Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka propozuar ndryshim në ligjin për rivlerësimin e banesave. Përmes një propozimi të dorëzuar në Kuvend, deputeti socialist kërkon që të ketë rivlerësim edhe për shtëpitë dhe pallatet në proces legalizimi. Ndryshimet e bëra përfshijnë në procesin e rivlerësimit rreth 50 mijë banesa, fondi që do të shkojëpër rivlerësimin e tyre arrin vlerën e 6 miliardë lekëve, shumë e cila do tmerret nga buxheti i 2020, nëse ky projektligj miratohet. “Neni 2, parashikon se subjekt i këtij ligji është edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme të individëve: të cilët janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë; të cilët kanë kontrata sipërmarrje dhe jetojnë në pallate ende të palegalizuara. Ky projektligj vlerësohet të ketë 6 miliardë lekë efekte financiare bruto në të ardhurat e buxhetit të shtetit për vitin buxhetor 2020. Vlerësohet që procesit të rivlerësimit t’i nënshtrohen rreth 50 mijë banesa ”, thuhet në relacion. Sipas të dhënave të konstatuara, ky propozim ka për qëllim t’u ofrojë edhe njëherë qytetarëve mundësinë e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme deri më 30 gusht 2020. Afat ky që është vlerësuar nga deputeti Ahmetaj si një afat optimal për përmbushjen e dispozitave të këtij projektligji. Pra, më konkretisht, ndryshimet që do të bëhen në lidhje me rivlerësimin e pronave synojnë të trajtojnë të gjitha rastet e atyre individëve që janë në proces legalizimi të pasurive të paluajtshme apo edhe raste të individëve që kanë apartamente me kontratë porosie apo sipërmarrje, por për shkak të problemeve që ka shoqëria ndërtuese me mosrespektimin e lejes së ndërtimit, hipotekimi i pallatit nuk kryhet. Ndryshimi bënë të mundur që edhe ky individ të ketë të drejtë të rivlerësojë pasurinë e tij. Ky projektligj ka për qëllim realizimin brenda një kohe të shkurtër dhe me kosto mjaft të ulët për individët, të rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme të tyre dhe nxitjen e tregut e pasurive të paluajtshme.
Përllogaritja e fondit
Ndër të tjera në relacionin shoqërues për projektligjin sqarohet se si është bërë përllogaritja e fondit që do të shkojë për rivlerësimin e banesave, për të arritur në shumën e parashikuar. Sipas relacionit, përllogaritja ka marrë në konsideratë numrin e banesave dhe pagesën e bërë në periudhën 2011-2013, konkretisht me vlerë 4 mld lekë dhe ato të periudhës 2016-2017, me vlerën 5,1 mld lekë. “Llogaritja e efektit është bërë bazuar në numrin e banesave dhe pagesën mesatare të bërë nga individët në rivlerësimin e periudhës 2011-2013 dhe 2016-2017. Procesi i rivlerësimit të pasurisë dhe taksimi i tij me 1 % gjatë viteve 2011-2013 u bë për 95 mijë pasuri dhe gjeneroi në buxhet 4 miliard lekë, ndërsa procesi i rivlerësimit të pasurisë dhe taksimi i tij me 2% gjatë viteve 2016-2017 u bë për 63 mijë pasuri dhe gjeneroi 5,1 miliard lekë në buxhet”, sqarohet në relacion. Gjithashtu në relacion shpjegohet se në këtë proces do të ketë edhe një reduktim të të ardhurave mbi tatimin me dy mld lekë, që rrjedhimisht reduktojnë dhe efektin në buxhetin e shtetit. “Ndërkohë si rezultat i procesit të rivlerësimit, do të reduktohen të ardhurat nga tatimi mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për periudhën e rivlerësimit dhe më tej. Ky efekt në uljen e të ardhurave nga ky tatim do të ishte -2 miliardë lekë. Pra efekti neto në të ardhurat e buxhetit të shtetit do të ishte 6-2= 4 miliard lekë”, thuhet ne racion. Gjithashtu në relacion tregohet se ky projektligj do të arrijë nxjerrjen e një udhëzimi të përbashkët të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave, i cili do të parashikojë në mënyrë më të detajuar të gjithë procedurën që shoqëron procesin, duke përfshirë aplikimin, nxjerrjen e formularëve standard, tarifën e kryerjes se këtij shërbimi nga ASHK-ja.