SHBA vulos paktin Kosovë-Serbi, pas Thaçit, Trump pret në takim Edi Ramën, kryeministri vizitë zyrtare në New York

0
317

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se po shkojnë drejt përmbylljes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Pak ditë më parë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi zhvilloi një vizitë zyrtare në SHBA, ku prit nga Presidenti i Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Donald Trump. Në fokus të takimit mes dy krerëve të shtetit, ishte dialogu Kosovë-Serbi. Por në këtë mes duket se është përfshirë edhe Shqipëria. Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar ditën e djeshme drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Tre ditë më parë kreu i qeverisë fillimisht e anuloi vizitën duke u kthyer në Tiranë për të ndjekur nga afër situatën pas tërmetit të fuqishëm që tronditi vendin, por dje ka shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në asamble, ndërsa shprehet se do të takohet mes të tjerash edhe me presidentin e SHBA, Donald Trump. Sipas informacioneve, mësohet se në takimin që shefi i qeverisë shqiptare pritet të zhvillojë me zotin Trump, mes shumë çështjesh në fokus të diskutimit pritet që të jetë edhe dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, sa i takon korrigjimi të kufijve mes dy vendeve. Kujtojmë që, Presidenti kosovar, Hashim Thaçi dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama janë dy nga liderët që mbështesin korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu që, nisur nga fakti që ata të janë pritur nga Presidenti amerikan Donald Trump, tregon se marrëveshja dhe dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës ka shkuar në një fazë të re. Thënë më troç, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se janë të vendosura për ta vulosur dhe dhënë bekimin e tyre për një pakt të ri Kosovë-Serbi. Madje, ajo që e vërteton më së miri se amerikanët janë të interesuar për thellimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është fakti se në fundin e gushtit të këtij viti, Sekretari Amerikan i Shtetit ka emëruar zëvendësndihmës Sekretarin, Matthew Palmer, Përfaqësues të tij të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Departamenti i Shtetit tha se Palmer do të udhëheqë përpjekjet e Shtëpisë së bardhë për të forcuar angazhimin diplomatik amerikan në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Rama: Ja pse e mbështes marrëveshjen Kosovë-Serbi

Një tjetër tregues i fortë që tregon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuar që Kosova dhe Serbia të shkojnë drejt një marrëveshje me njëra-tjetrën, ku padyshim që edhe Shqipëria të ketë rolin e saj, është telefonata që këshilltari për Sigurinë i Presidentit amerikan, John Bolton pati me kryeministrin Edi Rama pak muaj më parë. Ky i fundit bëri me dije se në fokusin e telefonatës ishte Shqipëria, rajoni dhe objektivi strategjik për një marrëveshje paqeje mes Kosovës e Serbisë, në mënyrë që në Ballkan të mbyllej konflikti historik. “Bisedë me Shtëpinë e Bardhë. Në fokus Shqipëria, rajoni dhe objektivi strategjik për një marrëveshje paqeje mes Kosovës e Serbisë, që të mbyllë konfliktin historik. Këshilltari për Sigurinë, J.Bolton, më falënderoi në emër të Presidentit për qëndrimet konseguente të Shqipërisë”, deklaroi Rama.

Kryeministri shqiptar takon kryeministrin grek

Në kuadër të vizitës së tij në New York, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar edhe një takim me kryeministrin e Greqisë, Kiriakos Mitzotaqis. Sipas informacioneve, mësohet se në fokus të takimit ka qenë çështja e minoriteteve dhe garantimi i të drejtave të këtyre kategorive në vendet respektive ku jetojnë. Po ashtu, mësohet se në fokus të takimit ka qenë edhe integrimi evropian i Shqipërisë, për të cilën mësohet se Greqia nuk do të jetë pengesë për vendin tonë, sa i takon çeljes së negociatave. “Me kryeministrin e Greqisë, Kiriakos Mitzotaqis. Prezantim miqësor dhe bashkëbisedim i hapur”, deklaroi dje Rama në rrjetet sociale.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here