Filmi shqiptar “Ndërkombëtarët” me regji nga Pluton Vasi vjen në kinema për publikun. Filmi sjell në role aktorë të njohur, por dhe emra të rinj. Çfarë e ndan diplomacinë nga teatri?! Çdo kujt mund t’i qëllojë të bjerë në dashuri pavarësisht nga mosha, pavarësisht nga raca dhe aq me tepër ku dhe si në filmin artistik “Ndërkombëtarët”. Në filmin me skenar nga Ylljet Aliçka, që nesër do të fillojë të shfaqet në kinema Cineplexx, aktorë janë Eni Shehu, Kastriot Çaushi, Hervin Çuli, Karafil Shena, Indri Shiroka, Rovena Lule, Alert Çeloaliaj, Alfred Trebicka, Lulzim Zeqja, Erjona Kakeli, Adele Gjoka, Mehdi Malkaj, Ardian Cerga, Albana Sancolli, Sara Kolami, Elidjon Grembi, Zhaklina Gjolla, Leander Leo Ljarja, Klark Morina, Vlera Pylla, etj. Gjithçka ka nisur nga libri i Ylljet Aliçkës, “Rrëfenjë me ndërkombëtarë” dhe filmi tregon për ndërkombëtarët, nga të cilët megjithëse shqiptarët presin shumë, realiteti në fakt është ndryshe. “Rrëfenjë me ndërkombëtarë”, një sarkazëm therëse mbi kulturën e zotërimit dhe nënshtrimit që ende ekziston mes vendeve në tranzicion si Shqipëria, dhe pranisë së të huajve nga institucione diplomatike dhe organizatash të huaja. Romani tregon historinë e një nëpunësi lokal, apo më saktë dështimin e tij profesional në një institucion të rëndësishëm ndërkombëtar që ka të bëjë me të huaj, të cilët në vendin e tyre të origjinës janë njerëz krejt normalë ndjehen të rëndësishëm tek marrin mision t’i tregojnë kë- tyre vendeve në tranzicion rrugën e përparimit. Xhirimet e filmit “Ndërkombëtarët” janë zhvilluar mes Tiranës dhe Durrësit. Xhirime janë zhvilluar edhe në ambientet e Teatrit Kombëtar.
Ndërkombëtarët dhe realiteti
Më herët regjisori Pluton Vasi ka treguar se “Ndërkombëtarët” vjen si një komedi e zezë. “Filmi është një komedi e zezë, dhe ka situata dhe marrëdhënie tepër interesante, që përbëjnë një risi në komunikimin mediatik, në komunikim midis spektatorit dhe kinemasë”, shprehet regjisori Pluton Vasi. Filmi tregon për ndërkombëtarët, nga të cilët megjithëse shqiptarët presin shumë, realiteti në fakt është ndryshe, por regjisori Pluton Vasi tregon se nuk duhet përgjithësuar e gjithë diplomacia. “Ndërkombëtarët në vendet e tyre janë njerëz të thjeshtë, por kur vijnë këtu futen në një petk krejt ndryshe dhe e shesin veten sikur kush janë. Ky është thelbi. Por kjo gjë ndodh dhe me ndihmën e shqiptarëve. Ne gjithmonë i kemi pasur referencë ndërkombëtarët. Sigurisht që kjo nuk duhet përgjithësuar për diplomacinë, sepse kjo është historia personale e Roshit, gjë që ai e thotë dhe në fund të filmit, që këtë zhgënjim e kam unë, por nuk do të thotë që është kështu për të gjithë”, vijon ai. Ky është një prodhim i kompanisë filmike “ARTFILM P&D”, me producente Vjollca Dedei dhe bashkëproducent Driton Sahiti, kompania “MC”. Ky film është mbështetur kryesisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Radiotelevizioni Publik Shqiptar. Pluton Vasi është një regjisor shqiptar, i njohur për individualitetin e tij në krijimtari si në filmin dokumentar dhe në filmin artistik. Për punët e tij ai është nderuar me çmime brenda dhe jashtë vendit. Krijimtaria e Pluton Vasit si regjisor dhe skenarist përfshin këta filma artistikë: Maya 2011, Shqetësimet e një obezi 2008, Këtu bën ftohtë 1993. Filmat e tij dokumentarë më të suksesshëm janë: Kënga, Ata ikën drejt qiellit, Ortek në tri kohë, Mjekër e Thinjur, Gjitonia, Sofra – dashuri Bektashiane, Rrathët, etj.
Nga Julia Vrapi