Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur shkarkimin e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj, njëherazi anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, KED.
Islamaj u ballafaqua me probleme të pasurisë dhe profesionalizimit përballë KPK-së; gjetje të cilat ai i kundërshtoi.
Treshja gjykuese që kreu procesin e rivlerësimit të gjyqtarit Islamaj përbëhej nga Lulzim Hamitaj kryesues, Valbona Sanxhakatari relatore dhe Pamela Qirko anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Hans Klijstra.
Pas relatimit që zgjati rreth një orë, gjyqtari Fatri Islamaj paraqiti pretendimet e tij për gjetjet e Komisionit për rreth tre orë e gjysmë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të kryesuesit Hamitaj dhe të përfaqësuesit të ONM-së, Hans Klijstra për të qenë sa më konciz.
Fatri Islamaj ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2003-2006 dhe e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor nga Gjykata e Fierit. Në vitin 2010, ai është transferuar në Gjykatën e Tiranës dhe tre vjet më vonë u emërua kryetar i kësaj Gjykate.
Pas tre vitesh drejtimi të Gjykatës së Tiranës, Fatri Islamaj u dekretua nga presidenti Nishani si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës në vitin 2016. Gjatë këtij viti, Islamaj ka ushtruar gjithashtu funksionin si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i zgjedhur përmes shortit.
SEANCA DËGJIMORE:
Problemet me pasurinë
Në fillim të seancës dëgjimore, relatorja Valbona Sanxhakatari bëri me dije se raporti i ILDKPKI-së për gjyqtarin Fatri Islamaj evidentonte deklarim të pasaktë të pasurisë dhe mungesë burimesh të ligjshme. Gjithashtu sipas Inspektoriatit, Islamaj kishte kryer deklarim të rremë, por nuk ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit.
Hetimi i KPK-së për Fatri Islamajn është fokusuar tek blerja e një apartamenti me sipërfaqe 144.5 m2 në Tiranë si dhe transaksionet me disa makina, të cilat u konsideruan me probleme.
Lidhur me apartamentin, relatorja Sanxhaktari tha se ishte blerë në vitin 2016 në vlerën e 10.5 milionë lekëve, i financuar 100% nga banka Credins.
“Nga hetimi duket se subjekti e ka blerë pasurinë apartament me çmim preferencial dhe se është favorizuar nga banka në marrjen e kredisë,” konstatoi Sanxhaktari në seancë.
Duke e bërë të qartë që në fillim se do të ndalej gjatë në shpjegimet e tij, Islamaj tha se zotëron pasuri neto gjithsej në vlerën 3.4 milionë lekë dhe se të ardhurat e tij janë 21 milionë lekë.
Islamaj i kundërshtoi gjetjet e Komisionit lidhur me apartamentin në Tiranë. Ai tha se nuk ka trajtim preferencial, pasi vlera për metër katror është rreth 10 mijë lekë më e lartë nga çmimi i tregut. Ai shtoi se apartamenti nuk është përfunduar ende, pasi nuk ka vendosur të jetojë aty si pasojë e rritjes së ndotjes akustike dhe mjedisore. Ai kundështoi edhe pretendimet për trajtim preferencial nga banka, me argumentin se nuk kishte shqyrtuar asnjë çështje të këtij subjekti.
Anëtarja e trupës gjykuese, Pamela Qirko, e pyeti Islamajn se si kishte mundësi që një qytetar të përfitonte 100% të vlerës së kredisë pa pasur kolateral. “Kjo pyetje mund t’i bëhet sistemit bankar,” u përgjigj shkurt Islamaj.
Sanxhaktari vërejti mospërputhje të dokumentacionit edhe në lidhje me një autoveturë tip “Toyota” të blerë në vitin 2017 në vlerën 250 mijë lekë si dhe mungesën e dokumentacionit për blerjen dhe shitjen e një autoveture të markës “Cadillac” në vitin 2006.
“Nga verifikimet nuk rezulton e provuar me dokumentacion që subjekti të ketë pasur në pronësi këtë mjet,” tha Sanxhaktari për “Cadillac-un”.
Lidhur me vlerat e ndryshme në kontratën për makinën “Toyota”, Islamaj tha se ka qenë një lapsus i noterit. Ndërsa për automjetin tjetër ai shpjegoi se ia kishte blerë një zvicerani, shok i vëllait të tij. Ai tha se makina ishte prodhim amerikan dhe kishte pasur probleme tek një fener dhe se nuk mund të regjistrohej për këtë arsye. Ai shtoi se ia kishte kthyer sërish mjetin shtetasit zvicerian, i cili i ka dhënë vlerën e blerjes prej 600 mijë lekësh.
“Kam paraqitur librezën e mjetit dhe në deklalratën e vitit 2007 kam pasyqruar edhe shitjen e kryer në vitin 2006. Vlerën e kësaj makine e kam përdorur për blerjen e autoveturës tip ‘Benz’ në vitin 2007,” shtoi Islamaj.
Komisioni evidentoi mosdeklarimin e vlerës 700 mijë lekë të përdorur për blerjen e automjetit “Benz”, mospasqyrimin e një depozite prej 500 mijë lekësh si dhe mosdeklarim në vitin 2012 të një depozite prej 3 mijë eurosh. Ajo shtoi se në vitin 2013 nuk është deklaruar edhe një depozitë në vlerën 400 mijë lekë në emër të bashkëshortes.
