Tjetërsuan 36 ha tokë në Spille, pas vendimit të formës së prerë prokuroria e Kavajës kërkon që toka t’i kthehet shtetit

0
387

Prokuroria e Kavajës kërkon që 36 ha tokë e tjetërsuar dhe e përfituar në mënyrë abuzive ti kthehet shtetit. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit rreth dy javë më parë, e cila la në fuqi dënimet për 9 zyrtarë lokalë në Kavajë të akuzuar për tjetërsim prone, organi i akuzës i kërkon Kadastrës të ekzekutojë vendimin për kthimin e 36 hektarëve në pronësi të shtetit. Tjetërsimi i pronës në bregdetin e Spillesë, nga i cili rezultoi të kishin përfituar edhe ish-drejtues lokalë, përfshi të afërm të ish-kryebashkiakut Elvis Roshi, u hetua nga prokuroria e këtij qyteti. Hetimi u finalizua në nëntor 2017 me arrestimin e 11 personave. urdhër-arrest u lëshua edhe ndaj shefit lokal të Hipotekës, Seid Cikalleshi. Hetimet zbuluan një skemë tjetërsimi, e cila kishte transferuar 36 ha prona publike në bregdet përmes shit-blerjeve të dyshimta. Në prill të vitit 2019 Gjykata e Kavajës vendosi se 9 nga 11 zyrtarët e arrestuar fillimisht ishin fajtorë për skemën e tjetërsimit të pronave në plazhin e Spillesë. Ish-kryeregjistruesi i Kavajës Seid Cikalleshi u dënua me 2.8 vjet burg për falsifikim dokumentesh si dhe me ndalim 2-vjeçar për ushtrimin e funksioneve publike. Dënime të ngjashme në aplikim të gjykimit të shkurtuar morën edhe 7 të pandehurit e tjerë, ndërkohë që dënimi për Aida Gjocin është konvertuar në punë të detyruar pranë ndërmarrjes komunale të Kavajës. Ky vendim u la në fuqi nga Gjykata e Apelit Durrës. Falsifikimet e pronave në Kavajë janë vetëm një prej rasteve të hetuara vitet e fundit nga prokuroria për abuzime masive me tokat publike. Prokuroria ka çuar në gjykatë ose po heton çështje të ngjashme në Shkodër, Vlorë dhe Lezhë.

Vendimi i formës së prerë

Gjykata e Apelit Durrës vendosi në fillim të nëntorit lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Kavajës për shpalljen fajtorë të 9 zyrtarëve lokalë, përfshi ish-kryeregjistruesin Seid Cikalleshi, për tjetërsimin përmes dokumenteve të falsifikuara të 36 hektarëve tokë në bregdetin e Spillesë. Seid Cikalleshi, njeriu që në cilësinë e kryetarit të Hipotekës së Kavajës tjetërsoi disa nga sipërfaqet tokësore në plazhin e Spillesë, është dënuar nga Gjykata e Apelit Durrës me 2.8 vite burgim. Kjo masë dënimi është kryer gjatë fazës së hetimit ku Cikalleshi ka qëndruar në kushtet e paraburgimit dhe “arrestit shtëpiak”. Andi Gjeçi 2.4 vite burgim dhe 2 vjet heqje të drejte për funksione publike; Asim Arkaxhiu 2 vjet burgim dhe 2 vjet heqje të drejte për funksione publike; Aldo Kila 1.8 vite burgim dhe 2 vjet heqje të drejte për funksione publike; Ilir Kaja 3 vjet burgim dhe 2 vjet heqje të drejte për funksione publike; Agron Xhelezi 2 vjet burgim dhe 2 vjet heqje të drejte për funksione publike; Dritan Kazazi 2 vjet burgim dhe 2 vjet heqje të drejte për funksione publike dhe Aida Gjoci 8 muaj burgim konvertuar në 120 orë punë të detyruar në ndërmarrjen komunale të Bashkisë Kavajë. Prokuroria ka urdhëruar Departamentin e Administratës Publike që të përjashtojnë nga skema e punësimit në administratë për një periudhë dy-vjeçare personat e mësipërm të dënuar me vendim të formës së prerë. Të gjithë personat janë dënuar si pjesë e zinxhirit abuziv në tjetërsimin e pronave. Nga ana tjetër Prokuroria e Kavajës i është drejtuar me një urdhër ekzekutimi zyrës së Hipotekës së Kavajës, duke kërkuar që të gjitha certifikatat e pasurive që dikur kanë qenë pronë shtet dhe janë tjetërsuar tek privatët si pasojë e veprimeve kriminale të personave të dënuar, duhet të fshihen. Parcelat me numër 1,35,37,42 dhe 178 ndodhur në Spille të kalojnë pronësinë nga privati në pronësi shtet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here