“Western Promises” me punët e skulptorëve italianë, prezantohet dhe vepra “Pelle d’elefante”

0
316

Ekspozita “Western Promises” vjen për publikun me veprat e skulptorëve të njohur italianë Emiliano Perino dhe Luca Vele. Art, imagjinatë, teknikë, kuruar nga Gaetano Centrone dhe Genti Gjikola. “Western Promises” hapet sot në COD dhe përmban skulptura, instalacione, dizenjo dhe video, por është ekspozita e parë personale e dyshes së famshme të skulptorëve italianë Emiliano Perino dhe Luca Vele. Ekspozita, e cila përfshin një përzgjedhje të disa prej veprave më domethënëse të dyshes, kurohet nga Gaetano Centrone dhe Genti Gjikola. Në tekstin e kuratorëve thuhet, se si dy artistë origjinalë të interpretimit të bashkëkohores, Perino dhe Vele e kanë imponuar veten që nga fillimi i karrierës së tyre nga fundi i viteve 1990, me stilin e tyre unik dhe të mirëpërcaktuar, si dhe me gjuhën shprehëse artistike, që merr shumë si nga skena urbane e epokës sonë ashtu dhe nga tradita e madhe kulturore italiane dhe mesdhetare. “Një nga tiparet më karakteristike të punës së tyre buron nga një hetim intensiv i vetive individuale të materialeve të “rëndomta”, popullore, zakonisht artizanale, siç është në këtë rast papiermasheja, të cilat më pas dekontekstualizohen dhe ripropozohen si objekte arti, që përshkruajnë jo vetëm forma dhe objekte të estetikës të zakonshme, por gjithashtu paraqiten edhe si relike të brishtësisë njerëzore dhe debulesave sociale”, thuhet në tekstin kuratorial për ekspozitën, që sot hapet për publikun në COD te kryeministria. Në ekspozitë do të prezantohet edhe vepra “Pelle d’elefante” (1998), të cilën Harald Szeemann e zgjodhi për Bienalen e 48 të Venecias në 1999. Kuratorët shprehen se vepra në fjalë është një skulpturë e “banueshme”, e cila formohet nga një lëkurë elefanti, realizuar me papiermashe, stilizuar si tapet, ndërsa mbi të janë vendosur dy kolltukë hekuri krejtësisht të parehatshme. “Ëndrrat e mëdha të luksit dhe mirëqenies së botës perëndimore zbulohen para publikut për ato që vërtetë janë: premtime të rreme dhe të pamenduara që rezultojnë të bazuara në shtypje dhe mizori”, thuhet për ekspozitën. Një nga ciklet më të njohura të artistëve italianë Emiliano Perino dhe Luca Vele kushtuar elpis- shpresa në mitologjinë klasike greke, prezantohet në këtë ekspozitë me disa amfora të veshura me shtresa papiermasheje; si objekte të përditshme, por dhe si objekte arkeologjike të mbuluara nga interpretime bashkëkohore ato ndërtohen nga një element organik bitumi (zifti), duke përzier periudha, simbole, identitete, përkatësi me një zhdërvjelltësi sanguine. Ekspozita e parë këtë sezon që hapet për publikun në mjediset e COD do të qëndrojë deri më datë 31 tetor.

Aktiviteti i artistëve

Perino & Vele është një dyshe artistike artistësh, Emiliano Perino i lindur në Nju Jork më 1973 Luca Vele i lindur në Rotondi në vitin 1975. Nga viti 1994 ata kanë jetuar dhe punuar në Rotondi, dhe që nga viti 2015 kanë një studio edhe në Nju Jork. Të njohur për stilin e tyre personal, nëpërmjet të cilit ata përkthejnë imagjinaren e tyre figurative në skulptura dhe instalacione me përmasa të mëdha, ata kanë një ndjenjë të fortë përgjegjësie, e cila shprehet edhe nga materialet e përdorura, midis të cilave preferojnë papiermashenë, një përzierje brumë letre me adeziv, e cila më pas lihet të thahet sipas formës që i jep artisti. Skulpturat e tyre kanë një vlerë të deklaruar civile, që ushqehet me tensionet e shoqërisë bashkëkohore të cilat ata synojnë ti kapërcejnë. Punët e tyre gjenden në koleksionet e përhershme të il Madre, MART, të Fondacionit Pino Pascali, të Muzeut Arkeologjik Kombëtar të Pontecagnano dhe të GAM. Aktualisht ata bashkëpunojnë me Galerinë Alfonso Artiaco (Napoli), Alberto Peola arte contemporanea e Torinos, Anna Marra Art Bashkëkohor e Romës dhe Projektet Cassina në Nju Jork. Dy artistët do të jenë prezent datë 20 Shtator ora 11:00 në workshop-in e organizuar në COD me studentët e Universitetit të Arteve.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here