Spartak Ngjela: Korrupsioni shtetëror po punon për të penguar SPAK, përpjekjet e tyre të kota dhe të dështuara

0
406

Avokati Spartak Ngjela i akuzoi dje politikanët shqiptarë se po punojnë kundër reformës në drejtësi. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai tha se ata po tentojnë të pengojnë ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. “Ku konsiston sot si spikatje e prekshme qëllimi prishës i Ramës dhe Bashës? Rama, Basha dhe i gjithë korrupsioni shtetëror shqiptar po ka tani qëllim deri në tmerr për arritjen e dy aspekteve në ndalimin reformues të shoqërisë shqiptare: Moslejimi i aplikimit të reformës në drejtësi; Dhe, moslejimi i ndryshimit të sistemit zgjedhor në mazhoritar apo në proporcional me lista të hapura. Në këto momente dallon se antireforma po punon me KLP dhe drejtuesin e saj, Gent Ibrahimi, për të krijuar zvarritje dhe bllokime të kota procedurale për emërimin e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Gjithçka ka të bëjë me SPAK. Se këtu është mbështjellë frika Rama-Basha”, tha avokati. Ai shtoi se çdo tentativë e tyrja është e kotë sepse asgjë nuk e pengon dot ngritjen e SPAK. “Këta po duan që më çdo kusht të zvarriten emërimet në Prokurorinë e Posaçme dhe në Byronë Kombëtare të Hetimit. Por e kanë të kotë. Është krejt e krejt një ndërmarrje e dështuar, edhe pse ka shenja që në këtë zvarritje po merr pjesë dhe edhe Gent Ibrahimi, kryetar i KLP”, theksoi Ngjela. Sipas avokatit, amerikanët e dinë mirë që politikanët shqiptarë nuk luftojnë për interesin kombëtar, por për interesin vetjak. Spartak Ngjela tha se sytë e të korruptuarve janë drejtuar nga Greqia, Serbia dhe Rusia. “Politika amerikane tani e di mirë se këta individë që luajnë për interesin e tyre vetjak, nuk kanë lidhje fare me interesin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Madje janë në armiqësi të hapur me interesin e shqiptarëve. Në fakt kjo ka qenë pjesa më e errët e historisë së Shqipërisë. Të korruptuarit liderë të Shqipërisë kanë qenë lakej të fqinjëve pushtues territoresh shqiptare, sepse kështu, me anë të tyre, këta ose kanë ardhur në pushtet, ose kanë mbajtur pushtetin. Të gjithë, në njëqind vjet, kanë tentuar ose nga Beogradi e Moska, ose nga Athina. Njëlloj si edhe sot. Dhe fatkeqësia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve gjithmonë ka qenë fakti i hidhur që pushteti politik është paguar nga fqinjët kundër shqiptarëve”, tha Spartak Ngjela. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here