Drafti, ja benefitet që do të përfitojnë pensionistët, nga rritja e pensionit, te transporti falas dhe kujdesi shëndetësor në banesë

0
439

Qeveria planifikon që çdo vit të ketë rritje në masën 5% të pensioneve në vend. Ministria e Çështjeve Sociale ka nxjerrë për konsultim Planin Kombëtar të Veprimit mbi Moshimin 2020-2025 dhe aty tregohen të gjitha benefitet që do të përfitojnë të moshuarit. Së pari synohet përcaktimi i pensionit minimal me vendim qeverie. Pra për herë të parë do të vendoset një dysheme për të gjithë pensionistët në vend, që do të thotë se asnjë pensionist nuk do të marrë më pak se vlera e vendosur nga ekzekutivi. Kjo do të pasohet me rritje 5% të pensioneve çdo vit.

Ky është një nga objektivat kryesorë të planit, që pritet të përmbushet deri në fund të vitit 2025. Sipas draftit, qëllimi është garantimi i kushteve për një jetesë dinjitoze, ndërsa saktësohet se pensionet duhet të arrijnë të mbulojnë nevojat elementare të individëve për të siguruar jetën, shëndetin dhe përfshirjen sociale. Sipas planit të publikuar, nga viti në vit vlera do të ritet me 5% për të gjithë pensionistët, të cilët sot marrin pensione me vlerë shumë të ulët në raport me shpenzimet për nevojat bazë. Zbatimi i këtij plani 5 vjeçar pritet të arrijë vlerën e 1,4 mld lekëve. Referuar buxhetit që shoqëron dokumentin e nxjerrë për konsultim, parashikohet që vetëm 1,38 mld lekë të mbulohen nga buxheti i shtetit, ndërsa 15 mln lekë mbeten kosto të pambuluara. Qëllimi kryesor i draftit është rritja e mirëqenies sociale dhe ekonomike të moshës së tretë në vend. Sepse sipas të dhënave të fundit, mosha e tretë ndodhet në një gjendje të vështirë ekonomike. Raporti i vartësisë së moshimit pothuaj u dyfishua nga 8.6% në vitin 1989 në 16.7% në vitin 2011. Në vitin 2030, ky raport do të jetë dyfishuar sërish për të arritur në nivelin 32.9%. Nxitur nga këto të dhëna, ky plan synon përmisimin e kushteve të jetesës, duke përllogaritur që pensionet të arrijnë të mbulojë nevojat bazë të çdo individi, për të siguruar jetën, përmirësuar kushtet shëndetësore dhe përfshirjen në jetën sociale.

Transport dhe kujdes shëndetësor

Plani Kombëtar i Moshimit përcakton edhe një sërë objektivësh të tjerë, që do të duhet të arrihen gjatë 5 viteve të ardhshëm. Synohet rritja e aksesit në transportin publik për të moshuarit më të varfër përmes skemave te subvencionimit. Këtu përfshihen kryesisht pensionistët që trajtohen me pension social. Megjithatë, plani parashikon ndërmarrjen e politikave lehtësuese edhe për pensionistë të tjerë nga ana e bashkive me mbi 100 mijë banorë. Por, pavarësisht se plani synon kryesisht mbrojtjen e pensionistëve më në nevojë, ai kërkon gjithashtu dhe pjesëmarrje më të gjerë të të moshuarve në jetën komunitare. Në këtë kuadër kërkohet ofrimi sistematik nga ana e bashkive të aktiviteteve kulturore e sociale me përfshirje të të moshuarve të vetmuar (vizita turistike në qytete të Shqipërisë, konkurse letërsie dhe muzike, përkujtimore të personave të shquar, etj). Më tej në plan paraqitet aplikim i tarifave të reduktuara për personat mbi 65 vjeç për evente artistike apo sportive të ofruara nga vetë bashkia apo agjenci të tjera publike a private. Ndërkaq, një tjetër qëllim është edhe ofrimi i shërbimeve sociale dhe shëndetësore të përshtatshme dhe të integruara për të moshuarit, duke përmendur rritjen e qendrave ditore, e deri te ofrimi i kujdesit shëndetësor në banesë për ata persona që kanë mbetur pa mbështetje familjare. 

Esmeralda Hida

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here