Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar dozën e kritikave ndaj Bashkimit Europian, sa i takon bllokimit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Fillimisht ka qenë Departamenti Amerikan i Shtetit që ka kritikuar ashpër Francën, ndërkohë që dje ishte Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit në detyrë për Europën dhe Euroazinë, Philip T. Reeker, që ka hedhur po ashtu kritika ndaj BE dhe kryesisht Francës. Në një intervistë për radion Europa e Lirë, Reeker ka deklaruar se disa liderë të BE-së kanë pikëpamje të shekullit të 19-të. “Republika e Maqedonisë Veriore dhe Shqipëria kanë bërë përpjekje për integrimin në BE. Njerëzit e këtyre vendeve duan t’i bashkohen BE-së. Ne e kemi mbështetur zgjerimin e BE. Jemi të zhgënjyer kur shohim disa liderë që kanë pikëpamje të shekullit të 19-të”, ka deklaruar Reeker. Gjithashtu gjatë intervistës Reeker theksoi se Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo e bëri shumë të qartë këtë zhgënjim, që Këshilli i Bashkimit Europian nuk arriti të ecë përpara me bisedimet e anëtarësimit për të dy këto vende. Po ashtu ai tha se edhe pse nuk janë pjesë e BE, SHBA e ka mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në BE, teksa shtoi se mendon se të dyja vendet i kanë përmbushur standardet europiane për në BE. “Perspektiva europiane, ideja se këto dy vende europiane dëshirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Europian ka qenë një komponent kryesor i politikës tonë të jashtme. Ne nuk jemi pjesë e Bashkimit Europian, por ne e kemi mbështetur këtë ide duke mbështetur edhe reformat që këto dy vende kanë ndërmarrë për të ecur përpara në këtë drejtim sepse mendojmë se është në interesin e vete këtyre vendeve, të rajonit dhe Bashkimit Europian”, ka deklaruar ndër të tjera Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit.
Reagon Hahn
Ndërkohë ka qenë edhe një tjetër zë i cili po ashtu ka dalë pro hapjes së negociatave për Shqipërinë, si edhe ka kritikuar vendimin e KE për bllokimin e negociatave. Ka qenë Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili përmes një postimi në Twitter ka deklaruar se shumë shpejt vendimi i Këshillit të Europës për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të ndryshojë. “Rezultati zhgënjyes i Këshillit të kaluar Europian, që i refuzoi Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut fillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian shumë shpejt do të ndryshojë”, shkruan Hahn në Twitter. Ndërkohë që kjo deklaratë e Hanh ka ardhur pas takimit që ai dhe presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker patën me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel, ditën e djeshme. Këshilli i Europës vendosi në tetor që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të mos i jepnin një përgjigje pozitive, duke shtyrë kështu vendimin, ky vendim solli pakënaqësi të madhe jo vetëm për dy vendet, por edhe për shumë kryetarë shtetesh, të cilët e cilësuan një gabim historik.
Reagon Kukan
Ndërkohë ish-eurodeputeti Eduard Kukan e ka cilësuar si një gabim shumë të rëndë vendimin e Këshillit Europian për të mos dhënë një datë për fillimin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas tij ky vendim do të krijojë një atmosferë negative jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por kudo në politikën ndërkombëtare. “Unë mendoj se duhet të flasim me një gjuhë shumë të qartë. Ishte një gabim nga ana e Këshillit për të mos dhënë një datë për fillimin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ishte një gabim shumë i rëndë, një gabim i madh. Dhe unë mendoj se ne të gjithë jemi pjesë e këtyre pasojave, pasoja negative si rezultat i këtij vendimi”, deklaroi ish-eurodeputeti sllovak Eduard Kukan.
Arbjona ÇIBUKU








































