Prokuroria e Kavajës ka lëshuar urdhër ndalimi për Marsida Qatjan, në banesën e së cilës një ditë më parë u vra Dritan Haxholli dhe u plagos efektivi i Policisë së Burgjeve, Bledar Toçi. 30-vjeçarja do të rimerret në pyetje, pasi sipas organit të akuzës, ka të dhëna kontradiktore në dëshmitë e saj dhënë për policinë e më pas për median. Për policinë Marsida ka deklaruar se viktima Haxholli i kërkonte marrëdhënie seksuale, ndërsa për median ajo u shpreh se kishte vetëm marrëdhënie shoqërore më të. Qatja gjithashtu tha për gazetarët se nuk ka lidhje me drogën dhe se në shtëpinë e saj nuk ka pasur kokainë, edhe pse nga provat e mbledhura nga policia rezultoi krejt e kundërta. Ndërkohë, në dëshminë e saj për hetuesit, ajo është shprehur se është përdoruese e kokainës. Gjithashtu burime thanë se në prokurori u shoqëruan edhe dy djemtë që ishin në banesë, Xhuljo Biturku dhe Ermir Çela. Ky i fundit do të pyetet se kujt ja bleu kokainën që u gjet në apartamentin e Marsida Qatjas. Ndërkohë është zbardhur edhe dëshmia e Bledar Toçit. Shefi i Sigurisë së Brendshme në Burgun e Durrësit, ka thënë se nuk patur për qëllim të vriste Dritan Haxhollin. Në dëshminë e dhënë para hetuesve për ngjarjen e rëndë që tronditi Kavajën të mërkurën, Toçi është shprehur se ka qenë Marsida Qatja ajo që i kishte kërkuar ndihmë. Sipas tij, 30-vjeçarja ishte e frikësuar nga Dritan Haxholli. “Armën e kisha me vete pasi sapo kisha lënë punën. Nuk kisha qëllim të kryeja ndonjë vrasje. Marsida kishte dy ditë që më thoshte se e kërcënonte Haxholli. Ne ishim në banesën e Marsidës për të zgjidhur konfliktin që Haxholli të hiqte dorë nga ajo. Situatën e bëri alarmante Marsida, pasi kishte frikë se Dritani do t’i merrte fëmijën 2 vjeç”, ka thënë 31-vjeçari. Viktima ishte i pari që qëlloi me armë, por mbeti i vdekur nga reagimi i Bledar Toçit. Kurse ky i fundit mbeti i plagosur. Shefi i sigurisë së brendshme të burgut është arrestuar tashmë nga policia për akuzën e vrasjes me dashje. Marsida Qatja, nënë e tre fëmijëve, në momentin e ngjarjes ka qenë në banesë edhe me fëmijën e vogël.
Ngjarja
Mbrëmjen e së mërkurës në të gdhirë të së enjtes, Bledar Toçi ka shkuar në banesën e Marsida Qatjas dhe ka qëndruar sëbashku me të, në prani edhe të Xhuljo Biturkut, fqinj dhe shokë me Marsida Qatja si dhe Ermir Çela, shok i saj. Rreth orës 00:40 tek banesa e Marsida Qatjas ka shkuar Dritan Haxholli, i cili ka pasur me vete edhe një armë zjarri automatik dhe me qytën e armës ka goditur dritaren e kuzhinës së banesës e cila ndodhet në katin e parë të pallatit. E ndodhur nën presionin e ish-të dashurit të saj, Marsida Qatja ka komunikuar me Haxhollin, duke i thënë që të vinte brenda për tu sqaruar dhe në vijim ajo ka hapur derën e banesës së saj dhe në këto momente është futur në derë me armë në dorë dhe ka konstatuar se në banesë ndodhej Bledar Toçi. Dritan Haxholli ka qëlluar me armë në drejtim të tij duke plagosur atë, në këto momente Bledar Toçi ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë që kishte me vete dhe ka shkëmbyer zjarr me Dritan Haxhollin, i cili ka mbetur i vdekur në vend. E gjithë përplasja ka ndodhur brenda ambienteve të shtëpisë 67 metra katror dhe në prezencë të fëmijës 2-vjeçar të Marsida Qatjas, që fatmirësisht nuk ka pësuar asnjë lëndim dhe ndodhej në gjumë në katin e dytë të apartamentit duplex. Në vendngjarje ka pasur 16 gëzhoja ndërsa janë sekuestruar dhe automatiku me 28 fishekë në karikator dhe pistoleta. Ndërkohë kanë vazhduar veprimet e tjera hetimore, ku është bërë kontrolli banesës së Bledar Toçi në lagjen 2 në Kavajë ku në banesën e tij, vëllait të 31-vjecarit, Benard Toçit iu gjet një sasi kokaine e ndarë në 7 doza me sasi afërsisht 4 gramë. Policia ka ngritur dyshime se lënda narkotike shpërndahej në ambientet e brendshme të Burgut të Durrësit dhe në klubet e Kavajës.
Elvis MYRTA








