Lidhur me pasuritë e bashkëshortes, Sanxhaktari veçoi blerjen e një automjeti “Volvo” nga e motra në vlerën e 800 mijë lekëve; automjet i cili ishte blerë për 13 mijë euro dhe i ishte shitur kunatës së gjyqtarit për 1 milionë lekë brenda 10 ditësh.
Relatorja Sanxhaktari theksoi se motra e bashkëshortes së Islamajt kishte punuar si sekretare në Gjykatën e Tiranës, kur Islamaj e drejtonte këtë gjykatë.
Gjatë fjalës së tij, Islamaj tha se nuk ekzistonte konflikt interesi në blerjen e makinës tip “Volvo” nga bashkëshortja e tij. Ai tha se kunata e tij ka qenë e punësuar si sekretare në Gjykatën e Tiranës që në vitin 2011, kur ai ende nuk ishte emëruar si kryetar.
“Mua KLD më caktoi përkohësisht pa kërkesën time, pasi vendi mbeti vakant. I kam kërkuar kunatës të largohej, por duke u përpjekur të mos cënoj të drejtat e saj dhe të mos dëmtoja financiarisht institucionin. Ajo duke më mirëkuptuar u largua në vitin 2013. Bashkëshortja e ka blerë mjetin tip ‘Volvo’ nga motra e saj në vitin 2014 dhe nuk mund të ketë konflikt interesi,” shpjegoi Islamaj.
Gjithashtu, Komisioni konstatoi disa transaksione bankare në llogari të bashkëshortes së Islamajt në vlera me mijëra euro gjatë viteve 2005 deri në vitin 2009, por gjyqtari i shpjegoi ato me veprimin për llogari të familjarëve që ndodheshin jashtë shtetit.
“Nga analiza financiare konstatohet se subjekti nuk justifikon asnjë pasuri, depozitë apo transaksion dhe se rezulton të ketë një balancë negative në vlerën 1 milion e 599 lekë,” tha Sanxhaktari.
Islamaj e kundërshtoi analizën financiare duke pohuar se ishin kryer gabim përllogaritjet pasi ai kishte burime të ligjshme dhe balancë pozitive për krijimin e pasurive që zotëron.
Dyshime për konlikt interesi
Në vlerësimin e kriterit profesional, Komisioni evidentoi dy raste të mundshme të konfliktit të interesit. Sipas relatores, Gjykata e Lartë ka shfuqizuar një vendim të Gjykatës së Apelit Tiranë të dhënë nga një trupë gjykuese, ku ishte pjesë edhe gjyqtari Islamaj. Gjykata e Lartë ka identifikuar se Islamaj kishte qenë në kushtet e konfliktit të interesit, pasi rekursuesi, ILDKPKI, kishte pretenduar se vëllai i gjyqtarit ishte gjobitur nga ky institucion për shkak të mosdeklarimit të pasurisë.
Gjyqtari Islamaj tha se nuk ekzistonte konlikti i interesit, pasi ILDKPKI nuk e kishte ngritur këtë pretendim dhe nuk e kishte bërë prezent gjatë shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Apelit Tiranë. Ai shtoi se trupa gjykuese ku kishte qenë edhe ai pjesë nuk kishte trajtuar përmbajtjen, por aspektin procedurial. Ai shtoi se një praktikë të tillë nuk e kishte parë herë tjetër nga Gjykata e Lartë duke pohuar se katër prej anëtarëve të atij Kolegji ishin shkarkuar nga KPK dhe një kishte dhënë dorëheqjen.
Lidhur me këtë gjetje të Komisionit, Islamaj u pyet edhe nga vëzhguesi ndërkombëtar, Hans Klijstra i cili kërkoi të dinte nëse kishte qenë në dijeni se i vëllai kishte marrë gjobë në vitin 2016 nga ILDKPKI. “E kam ditur se vëllai është thirrur për pasaktësi në deklarime, por ILDKPKI nuk ka sjellë prova për këtë gjë, s’më ka vënë në dijeni,” pohoi Islamaj gjatë seancës dëgjimore. Pasi Klijstra këmbënguli sërish në pyetjen e tij, Islamaj tha se nuk kishte pasur informacion, por dinte që vëllai ishte i pakënaqur me një gjobë.
Një rast i dytë i mundshëm për konflikt interesi lidhej me shqyrtimin e dy çështjeve të një shoqërie ndërtuese, ku i vëllai kishte blerë një apartament dhe më pas ia kishte dhuruar babait. Islamaj tha se apartamenti ishte blerë nga vëllai dhe shlyer totalisht disa vite para se të shyrtonte çështjet e subjektit në fjalë. Ai shtoi se shoqëria ndërtuese nuk kishte ngritur pretendime për konflikt interesi.
Lidhur me Pastërinë e figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë e gjyqtarit Islamaj për vazhdimin e detyrës. Komsioni evidentoi se gjyqtarit Islamaj i është refuzuar një vizë nga Ambasada Amerikane, por Sanxhaktari shtoi se nuk janë gjetur probleme. Islamaj shpjegoi se arsyeja e refuzimit të vizës turisitike kishte qenë se ata ishin në proces bashkimi familjar, pasi vjehrri dhe vjehrra e tij jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej vitit 2005.