Nis zbatimi i ligjit për trajnimin financiar suplementar të naftëtarëve. Në maj të këtij viti Parlamenti miratoi një sërë ndryshimesh në ligj duke mundësuar një pension për naftëtarët, minatorët dhe metalurgët. Dje Shoqëria Albpetrol njoftoi se ka filluar lëshimin e vërtetimeve të posaçme, ku do të bëhet konfirmimi i llojit të punës për naftëtarët. Gjithashtu janë ngritur sportele të posaçme për tu ardhur në ndihmë qytetarëve. “Shoqëria Albpetrol sh.a njofton të gjithë personat e interesuar se ka nisur lëshimi i vërtetimeve të posaçme të konfirmimit të llojit të punës, në zbatim të Ligjit Nr.29/2019 datë 23.05.2019 “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”. Të gjithë personat e interesuar për t’u pajisur me këtë vërtetim të posaçëm të konfirmimit të llojit të punës për të gjithë periudhën e punuar në Albpetrol sh.a. dhe me bazën e vlerësueshme të të ardhurave për periudhën pas vitit 1994, duhet të aplikojnë në sportelin e ngritur enkas pranë shoqërisë Albpetrol sh.a në adresën: Albpetrol sh.a, Km.7 i rrugës Fier-Patos. Ndërkohë për t’i ardhur sa më pranë qytetarëve, shoqëria Albpetrol sh.a ka hapur edhe dy sportele të tjera: Kuçovë, Gorisht. Çdo person i interesuar duhet të plotësojë formularin përkatës, i cili mund të shkarkohet online në faqen e Albpetrol sh.a www.albpetrol.al. Aplikuesi duhet të ketë më vete: Një kopje të Librezës të Punës, një kopje të kartës të identitetit, të noterizuara si dhe vërtetimin për vjetërsinë në punë të lëshuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore”, ka shkruar Albpetrol. Më tej sqaroi për qytetarët se aplikimet do të shqyrtohen nga një komision i posaçëm, i cili do të kthejë përgjigje brenda afatit prej 10 ditësh pune.
Ja cilët janë përfituesit
Përfitues, sipas këtij ligji, janë pensionistët që kanë përfituar pension sipas ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, pensionistët që kanë përfituar pension sipas ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë” punonjësit që kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë dhe do të plotësojnë kushtet e këtij ligji në vitet e ardhshme, punonjësit që kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhimit, sizmikës, gjeofizikës kantieriale, përpunimit dhe transport me naftësjellës dhe gazsjellës si dhe punonjësit që kanë punuar në metalurgji në profesione, punë shumë të vështira; shkrirje etj. Personave të sipërshënuar u sigurohen përfitime suplementare, mbi ato të përcaktuara në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si pension për shkak të profesionit (llojit të punës), shtesë mbi pensionin e pleqërisë, shtesë mbi pensionin e invaliditetit. Përfituesit të cilët kanë përfituar, ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kanë të drejtën e përfitimit të shtesës mbi pension kur kanë periudhë sigurimi në profesion; punonjësit e nëntokës 12.5 vjet; punonjësit e industrisë së naftës dhe të gazit; burrat 20 vjet, gratë 15 vjet, punonjësit e metalurgjisë: burrat 20 vjet, gratë 15 vjet. Gjithashtu, punonjësit e këtyre industrive kanë të drejtën e trajtimit me pension për shkak të profesionit, deri në 15 vite përpara moshës së pensionit nga skema e detyrueshme.