Presidenti i Kastrati Group dhe njëkohësisht i Albania Highëay Concession, Shefqet Kastrati bën thirrje për të gjithë shqiptarët që kanë mundësi të kontribuojnë për të lehtësuar sado pak tragjedinë që ka pllakosur vendin pas tërmetit. Ai deklaron se e ka dhënë në çast urdhrin e mos marrjes së asnjë kokërr leku nga askush që ka kaluar nëpër Rrugën e Kombit për ndihmë, ndërsa shprehet se bashkë me familjen kanë ndarë 1.5 milionë euro për familjet e prekura nga tërmeti dhe se e bën publik këtë donacion vetëm që t’i bëjnë thirrje atyre që kanë më shumë se të tjerët se sot nuk është të kursejnë.
Më tej Presidenti i Kastrati Group iu shpreh ngushëllime familjarëve që humbën të dashurit e tyre në këtë katastrofë.
“Tragjedia shqiptare më ka tronditur thellësisht mua dhe familjen time, bashkë me vëllezërit e mi. Jemi munduar të ndihmojmë e të lehtësojmë sa mundemi këto ditë. Si gjithnjë – pa zhurmë. E kam dhënë në çast urdhrin e mosmarrjes së asnjë kokërr leku nga askush që ka kaluar nëpër Rrugën e Kombit për ndihmë.
Pa bërë asnjë publicitet, sepse gjithmonë kam ecur me parimin: ‘Kur ndihmon një rob të Zotit në nevojë, duhet ta shohë veç ai lart!’.
Unë dhe familja ime kemi ndarë 1.5 milionë euro që kjo dhimbje e madhe që të lehtësohet sado pak.
Vendosëm ta bëjmë publik kontributin tonë për familjet e tërmetit vetëm që t’i bëjmë thirrje atyre që kanë më shumë se të tjerët: Kjo s’është dita të kurseje asgjë shqiptari që ka shumë për shqiptarin që ka humbur gjithçka! Ngushëllime familjarëve që humbën njerëz në këtë katastrofë dhe Zoti i Madh qoftë me Shqipërinë e plagosur!”, shprehet Presidenti i Kastrati Group.