Gjyqtarja e Apelit për Krimet e Rënda, Dhurata Haveri doli dje sërish para trupës gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Për të qe zhvilluar edhe një tjetër seancë dëgjimore në 24 korrik, por teksa pritej që të jepej vendimi, KPK vendosi të riçelte hetimet. Hetimet e thelluara të KPK thjesht rënduan më shumë pozitat e gjyqtares Haveri. Komisionerët e vetingut gjetën të tjera probleme me pasurinë e saj. Relatorja Zhegu shpjegoi në fillim të seancës se trupi gjykues kishte vendosur të rihapte hetimet me qëllim marrjen e informacioneve të reja nga disa institucione shtetërore. “Enti i Banesave ka dërguar pranë Komisionit dosjen e plotë të privatizimit të apartamentit 76 m2, nga ku rezultonte se familja e bashkëshortit kishte fituar statusin e pastrehë, pasi babai gëzonte statusin e veteranit”, shpjegoi relatorja. Lidhur me këtë pasuri, kryesuesi Olsi Komici pyeti avokaten e Haverit se kush kishte jetuar në këtë apartament, nga momenti i privatizimit deri kur është shitur. Avokatja e gjyqtares u përgjigj se në atë apartament kishte jetuar Haveri dhe familja e saj. Një tjetër problem i gjetur nga trupa gjykuese për gjyqtaren e Apelit të Krimeve të Rënda ishin udhëtimet jashtë vendit. KPK kishte pyetur tek Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe tek Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda nëse gjyqtarja kishte kryer udhëtime pune. Përgjigjja e ardhur kishte qenë negative. Por mbrojtësja ligjore e Haverit pretendoi se shkresa e firmosur nga kancelarja e gjykatës nuk ishte e vlefshme sepse sipas saj, Dhurata Haveri ka kryer një trajnim në Holandë në vitin 2015 dhe se për këtë kishte marrë leje nga ish-kryetari i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit identifikoi edhe një gjetje të re lidhur me mospasqyrimin e shpenzimeve për studimet e vajzës në universitetin “New York” në vlerën 9.750 euro. Një tjetër gjetje e Komisionit ishte mosdeklarimi i shlyerjes së një kredie 1 milion lekë. Sipas KPK, Haveri ka deklaruar se ka shlyer 500 mijë lekë, por jo pjesën tjetër. KPK do të shpallë vendimin për të më datë 27 shtator, ora 09:30.











































