Policia e Korçës ka finalizuar operacionin e koduar “Mekanizmi”. Mësohet se janë arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë, si autorë të dyshuar të vjedhjes së 8 banesave dhe bizneseve.
Sakaq, bëhet me dije se shtetasve B.Q., 28 vjeç dhe I.G., 25 vjeç, iu sekuestrua një automjet, që dyshohet se është përdorur për kryerjen e veprës penale.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Mekanizmi”.
Operacioni i zhvilluar pas një hetimi 1 mujor, për zbardhjen dhe dokumentimin e disa vjedhjeve të ndodhura muajin e fundit në qytetin e Korçës.
Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë, si autorë të dyshuar të vjedhjes së 8 banesave dhe bizneseve.
Sekuestrohet një automjet i përdorur nga autorët e dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, pas një hetimi 1 mujor të zhvilluar për zbardhjen dhe dokumentimin e disa vjedhjeve në banesa dhe biznese të ndodhura muajin e fundit në qytetin e Korçës ku autorët përdornin të njëjtin mekanizëm, duke vjedhur sasi lekësh, sende apo pajisje elektroshtëpiake, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Mekanizmi”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.Z., 23 vjeç, si edhe u shpallën në kërkim shtetasit B.Q., 28 vjeç dhe I.G., 25 vjeç, banues në Korçë.
Nga veprimet hetimore të kryera, kqyrja e pamjeve filmike dhe provat e grumbulluara, dyshohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të ngjarjeve të mëposhtme:
Më datë 06.12.2019, në banesën e shtetasit Ll.T., në lagjen nr.14, kanë marrë 1 orë dore.
Më datë 11.12.2019, në dyqanin ushqimor të shtetasit R.E., në lagjen nr.4, kanë vjedhur një sasi lekësh dhe 24 steka cigaresh.
Më datë 14.12.2019, në pastiçerinë e shtetasit S.T., në lagjen nr.15, kanë marrë një sasi lekësh.
Më datë 15.12.2019, në lokalin e shtetasit A.D., në lagjen nr.4, kanë marrë një sasi lekësh.
Më datë 15.12.2019, në lokalin e shtetasit N.C., në lagjen nr.15, kanë vjedhur një televizor dhe pije freskuese.
Më datë 18.12.2019, në dyqanin e shtetasit V.T., në lagjen nr.14, kanë vjedhur një sasi lekësh, eurosh dhe 5 steka cigare.
Më datë 19.12.2019, në banesën e shtetases M.K., në lagjen nr.14, kanë vjedhur një televizor dhe pajisje të tjera elektroshtëpiake.
Më datë 19.12.2019, në lokalin e shtetasit E.S., në lagjen nr.7, kanë vjedhur një televizor plazma dhe një sasi lekësh.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet, që dyshohet se është përdorur nga shtetasit e mësipërm për kryerjen e veprës penale.