në deklaratën e tyre të bërë publike, kompozitorë dhe autorë tekstesh, që janë në agjencinë “Albautor” shprehen dhe për një kontroll financiar të Festivalit të 58 të Këngës në RTSH. Në deklaratën drejtuar RTSH, autorët shprehen se të gjithë ata që janë anëtarë dhe përfaqësues të asamblesë së agjencisë “Albautor” e ndjejnë tashmë të detyrueshme, që të shprehin publikisht shqetësimin e madh në lidhje me mënyrën e organizimit të festivalit të 58 të Radio Televizionit Shqiptar këtë vit, duke qenë se ruajtja e vlerave artistike kombëtare po cënohet haptas nga interesa të ngushta të një grupi të kufizuar njerëzish. “Si asnjëherë më parë në 57 Festivale të RTSH kriteret e pranimit të këngëve janë ndryshuar në fund të fazës së pranimit, duke vendosur kritere të reja të papublikuara në media dhe të ndryshme nga të gjithë festivalet e kaluara”, pohojnë krijuesit. Sipas tyre, këtë vit në mënyrë të fshehtë u ftuan kompozitorë të huaj, duke cënuar dhe një ndër parimet e festivalit në RTSH. “Në mënyrë të fshehtë janë ftuar në festival kompozitorë me shtetësi jo shqiptare, duke cënuar një ndër parimet më të rëndësishme të festivalit dhe duke shkelur rëndë dinjitetin e kompozitorëve shqiptarë, të cilët kanë arritur suksese të shkëlqyera në festivalin evropian të këngës. Krijuesve shqiptarë nuk u lejohet të marrin pjesë në festivalet analoge si Itali, Maqedoni, Bullgari, Greqi etj… sepse nuk kanë nënshtetësinë e vendit përkatës”, shprehen në deklaratën e tyre kompozitorë dhe autorë tekstesh anëtarë të agjencisë “Albautor”.
Nuk u mor mendimi i autorëve
Festivali i Këngës në RTSH po zhvillon këtë vit edicionin e 58 në Pallatin e Kongreseve, i cili që në fillimet e tij u kundërshtua nga autorët për mënyrën se si po zhvillohej. Por dhe në këtë deklaratë të fundit, autorët shprehen se nuk është marrë asnjë mendim nga ata artistë, që e kanë mbajtur gjallë ndër vite këtë festival. “Në një kohë kur elementi, që i jep këngës fizionominë e muzikës tradicionale shqiptare është kompozitori, ky element hiqet nga individë të cilët nuk kanë asnjë kontribut në muzikën shqiptare, pa marrë asnjë mendim nga artistët që kanë mbajtur gjallë vazhdimësinë e këtij festivali”, thuhet në deklaratën e “Albautor”. Sipas krijuesve, autorë të suksesshëm shqiptarë nuk janë ftuar në këtë festival, por ndërkohë janë porositur të huaj për këngë. “Në një kohë që me dhjetëra kompozitorë të suksesshëm shqiptarë nuk janë ftuar në festival në kundërshtim me gjithë vitet e kaluara, porositen kompozitorë shqiptarë e të huaj me nga dy këngë”, vijon deklarata. Nuk është hera e parë që krijues të ndryshëm janë shprehur se RTSH nuk ka zbatuar rregullat e të drejtës së autorit, por dhe në këtë deklaratë ata shprehen për këtë shqetësim. “Në kundërshtim të hapur me ligjin e të drejtës së autorit është hequr titulli orkestrues muzikor i këngës, si autor me të drejta të njohura ligjërisht”, pohojnë autorët. Festivali i Këngës në RTSH sipas autorëve shqiptarë gëzon një popullaritet të madh në mbarë opinionin publik shqiptar, duke pasur një ndjeshmëri shumë të lartë edhe për faktin që financohet direkt, nga taksapaguesit shqiptarë, të cilët duan të investojnë në kulturën shqiptare që ka aq shumë nevojë, pasi është në gjendje të mjeruar ekonomike edhe për faktin që RTSH nuk paguan asgjë për detyrimin që ka në zbatim të ligjit të së drejtës së autorit. Përballë kësaj gjendje, autorët anëtarë të “Albautor”, kërkojnë që të ketë dhe një kontroll financiar për festivalin e 58. “Në lidhje me shqetësimet e parashtruara, jemi të detyruar të gjithë së bashku, si krijues dhe autorë, të ngremë zërin kundër këtyre fakteve abuzive, duke kërkuar unanimisht marrjen e masave për ndryshimin e kësaj situate shqetësuese dhe të një kontrolli financiar të festivalit të 58 të këngës në RTSH”, thuhet në deklaratë. Anëtarë të “Albautor” janë krijues dhe autorë tekstesh të njohur.
Nga Julia Vrapi