Reja i thur lavde vetes: Shqipëria ime më e mira ndër vite, shpresojmë ende Europianin

0
363

Shqipëria luajti në shtator dy ndeshje kualifikuese për Euro-2020, në kuadër të grupit H, ku humbi ndaj Francës 4-1, në një nga duelet më të dobëta të saj në këto eliminatore dhe nga më të dobëtat e viteve të fundit, por fitoi duelin m Islandën 4-2 dhe riktheu optimizmin në kampin e kuq dhe njëherësh futi kuqezinjtë në vallen e kualifikimit, paçka se skuadra mban vendin e katërt në renditje, me 6 pikë më pak se Franca dhe Turqia që mbajnë vendet e para (nga 15 pikë secila), si dhe 3 pikë më pak se Islanda që ka 12 pikë. Pra Kuqezinjtë kanë 9 pikë, në vend të katërt, por në pozita dukshme më të mira se Moldavia që ka vendin e pestë dhe që na pret në Kishiniev në mesin e muajit tetor. Sa i takon Andorrës, me zero pikë, është në garë thjesht për statistikë. Pra Shqipëria ka shanse për të shkuar në Europian, por këto shanse janë vetëm teorike, pasi Franca dhe Turqia kanë shanse reale për të shkuar në fazën finale të Europianit të vitit të ardhshëm. Sidoqoftë, trajneri Edi Reja ende shpreson dhe këtë e ka shfaqur në një intervistë të dhënë për të përditshmen e njohur italiane, “Tuttomercatoweb”, ku ai ka dhënë opinionin e tij edhe për futbollistët kuqezinj që luajnë në Serinë A. Duke nisur nga Hysaj, por edhe tek të tjerët, Reja thotë se ata po rriten, sidomos Gjimshiti që ka marrë përparësi tek Atalanta, por edhe të rinjtë Kumbulla e Dermaku, që kanë marrë ftesa dhe kanë shans aktivizimi si titullarë. Në fillim ai komentoi formën e Hysajt, pasi shkodrani po vuan jo pak tek Napoli. “Tani për tani, Hysaj nuk është prekur nga mosaktivizimi te Napoli. Ai shënoi një gol të bukur kundër Islandës. Unë dua ta shfrytëzoj nga mesfusha e lart dhe Hysaj po dëshmon se është shumë i aftë edhe në këtë qasje taktike”, theksoi Reja. Më pas vjen komenti për mbrojtësin tjetër kuqezi, Berat Gjimshitin, të cilin trajneri Reja jo vetëm e vlerëson pozitivisht, por e sheh edhe si lojtar në rritje të vazhdueshme dhe që jep garanci në prapavijë. “E kam pasur lojtar edhe vite më parë, ai ishte një futbollist i mirë. Tani është më i pjekur, po bën më shumë se mirë tek Atalanta. Aty ka qenë gjithmonë një nga më të mirët. Pavarësisht nga vështirësitë mbrojtëse, Gjimshiti është gjithmonë mjaftueshëm në rolin e tij”, shtoi tekniku kuqezi, Reja. Nuk kishte si të mungonte në këtë intervistë të tij edhe opinioni mbi fitoren e bujshme ndaj Islandës, me rezultatin 4-2 në stadiumin e Elbasanit, një fitore që e futi Shqipërinë sërish në vallen e kualifikimit. “Kualifikimi do të jetë i vështirë, do të varet shumë nga rezultati që do të marrim në Turqi. Ne duhet ta fitojmë këtë transfertë, plus ndeshjen tjetër kundër Moldavisë, gjithmonë larg shtëpisë, që të kemi shpresë. Përndryshe, bëhet e vështirë”, nënvizoi më tej Reja. Tekniku veteran italian, lavdëron disi veten e tij në këtë intervistë, teksa thotë se Shqipëria nën drejtimin e tij po bën ndeshje të mira dhe një futboll që nuk ishte parë më herët, duke lënë kështu disi në hije De Biazin, gjë që është e pamundur për shkak të sukseseve të ish-teknikut. Në të njëjtën kohë Reja mendon se kualifikimi mbetet i hapur, pavarësisht se për Shqipërinë do të jetë e vështirë të shkojë në Europian, sepse në tetor ka dy duele të vështira në transfertë, duele që do të jenë vendimtare për fatet e kualifikimit. “Grupi ynë nuk është i lehtë, Franca është mbi të tjerët. Islanda është gjithashtu një ekip i mirë, por e merituam fitoren e fundit ndaj saj. Ne po bëjmë një punë të mirë, kam ndryshuar shumë lojtarë, duke futur të tjerë, që dëshmuan se e meritonin më shumë. Ne po përparojmë, në Shqipëri thonë se kurrë nuk kanë parë të luajnë futboll si ky. Shpresoj se mund të bëjmë edhe më mirë”, përfundoi trajneri kuqezi, Edi Reja. Siç shihet dhe nga fjalët e trajnerit, kualifikimi në Europian vitin e ardhshëm shihet i vështirë dhe varet drejtpërdrejt nga dy sfidat e radhës me Turqinë dhe Moldavinë, por sfida më vendimtare është ajo me turqit, pasi janë rival direkt për vendin e dytë. Një fitore na fut automatikisht në lojë dhe na afron me objektivin, në të kundërt duhet të luftojmë për vend të tretë.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here