Drama “Epsh dhe lakmi”, nga enjtja deri të dielën në skenë

0
396

Shfaqja teatrore “Epsh dhe lakmi” rikthehet këtë javë për publikun në skenë. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shprehet se të gjithë ata që nuk patën mundësi të gjenin bileta javën e kaluar, shfaqja instiktive “Epsh dhe lakmi” vjen nga e enjtja në të diel, ora 19:00 në “ArTurbina”. Drama Eugene O’Neill me përkthim të Artur Lenës dhe regji të Endri Çelës vjen me interpretimin e aktorëve Gëzim Rudi, Dasara Xhangolli, Josif Sina, Andi Begolli, Urim Aliaj, Barjam Dosti, Bujar Hoxhaj, rexhina Ibro, Xhoana Sula, Anxhela Dervishi. Drama “Epsh dhe lakmi”është shkruar nga autori Eugene O’Neill më 1925. Vetë autori e përshkruan veprën e tij si një tragjedi e dëshirës poseduese. Për O’Neill, vepra është një dëshirë e fortë dhe e dëshpëruar e individit për të ndërtuar parajsën e tij këtu, në tokë, duke e bërë bashkë ndjenjën e pushtetit me ndjenjën e pronësisë mbi tokën, njerëzit, paratë, por kryesisht mbi tokën dhe mbi të tjerët. Vepra flet për plot të vërteta, prandaj edhe shfaqja flet për të vërteta. Shfaqja i mëshon instiktit njerëzor. Themi që shoqëria shqiptare vazhdon të jetë e ndrydhur, e tredhur, ata që shfaqen si “open mind”, e deklamojnë sa më shumë si pasojë e komplekseve madhore, prandaj individi, sidomos ai shqiptar udhëhiqet më shumë ndaj instiktit. Shfaqja flet për mungesën, për vetminë, që për t’i mposhtur e për të gënjyer veten, ky individ zgjedh rrugën më të shpejtë e kapet pas gllabërimit të pronës, materiales dhe thotë “kjo është e imja”, se sa pas individit tjetër e të thotë “unë jam i yti dhe ne jemi bashkë”. Flasim për pengjet e së shkuarës, për hakmarrjen, për arratisjen nga Shqipëria, për lirinë. Shfaqja është jeta e individit shqiptar. Premiera e parë e “Epsh dhe lakmi” daton në 11 nëntor të vitit 1924-ës, në teatrin e Greenwich Village Theatre, të qytetit të New York-ut. Shfaqja tërhoqi vëmendjen e autoriteteve, të cilët u përpoqën ta mbyllnin për shkak të skenave të pahijshme të seksit dhe dhunës. Shfaqja u vu në shënjestër të censurës edhe në Boston, Los Angeles, madje dhe në Londër. Por, duke i bërë ballë mbylljes, vazhdoi të luhej për plot 208 herë të tjera në New York, madje u vlerësua edhe nga kritikët. Dy rivënie të tjera të suksesshme të veprës janë ato në 1952 dhe 2009. Vepra është ekranizuar edhe në një variant filmi në 1958.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here