Grupi i PS i vendosur për të goditur presidentin, ja si do rrëzohen në bllok të enjten 8 dekrete dhe kandidati për në KLSH

0
286

Socialistët duket se do i shkojnë deri në fund betejës së tyre me presidentin Ilir Meta. Ky i fundit ka kthyer 19 ligje për rishqyrtim në Parlament, por për mazhorancën nuk do ketë asnjë tërheqje. Dje u zhvillua u zhvillua mbledhja e grupit parlamentar socialist, ku sipas burimeve të gazetës, mësohet se kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga deputetët për një pjesëmarrje në seancën plenare të së enjtes, për të rrëzuar në bllok të gjitha dekretet e kthyera nga kreu i shtetit, me argumentin se një pjesë e ligjeve të kthyera janë shumë të rëndësishme dhe duhet të hyjnë menjëherë në fuqi. Rrëzimi i dekreteve të presidentit filloi që javën e kaluar në komisionet parlamentare. Presidenti Ilir Meta prej disa kohësh ka nisur një luftë të fortë dekretesh me mazhorancën, pasi ai ka kthyer për rishqyrtim të gjitha ligjet e miratuara nga shumica qeverisëse. Gjatë muajve korrik-gusht kur Kuvendi ishte me pushime, kreu i shtetit rrëzoi një sërë ligjesh, ku do të rrëzohen ditën e enjte nga shumica qeverisëse.

Dekretet

Në seancës plenare të 12 shtatorit do rrëzohet dekreti për rishqyrtimin e ligjit: “Për rezervat materiale të shtetit”, ligj ky i cili u rrëzua dje nga Komisioni i Sigurisë, i cili është edhe komision përgjegjës. Një tjetër dekret i kthyer nga kreu i shtetit që do të rrëzohet nga shumica në Parlament është edhe ligjet “Për privatizimin e ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta”, “Për vetëqeverisjen vendore”” dhe “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”. Një tjetër dekret, i cili ka qenë mjaft i diskutueshëm është edhe dekreti për ndryshimet e “Kodit Penal”. Për këtë ligj, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj u shpreh dy ditë më parë në Komisionin e Ligjeve se ndryshimet e parashikuara kanë si qëllim luftën kundër korrupsionit dhe krimit. “Ndryshimet që janë propozuar në Kodin Penal kanë pasur si qëllim luftën pa kompromis ndaj kriminalitetit. Duke pasur në konsideratë që ka pasur mungesë të instrumenteve për të luftuar forma të reja të krimit, janë sjellë këto ndryshime. Ky projektligj ka një rëndësi të veçantë. Ashpërsimi i veprës penale nuk është e vetmja rrugë, por nga nevoja e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, u sollën këto ndryshime”, tha Gjonaj. Një tjetër dekret i kthyer për rishqyrtim nga presidenti Meta dhe që ngjalli një debat të fortë politik ishte edhe ligji “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar dhe dy koncesionet që janë dhënë për rrugën Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara. Pavarësisht të gjitha akuzave, mazhoranca do e rrëzojëedhe për këto ligje presidentin.

Propozimi i kreut të KLSH

Një tjetër çështje që do të trajtohet në këtë sesion të ri parlamentar do të jetë edhe propozimi i presidentit Ilir Meta për kandidaturën e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Petraq Milo. Propozimi për këtë të fundit shkaktoi shumë pikëpyetje, pasi ai nuk ishte në listën e kandidatëve që kanë kandiduar për në KLSH. Petraq Milo është mbështetës i Partisë Demokratike prej shumë vitesh. Përveç se këshilltar i Berishës, ai ka qenë dhe pjesë e Këshillit Kombëtar të PD për shumë kohë. Pra dyshimet janë se po tentohet që Kontrolli i Lartë i Shtetit t’i jepet opozitës.

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here