Një ngjarje e rëndë ka tronditur mesditën e djeshme qytezën e vogël të Patozit, pas një konflikti për një vajzë. Dy të vrarë me armë zjarri është bilanci tragjik i një sherri të ndodhur përpara Poliklinikës së Patosit mesditën e kësaj të enjteje. Ka qenë një gardian i burgut të Fierit që ka qëlluar me armën e shërbimit, duke lënë të vdekur 2 të rinj. Krimi ndodhi në orën 12 e 20 minuta kur, 22-vjeçari Martin Skëndaj, qëlloi me pistoletë moshatarin e tij Elis Kapaj, i cili humbi jetën në vend nga plagët e marra. I plagosur mbeti Manol Rrapaj 26-vjeç, kushëri me viktimën, por edhe ai ndërroi jetë më pas në spital. Viktimat janë nga Patosi, banues në fshatrat Kashisht dhe Kuçar. Ngjarja nisi me një përleshje me leva dhe përfundoi në Poliklinikën e Patosit me të shtëna me armë që rezultuan vdekjeprurëse për dy të rinjtë. Njëri nga viktimat ishte i lidhur me motrën e gardianit, marrëdhënie që Martin Skëndaj e kundërshtonte. Të rinjtë Elis Kapaj nga fshati Kashisht dhe Manol Rrapaj nga fshati Kuqa, dyshohet të kenë pritur në një ambient larg poliklinikës gardianin e burgut, ku sapo e kanë pikasur e kanë qëlluar me leva duke e lënë të plagosur. Nga kjo përleshje, Martin Skëndaj ka shkuar në Poliklinikën e Patosit për të marrë mjekim, por edhe aty, në oborrin e poliklinikës e kanë pritur sërish dy të rinjtë, fqinj me njëri-tjetrin dhe kanë nisur ta qëllojnë. Në sherr e sipër, gardiani i burgut të Fierit ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar ndaj djemve. Elis Kapaj mbeti i vdekur në vend, ndërsa Manol Rrapaj ndërroi jetë në Spitalin e Fierit ku u transportua me urgjencë. 22-vjeçari Skëndaj tentoi të largohej pas krimit, por përfundoi në prangat e policisë.
Viktima denoncoi autorin tre ditë më parë
Vrasja mesditën e djeshme në Patos ishte një ngjarje që mund të parandalohej nga Policia e Fierit. Vetëm tre ditë më parë viktima Manol Rrapaj kishte bërë kallëzim penal për gardianin Martin Skëndaj në Policinë e Fierit. 22-vjeçari Martin Skëndaj vrau me armë Manol Rrapajn dhe Elis Kapajn, brenda qendrës shëndetësore të qytetit, pas debatit me ta. Rapaj ishte i dashuri i motrës së Skëndajt, por që ky i fundit nuk e kishte pranuar një fakt të tillë, ndaj dhe e ka qëlluar me armë, duke i marrë jetën bashkë me shokun Kapaj. Mësohet se tri ditë më parë Manol Rrapaj kishte kallëzuar penalisht në Policinë e Fierit autorin Martin Skëndaj dhe babanë e tij, pasi këta të fundit kishin shkuar për të debatuar me të, se pretendonin se ai kishte ngacmuar motrën e 22-vjeçarit. Sipas denoncimit të bërë në polici, Rrapaj kishte thënë se në momentin kur ata kishin shkuar për t’u sqaruar, kishin pas me vete edhe mjete prerëse. Pas denoncimit, materialet i kishin kaluar Prokurorisë së Fierit për kanosje. Por denoncimi nuk parandaloi tragjedinë pasi gardiani vrau dy kushërinjtë, Elis Kapaj dhe Manol Rrapaj në derën e Poliklinikës së Patosit. Viktimat dhe autori ishin fqinj me njëri-tjetrin dhe banonin në të njëjtën zonë. Banorë të lagjes, ku jetonin viktimat dhe autori i krimit, kanë thënë për mediat se si viktimat ashtu dhe autorin i njihnin si djem të mirë dhe që nuk kishin shkaktuar kurrë probleme në zonë. “Të mirë ishin të dy, çuna të urtë, familje të mira. Konfliktet s’i dimë ne, i di prokuroria, por ka pas ca gjëra të vogla”, tha njëri nga banorët e zonës ku jetojnë personat e përfshirë në konfliktin e djeshëm me dy viktima. Ndërsa një tjetër nga banorët tha që nuk dinte dhe nuk kishte informacion rreth konflikteve që mund të kenë pasur familjet mes tyre. Sot e mora vesh lajmin. I njihnim si djem të mirë edhe ky që qëlloi edhe ata tjerët, se çfarë kanë pasur nuk e di. Kjo që ndodhi ishte e mira të mos kishte ndodhur, por ja që ndodhi. Është për të ardhur keq për të dyja familjet, kanë qenë të mira, në hallin e tyre, në punën e tyre. Nuk di asgjë për konflikt mes tyre, vetë si person nuk kam dëgjuar gjë. Shumë të mirë ishin të dy edhe viktima edhe ish-polici i burgut. Unë isha në punë, kur erdha në shtëpi e pashë në televizor”, ka thënë banori tjetër.
Elvis MYRTA









































