Një situatë emergjente dhe e jashtëzakonshme ka kapluar gjithë vendin. Shqipëria u godit dje nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.4. Qindra persona raportohen të jenë plagosur, ndërkohë që dhjetra të tjera ende nuk janë gjetur nën rrënoja. Por pavarësisht këtyre, forcat e kërkim shpëtimit kanë punuar për aq sa koha iu ka premtuar, për të nxjerrë të gjithë personat që ndodhen nën rrënoja. Ndërkohë frika e qytetarëve qëndron tek pasgoditjes e tërmetit. Ata janë të frikësuar nëse do të ketë apo jo tërmete të tjera po kaq të fuqishëm. Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka monitoruar të gjithë situatën e pas tërmetit dhe pasgoditjeve të lëkundjeve sizmike që prej orës 03:54 minuta të ditës së djeshme. Ndërkohë që situata shfaqet e rënduar, sizmologu Rexhep Koçi ka dhënë lajme të mira dhe ka ç’tensionuar disi situatën. Në një prononcim për mediat, sizmolog i IGJEUM, Rexhep Koçi u shpreh se tërmeti i regjistruar mëngjesin e djeshëm, me magnitudë 6.3 të shkallës Rihter, thellësi 40 km i lokalizuar në veri të Durrësit, u shoqërua nga një numër i konsiderueshëm pasgoditjesh, të cilat kanë qenë më të lehta çka provon rënien e aktivitetit sizmik gjatë ditës. “Deri në orën 15:00 të ditës së djeshme janë regjistruar 250 pasgoditje me magnitudë nën 5 të shkallës Rihter. Ne vazhdojmë të ndjekim situatën. Jemi duke monitoruar çdo moment, por trendi tregon që tërmeti është duke ulur fuqinë goditëse”, u shpreh Koçi. Ai ka deklaruar dje se nuk ka vend për panik, pasi pavarësisht momenteve me ndonjë impuls më të lartë, lëkundjet sizmike pas tërmetit të parë kanë qenë të gjithë poshtë magnitudës 5 Rihter. “Nga tërmeti i 21 shtatorit aktiviteti sizmik në vendin ka qenë shumë aktiv, por sot ai u rigjenerua përsëri duke regjistruar këtë ngjarje kryesore”, ka pohuar sizmologu. Ai gjithashtu deklaroi se tërmetet nuk mund të parashikohen, por pas goditjes kryesore lëkundjet e mëvonshme nuk do të jenë aq të forta. “Shpresojmë që të mos jenë me impakt dhe me ndjeshmëri të lartë”, nënvizoi ai.
Home Aktualitet Sizmologët thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë: Aktiviteti sizmik në rënie, tërmeti po...