Ishte kthyer në makthin e pronarëve të mjeteve në Tiranë, arrestohet 25-vjeçari ( Si u pikas ‘skifteri’ nga banori i cili lajmëroi Policinë)

0
272

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 25-vjeçar, i cili kishte planifikuar të vidhte dy automjete në kryeqytet.  Pas kontrolleve të kryera, policia ka zbardhur  edhe disa raste të tjera vjedhjesh, që ishin kryer nga i arrestuari.

Njoftimi i Policisë:

TiranëFinalizohet operacioni “Reagimi”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 2, falë ndihmës dhe bashkëpunimit me qytetarët.

Tentoi të vidhte në dy automjete, por falë njoftimit të bërë nga banorët dhe reagimit në kohë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 2 që patrullonte në territor, u kap dhe u arrestua në flagrancë  25-vjeçari.

Zbardhen dhe 5 vjedhje të tjera të automjeteve, si dhe dy vjedhje lokalesh, të kryera nga ky shtetas. Sekuestrohen në cilësinë e provës sendet e vjedhura dhe aksesorë të ndryshëm, të cilat autori i përdorte për të kryer vjedhjet.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. Ll., 25 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Shtetasi Xh. Ll u kap dhe u arrestua në flagrancë në bulevardin “Bajram Curri” në tentativë për të vjedhur në 2 automjete të parkuara pranë një pallati.

Në momentin që kishte thyer xhamat trekëndësh të dy automjeteve një banor ka njoftuar Policinë. Falë reagimit të shpejtë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit Nr. 2 që patrullonte në territor, u bë e mundur kapja në flagrancë e këtij shtetasi.

Nga hetimet paraprake rezultoi se ky shtetas ka vjedhur në pesë automjete të ndryshme, në një kompleks pallatesh në Tiranë, duke përvetësuar sende të ndryshme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, po ky shtetas është autor i dyshuar i vjedhjes në dy lokale, njëri në rrugën “Dritan Hoxha” dhe tjetri në rrugën “Lavdie Petrela”, Tiranë, territor që mbulohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, Tiranë.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë,  për veprën penale “Vjedhja” më shumë se një herë, në ngarkim të shtetasit Xh. Ll.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here