Jeta dhe vepra e aktorit të madh Bekim Fehmiu do të vijë në një film dokumentar, për të cilin kanë nisur dhe xhirimet. Dokumentari është me skenar nga Fahri Musliu dhe regji nga Valmir Tertini. Regjisori Tertini shprehet se filmi është menduar për 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të aktorit të madh Bekim Fehmiu, ndërsa do të xhirohet në disa shtete. “Ideja lindi, që të bënim diçka për 10-vjetorin. Dhe gjëja më e mirë, që mund bënim ishte kjo. Ne kemi nisur xhirimet për filmin. Vendet e xhirimeve janë në Beograd, Kosovë, Shqipëri, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë, USA”, tregon regjisori Valmir Tertini. Ndërsa xhirimet kanë nisur, regjisori Valmir Tertini tregon se është një projekt, që është nisur që para dy vitesh me skenaristi Fahri Musliu dhe premiera pritet në qershor të vitit që vjen. “Ky është një projekt, që kemi nisur në vitin 2016 së bashku me skenaristin Fahri Musliu, duke e ideuar kështu në 10 -vjetorin e ikjes fizike të aktorit tonë të madh, i cili hapi rrugët e sukseseve në kinematografinë botërore. Dhe ja kjo po ndodh, ne jemi duke punuar që të arrijmë qershorin e vitit 2020, që të bëjmë shfaqjen e dokumentarit. Bekimi ishte një artist i madh prej vërteti, jo i shtirur siç ndodh tani, dhe jeta e tij është një film”, pohon mes të tjerave regjisori Tertini. Por ky film dokumentar, që ka gjetur financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri, nuk është financiar nga Qendra e Kinematografisë në Kosovë. Regjisori Valmir Tertini tregon se aplikimet janë bërë në të dy qendrat e filmit. “Një dokumentar që gjeti mbështetjen nga QKK në Shqipëri. Njëherë ne aplikuam në Kosovë, ku nuk patëm financim nga qendra e filmit atje. Por dhe shuma, që është dhënë nga QKK në Shqipëri nuk mjafton, pasi është dokumentar i gjatë. Por do mundohemi të kërkojmë fonde nga të tjerët”, tregon regjisori Valmir Tertini. Duke folur për punën me filmin, regjisori shpjegon se ai do të përmbajë ndër të tjera edhe intervista me personazhe të ndryshme, që do të flasin për aktorin Bekim Fehmiu, por nuk do të mungojnë dhe pjesë nga filmat e tij. “Dokumentari do të titullohet “Bekim Fehmiu”. Trajtimi regjisorial do jetë profil dokumentar opservativ, pa narrasion, me intervista, me pamje ilustrative nga filmat dhe nga arkivat. Disa xhirime tanimë janë bërë. Por nga mesi i janarit do xhirojmë intensivisht”, vijon Tertini. Disa nga personazhet që do të flasin në këtë dokumentar për aktorin e madh Bekim Fehmiu janë, Arsim Fehmiu vëllai i tij, Vedat Kiseri shok shkolle, bashkëshortja Branka Petriq, i biri Uliks Fehmiu, regjisori Goran Markoviq, aktorja Olivera Katarina, Irena Papas aktore, Nju Jork, SHBA, Kendis Bergen (SHBA), aktori Timo Flloko, regjisori Kujtim Çashku, Shkëlzen Maliqi, etj.
Aktiviteti i aktorit
Bekim Fehmiu ishte një aktor shqiptar nga Kosova. Lindi në Sarajevë më 1 qershor 1936 dhe vdiq më 15 qershor 2010 në Beograd, Serbi. Rrjedh nga një familje e njohur gjakovare. Babai i tij, Ibrahim Fehmiu, ishte patriot i shquar, njëri ndër mësuesit e gjeneratës së parë në Kosovë dhe propagandues i madh i arsimit në gjuhën shqipe. Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore. Rolet e tij në “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, përmenden si kryevepra. Nga filmat e para ka qenë “Ko puca otvorice mu se”, “Vitet e nxehta”, “Protesta”, “Eskadrionet e partizanëve” dhe “Të kuq dhe të zinj”. Ai ka bashkëpunuar me John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shoë, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale etj. Ka interpretuar në shqip, serbisht, maqedonisht, turqisht, në gjuhën rome, në spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht. Bekim Fehmiu është një nga artistët më të mëdhenj shqiptarë. Nga viti 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në teatrin jugosllav të dramës, ai i dha lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.
Nga Julia Vrapi