Cirku Kombëtar pezullon shfaqjet në arenë, artistët: Aparaturat janë të amortizuara, mungojnë investimet

0
314

Shfaqjet e Cirkut Kombëtar janë pezulluar në arenë. Artistët shprehen se kjo ndodhi për shkak se gjatë provave është këputur një kavo e aparaturës, ku stërvitej një akrobat, gjë që ka sjell dëmtimin e tij. Pas këtij aksidenti mësohet se Ministria e Kulturës ka sjellë Inspektoratin e Punës, dhe ky i fundit ka pezulluar aktivitetin artistik në arenë. Ngjarja ka ndodhur në ditët e muajit nëntor dhe që nga ajo kohë shfaqjet nuk zhvillohen më në arenë. Artistët shprehen se janë në pritje të një përgjigje se si do të vijojë aktiviteti i tyre në çadër, ndërsa theksojnë që prej kohësh ata janë shprehur se pajisjet në arenë janë të vjetruara. Artistët bëjnë me përgjegjësi institucionet, që nuk investuan për të rinovuar pajisjet, dhe sipas tyre dhe pezullimi i aktivitetit është shkak i gjendjes që po vijon prej vitesh me probleme, ku pajisjet e reja kanë munguar. Artisti Julian Kazazi, kryetar i Sindikatës së Artistëve të Cirkut Kombëtar shprehet se shfaqjet pritet të fillojnë në një moment tjetër kur të jepet siguri për punën e artistëve në arenë. “Në cirk janë pezulluar shfaqjet për momentin, deri në një moment që do të kontrollohen dhe të jepet siguri teknike nga inspektoriati i punës. Gjatë provave është këputur nja kavo e aparaturës ku stërvitej akrobati, që ka sjellë dëmtimin e tij. Aktualisht janë shumë gjëra të pa sqaruara dhe po presim të na japin një përgjigje. Artistët i kanë kërkuar Ministrisë së Kulturës një inxhinier teknik, që të japi një siguri teknike që mjetet e sigurisë janë në rregull, që të vazhdohet puna me shfaqje, duke qenë se artisti u dëmtua nga mungesa e sigurisë teknike”, pohon artisti i cirkut Julian Kazazi.

 Aparaturat e vjetruara

 Artisti Julian Kazazi shprehet se aktiviteti deri tani ka vijuar me aparatura të vjetruara, që janë mbi 40 vjeçare. “Unë e kam ngritur më parë këtë shqetësim dhe jam shprehur se duhet investuar në pajisje të reja, se ato aktuale janë 40-50 vjeçare dhe janë amortizuar. Pra që si pasojë që nuk janë bërë investime në aparatura dhe punohet akoma me aparaturat e vjetra ndodhi dhe incidenti më 13 nëntor, i cili mund të shmangej. Jemi të paqartë akoma se çfarë është shkruar në këtë akt konstatimi dhe çfarë vendimi ka marrë ministria për këtë rast”, pohon Kazazi në reagimin e tij. Koreografi i njohur Llaqi Nako shprehet se problemet në cirk janë të dukshme prej kohësh, sipas tij ky institucion është lënë pas dore. “Unë gjykoj që ajo arenë cirku, si pjesë e institucioneve artistike që mbulon Ministria e Kulturës ka ngelur si puna e Kozetës te romani “Të Mjerët” e Hygoit. Cirku është lënë totalisht pas dore. Pavarësisht se ra tërmeti dhe u shpërqendruan pak, por në atë institucion tërmeti ka rënë me kohë. Ata mekanikë, që kanë ndërtuar çadrën thonë se çadra nuk bie, sepse është ndërtuar dhe montuar në mënyrë të tillë, që ajo është shumë elastike dhe nuk bie kurrë. Aty gjithçka është çfarë ndodh brenda çadrës së cirkut me pajisjet, që janë totalisht të amortizuar, dhe janë të dala jashtë loje. Aty rrezikohet jeta e njerëzve”, pohon koreografi Llaqi Nako. Për koreografin e njohur është shqetësues fakti, që në këtë periudhë të fundit të viti në cirk nuk zhvillohen shfaqje në arenë. “Për fat të keq zakonisht për fundvit zhvillohen aktivitete nga më të larmishmet, jo vetëm në institucion, por dhe në mjedise të tjera, në sheshe etj. Nëse në këtë periudhë cirku nuk ka aktivitete, kjo është për mua negative dhe duhet të lëkundet dhe Ministria e Kulturës për cirkun”, pohon koreografi i njohur Llaqi Nako. Herë pas here në reagimet e tyre artistët i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës për problemet, që kanë pasur dhe problemet ligjore. Misioni i Cirkut Kombëtar është ruajtja dhe lartësimi i vlerave të veçanta artistike-kulturore të artit të cirkut në vendin tonë, duke u mbështetur në traditat më të mira kombëtare e botërore, për të shërbyer në edukimin, çlodhjen dhe argëtimin e të gjithë brezave.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here