Postuar: 07/12/2019 – 08:10
Mashtrimi me formularin e dekriminalizimit duket se do t’i hapë goxha punë Valdrin Pjetrit. Ditën e djeshme ka mbërritur nga Italia letër-porosia për Valdrin Pjetrin, kryebashkiaku socialist i Shkodrës, i dorëhequr disa javë më parë, pas akuzave të Partisë Demokratike ndaj tij, si i proceduar për trafik droge në shtetin fqinj. Në letër-porosi konfirmohet dënimi i tij në Itali. Ç’ka do të thotë se tashmë pritet që Pjetri të merret i pandehur për falsifikim dokumentesh, pasi nuk ka deklaruar dënimin e tij në Itali, në formularin e dekriminalizimi. Kjo letër-porosi vjen pasi sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme i kërkoi Interpolit dhe Europolit, informacion lidhur me precedentët penalë të Pjetrit gjatë viteve 2001-2003, pas publikimit të dokumentit nga Partia Demokratike, nëpërmjet të cilit Pjetri rezulton i dënuar në Itali për trafik droge. Sipas ligjit për dekriminalizimin, Valdrin Pjetri rrezikon të dënohet deri në katër vite burgim. “Nenit 5 i ligjit të Dekriminalizimit, fshehja e dënimit në formularin e dekriminalizimit përbën vepër penale: “Formulari i vetëdeklarimit plotësohet vetëm nga personi që është subjekt i këtij ligji. Deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrembëruara përbën vepër penale, sipas nenit 190 të Kodit Penal””, thuhet në ligj. Në mesazhin e tij të dorëheqjes, kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës, sqaroi se rasti të cilit iu referua Partia Demokratike ka ndodhur kohë më parë, kur ai ishte adoleshent. “Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkë studentë, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20-vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor”, deklaroi ai. Nga ana tjetër, Pjetri nënvizoi se në kushtet kur vetë, por dhe familja e tij po përballen me një situatë të tillë, do ta çojë deri në fund çështjen. “Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë”, nënvizoi pak ditë më parë Valdrin Pjetrin, kryebashkiaku socialist i Shkodrës, i dorëhequr disa javë më parë, pas akuzave të Partisë Demokratike.